Al-Sharaa i Sirisë e emëron këshilltar ish-armikun e vet, Mazloum Abdi - NACIONALE

Al-Sharaa i Sirisë e emëron këshilltar ish-armikun e vet, Mazloum Abdi

1 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, të premten e emëroi këshilltar presidencial ish-komandantin e një force të udhëhequr nga kurdët, tashmë e shuar, duke e pasqyruar afrimin mes dy palëve që ishin armike për një kohë të gjatë në luftën civile.

Për më shumë se një dekadë, Mazloum Abdi i udhëhoqi Forcat Demokratike Siriane (SDF), të drejtuara nga kurdët dhe të rreshtuara me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër ISIS-it. Kjo forcë kishte marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Sirisë Veriore dhe Lindore gjatë luftës civile për të krijuar një zonë gjysmautonome, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në fund të vitit 2024 nga një koalicion i forcave rebele të drejtuara nga Al-Sharaa, autoritetet e reja siriane këmbëngulën që territori dhe institucionet e drejtuara nga Forcat Demokratike Siriane duhej të integroheshin në institucionet qendrore.

Procesi i integrimit ngeci për më shumë se një vit, derisa një ofensivë e shpejtë e janarit nga forcat qeveritare siriane kundër luftëtarëve të Abdit sollën një plan për shkrirjen e SDF-së në autoritetet me bazë në Damask.

Abdi njoftoi të martën se SDF-ja do të shuhej formalisht, duke e çmuar fillimin e një faze të re të “paqes dhe pjesëmarrjes në ndërtimin e Sirisë së re”.

Emërimi i tij si këshilltar presidencial u njoftua në një dekret të lëshuar nga Al-Sharaa. Nuk ishte e qartë nëse roli i Abdit do të jetë vetëm ceremonial.

SDF-ja e drejtuar nga Abdi ka luftuar kundër grupeve ultrakonservatore, përfshirë ISIS-in dhe degën lokale të grupit Al-Qaeda, e cila dikur udhëhiqej nga Al-Sharaa, para se ai t’i shkëpuste lidhjet me organizatën.

Lajme të ngjashme