Zelensky thotë se ShBA-ja i ka dhënë Kievit informata për takimet në Moskë - NACIONALE

Zelensky thotë se ShBA-ja i ka dhënë Kievit informata për takimet në Moskë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të premten se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit informata për një numër takimesh në Moskë gjatë ditëve të fundit.

“Sot pranuam informata nga pala amerikane për takimet në Moskë që u zhvilluan këto ditë. Atje ishin një numër takimesh” – tha Zelensky në rrjetin “Telegram”, pa hyrë në hollësi për atë se kush ka marrë pjesë në to, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Unë i falënderoj ata për informatat dhe për tonin e nevojshëm të bisedës me Rusinë” – shtoi presidenti ukrainas, përsëri pa dhënë hollësi.

Gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, raportoi të mërkurën se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, kishte udhëtuar në Moskë për ta paralajmëruar Rusinë që të mos nisë ndonjë sulm ndaj ndonjë shteti anëtar të NATO-s.

Kremlini e hodhi poshtë këtë raport, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, nuk do të sulmojë ndonjë vend të NATO-s.

Dy burime i thanë agjencisë “Reuters” se Ratcliffe e kishte ngritur mundësinë e një operacioni rus kundër një vendi të NATO-s gjatë takimit, edhe pse nuk ishte e qartë se cili ishte qëllimi parësor i vizitës.

Një burim i tha agjencisë “Reuters” se në bisedime u diskutua edhe mbështetja e Rusisë për Iranin.

Lajme të ngjashme