Një i vdekur e shumë të lënduar nga zjarri në Kroaci, arrestime për zjarrvënie në Francë - NACIONALE

Një i vdekur e shumë të lënduar nga zjarri në Kroaci, arrestime për zjarrvënie në Francë

39 minuta më parë

nga NACIONALE

Një zjarr kaploi disa shtëpi në një resort kroat të pushimeve të premten, duke lënë një të vdekur e 40 të lënduar dhe duke detyruar 1.200 njerëz të tjerë që të evakuoheshin, thanë zyrtrët, përderisa BE-ja paralajmëroi se zona të kushteve “shumë ekstreme” për zjarre në natyrë shtrihen në mbarë kontinentin.

Gati 500 njerëz janë arrestuar nën dyshimin për nisje të zjarreve në natyrë në Francë që nga fillimi i verës, thanë autoritetet atje, përderisa zjarrfikësit në gjashtë shtete evropiane po luftojnë me flakët në valën rekorde të vapës, raporton gazeta “The Guardian”.

Qindra njerëz u evakuuan nga disa fshatra në pjesën perëndimore të Gjermanisë dhe jugperëndimit të Francës, ndërsa disa pushues të ngujuar u larguan nga plazhet e rrezikuara nga zjarri në Greqi. Në Spanjë, ushtria shpëtoi disa relikte historike.

Rreth 60 për qind e evropianëve u ballafaquan me temperaturë prej të paktën 30 gradësh të premten dhe rreth 150 milionë banorë me 35 gradë ose më lart. Ministria e Brendshme e Francës tha se 474 persona, përfshirë 183 të mitur, janë ndaluar nën dyshimin për zjarrvënie në natyrë nga 1 korriku.

Rreth 70 për qind e të arrestuarve dyshohen se qëllimisht kanë ndezur zjarre, ndërsa pjesa tjetër aksidentalisht. Mediat franceze thanë se një djalë 15-vjeçar është ndaluar në lidhje me zjarrin afër aeroportit të Bordosë, ku në korrik e humbën jetën dy zjarrfikës.

Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës po shkakton ngjarje më të shpeshta dhe më ekstreme të motit, duke nxitur zjarre në natyrë. Evropa është duke u ngrohur me ritëm afro dyfish më të shpejtë se mesatarja globale.

Lajme të ngjashme