Netanyahu thotë se në OKB “do ta tregojë të vërtetën” për veprimet ushtarake të Izraelit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se do ta shfrytëzojë fjalimin në Kombet e Bashkuara këtë javë që t’i mbrojë veprimet ushtarake të Izraelit kundër palestinezëve dhe e akuzoi kryetarin e Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, se e mbështet Hamasin.
Komentet e Netanyahut ishin kundërpërgjigje ndaj komenteve të kryetarit të Nju-Jorkut, i cili të hënën në televizionin CNN tha se Netanyahu është “kriminel lufte dhe arkitekt i një gjenocidi të tmerrshëm të popullit palestinez”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Netanyahu pritet të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të enjten.
“Unë do të vij në OKB. Do ta tregoj të vërtetën për ushtarët tanë heroikë dhe do ta tregoj të vërtetën për ju [Mamdani]” – tha Netanyahu në një video të shkurtër.
Mamdani më parë kishte thënë se ai do ta arrestonte Netanyahun, por pranoi se nuk kishte kompetenca për ta bërë këtë.
“Turp të qoftë, z. Mamdani! Turp të qoftë për mbështetjen e përbindëshave terroristë të Hamasit që i masakruan njerëzit tanë. Turp të qoftë për nxitjen e trazirave kundër hebrenjve të Nju-Jorkut” – shtoi kryeministri izraelit.
Disa kundërshtarë republikanë e kanë quajtur Mamdanin antisemit, duke i përmendur si arsye mbrojtjen e kauzës palestineze dhe kritikat ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Gazë.
Mamdani e ka dënuar antisemitizimin. Ai thotë se kritikat e tij ndaj Izraelit përzihen gabimisht me antisemitizmin.