Kolonët izraelitë e devijojnë ujin e palestinezëve për ujitje, mbushin një pishinë - NACIONALE

Kolonët izraelitë e devijojnë ujin e palestinezëve për ujitje, mbushin një pishinë

42 minuta më parë

nga NACIONALE

Në një ditë përvëluese vere, kolonët izraelitë po kërcenin në një pishinë në Bregun Perëndimor, e formuar nga devijimi i ujit që dikur përdorej për ujitjen e të mbjellave të palestinezëve, njëra nga shumë rastet e tilla të devijimit të burimeve ujore në mbarë territorin e pushtuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ky burim shërbente si linjë jete për fshatin Fasayil në Ultësirën e Jordanit, ku palestinezët janë mbështetur në të me gjenerata për ushqim, punësim dhe për t’i plotësuar furnizimet e parregullta izraelite në çezmat e tyre.

“Furnizimi ynë me ujë mbetet i ndërprerë sot e asaj dite, duke na privuar nga uji prej të cilit varemi për shtëpitë tona, jetesën tonë dhe tokën tonë bujqësore” – tha Saad Nemer, i cili e punon tokën.

Kolonët izraelitë ia morën gypin e ujitjes në qershor, duke e drejtuar ujin te një pishinë e lashtë në një zonë arkeologjike. Pak kohë më pas, kolonët e reklamuan atë si atraksion turistik izraelit dhe ministri izraelit i Financave, i cili ka qëndrime të së djathtës ekstreme, u zotua për mbështetje financiare.

“Tani, ata janë në procesin e zhvillimit të një parku rekreativ përreth pishinës” – tha Nemeri.

Kapja e burimit në Fasayil është pjesë e një modeli për të cilin palestinezët thonë se është i dizajnuar për t’ua bërë jetën e tyre në Bregun Perëndimor të papërshtatshme. Kolonët izraelitë kanë sulmuar të paktën 160 zona uji e sanitarie në mbarë territorin palestinez këtë vit, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.

Serrat dhe arat e Nemerit normalisht do të ishin plot me patëllxhanë, kungulleshka dhe shalqinj, por pa ujë, ai nuk ka mundur të mbjellë në tokën e tharë nga vapa.

“Ndërprerja e ujit nga kolonët na ka shkaktuar humbje dhe ka nënkuptuar që shumë familje do t’i humbin punën dhe jetesën” shtoi ai.

Nemeri tha se një punëtor është rrahur nga kolonët dhe edhe ai vetë është ballafaquar me kërcënime për shkak se ishte përpjekur që t’i afrohej burimit para dy vjetësh.

Lajme të ngjashme