Kuvendi nën diktatin e Qeverisë: Bojkotimi i instrumenteve kontrollues, precedent i rrezikshëm - NACIONALE

Kuvendi nën diktatin e Qeverisë: Bojkotimi i instrumenteve kontrollues, precedent i rrezikshëm

2 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Raporti i pozitës me opozitën në Kuvendin e Kosovës ka eskaluar në javët e fundit.

Refuzimi i PDK-së dhe AAK-së për t`i votuar marrëveshjet ndërkombëtare ka bërë që Qeveria të bojkoton çdo iniciativë parlamentare të opozitës. Në këtë mënyrë, ekzekutivi ka filluar një “hakmarrje” ndaj opozitës, duke refuzuar të përgjigjet në pyetjet parlamentare të deputetëve opozitarë, duke pamundësuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të thirrur nga 40 deputetë dhe duke bojkotuar për katër herë radhazi konstituimin e komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore.

Këto veprime të pushtetit po vlerësohen si jodemokratike dhe jokushtetuese nga opozita dhe shoqëria civile.

Ata kanë vlerësuar se kjo tregon se Kuvendit i Kuvendit është nën diktatin e plotë të Qeverisë.

Sipas tyre, këto tre instrumente janë jetike për kontrollin e Qeverisë nga ana e Kuvendit.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë për gazetën Nacionale se mazhoranca parlamentare me veprimet e saj po krijon një precedent të rrezikshëm.

Kosova është Republikë Parlamentare ku Kuvendi përmes mekanizmave të tij ushtron kontrollin parlamentar ndaj punës së qeverisë dhe dikasterëve të saj për të rritur transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjësinë e qeverisë gjatë ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të saj. Kuvendi dhe deputetët si përfaqësues të popullit do të duhej të shërbenin si shembull i respektimit dhe zbatimit të Kushtetutës dhe rolit të kontrollit parlamentar në raport me ekzekutivin”, ka thënë Miftaraj.

Ajo çka po bën pushteti, sipas tij, është ikje nga përgjegjësia.

“Ikja nga kjo përgjegjësi përveç që paraqet shkelje të Kushtetutës dhe cenim të demokracisë po ashtu ndërton precedent të keq ku deputetët e Kuvendit të Kosovës më mos veprim ndërtojnë kulturën e pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë”, është shprehur ai.

Zhveshja e Kuvendit nga përgjegjësitë

Të shqetësuar me veprimet e Qeverisë janë shprehur edhe deputetët e opozitës. Ata kanë bërë me dije se historia e parlamentarizmit në Kosovës nuk njeh sjellje të tillë të qeverisë.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se bojkotimi i iniciative të opozitës cenon rënd demokracinë parlamentare në vend.

Tri veprime të mazhorancës brenda dy jave, të paprecedentë, e cenojnë demokracinë parlamentare dhe rendin kushtetues në Kosovë: 1. Seanca e jashtëzakonshme, e thirrur me 40 nënshkrime, pamundësohet nga mazhoranca me mungesë kuorumi. 2. Komisioni Hetimor Parlamentar, edhe ky i themeluar me 40 nënshkrime, pengohet që të nis punën. 3. Qeveria nuk përgjigjet në pyetjet parlamentare të opozitës, e cila gjë është detyrim kushtetues i Qeverisë ndaj Kuvendit”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.

I shqetësuar me këtë qasje të qeverisë është shprehur edhe drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu.

Ai ka thënë se veprime e Qeverisë dhe shumicës parlamentare po e zhveshin Kuvendin nga vlerat dhe përgjegjësitë që ka.

Bojkoti dhe veprimet penguese për funksionalizimin e komisionit hetimor nga VV-ja, rrezikojnë ta zhveshin Kuvendin nga vlerat dhe përgjegjësitë që ka, ta shndërrojnë në një organ zbatues të politikave dhe direktivave qeveritare. De-funksionalizimi i vlerave demokratike që garantojnë pluralizëm politik dhe ndarje të pushteteve nuk duhet të jetë tendencë e asnjë subjekti politik, e aq më pak e një shumice parlamentare”, ka shkruar Kryeziu në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, deputet e VV-së duhet të heqin dorë nga kjo qasje.

Deputetët e VV-së kanë përgjegjësi dhe duhet të mundësojnë veprimin e këtij komisioni hetimor, më shumë se sa të angazhohen për pengimin e hetimive për skandale të mundshme korruptive. Si shumicë parlamentare ata duhet demonstrojnë angazhim dhe vullnet politik për të promovuar vlerat e kontrollit parlamentar, për të siguruar funksionim të ndarjeve të pushteteve dhe për të siguruar transparencë e llogaridhënie mbi politikat dhe veprimet qeveritare”, ka vlerësuar ai.

Ndërsa, analisti politik Afrim Kasolli ka bërë me dije se kjo qasje tregon se Qeveria dëshiron të qeverisë pa asnjë kontroll.

Ky dualizëm reflekton botëkuptimin e një pushteti që tenton të qeverisë jashtë çdo kontrolli institucional dhe politik si dhe po ashtu të miratoje ligje “problematike nga aspekti kushtetues”, me qëllim që ta çimentojë edhe më shumë pushtetin e tij”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook.

Deri me tani nuk ka ndodhur që një kryeministër i Kosovës të refuzoi të përgjigjet në pyetjet që shtrohen nga deputetët e partive opozitare. Javën e kaluar, kryeministri Kurti dhe ministrat e tij kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjet e opozitarëve. Ai ka paralajmëruar se kështu do të jetë derisa opozita nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare.

Këtë të enjte, deputetët e VV-së kanë braktisur seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita dhe në këtë mënyrë kanë pamundësuar mbajtjen e saj. Në këtë seancë pritej të miratohej një rezultë në mbështetje të Policisë së Kosovës.

Sjellje të njëjtë kanë bërë edhe dje, ku për herë të katër deputetët e VV-së me mungesën e tyre kanë pamundësuar konstituimin e komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore.

Lajme të ngjashme