"Po fshihet diçka; e papranueshme": Opozita e kritikon VV-në pas dështimit të komisionit hetimor për rezervat shtetërore - NACIONALE

"Po fshihet diçka; e papranueshme": Opozita e kritikon VV-në pas dështimit të komisionit hetimor për rezervat shtetërore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot për herë të tretë ka dështuar konstituimi i Komisionit hetimor të Kuvendit të Kosovës rreth dyshimeve për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Sërish në mbledhjen e komisionit kanë munguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, që udhëheq me Qeverinë e Kosovës. Në lidhje me këtë mungesë kanë reaguar deputetët e opozitës. Çka thanë opozita?

Opozita, pra PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, kanë hedhur dyshime për mungesën e deputetëve të pushtetit, pra VV-së, duke theksuar se një qasje e tillë është e papranueshme. Deputetja e LDK-së, Valentina Rexhepi-Bunjaku, deklaroi në komision se VV-ja nuk është e interesuar të “çojnë hajnat në burg”.

“Është e papranueshme nga ana e pozitës, sepse janë e njëjta pozitë që ka bërë shumë zhurmë në Kuvend, seancë plenarë, ka diskutuar dhe në një mënyrë kanë kundërshtuar formimin e këtij komisioni hetimor, sepse nuk janë të interesuar t’i qojnë hajnat në burg, sepse hajnat në burg e kishin pas mendjen t’i dërgojnë veç kur kanë qenë në opozitë, e në pozitë po bashkëpunojnë me hajnat.” – tha Rexhepi-Bunjaku.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, që është edhe kryetar i këtij komisioni, theksoi se pushteti po e bllokon konstituimin dhe punën e komisionit.

“Në seancën e fundit ndodhi diçka që s’ka ndodhë ndonjëherë që Qeveria të mos përgjigjet pyetjeve parlamentare. Po bllokohet punë e këtij komisioni. Që nga 22 shkurti kur kemi filluar të diskutojmë në parlament pastaj kemi mbledh nënshkrime dhe kemi diskutu për keqpërdorime me rezerva shtetërore dhe tashmë e kanë pranuar edhe pozita dhe kryeministri qe mungon një pjesë e grurit”- tha Qalaj.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, deklaroi se mungesa e deputetëve të VV-së tregon se po fshihet diçka.

“Sa i përket konsituimit të Komisionit po shihet se ata janë pengesë, po shihet se këtu po fshihet diçka dhe mendoj që asnjëherë në praktikat parlamentare pas votimit në Parlament nuk ka ndodhë që mos të konsitutohet apo të pengohet konstituimi i komisionit hetimorë.” – deklaroi Lekaj.

Ndërsa deputeti Avdullah Hoti shkroi se është në interes të publikit të zbardhet e vërteta rreth rezervave shtetërore.

“Përse koalicioni VV-Guxo po e bojkoton konstituimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për aferën me rezerva shtetërore?! Është në interes të publikut të zbardhet e vërteta sa më parë. Pengimi i këtij hetimi parlamentar ngre dyshime të shumta. Kjo sjellje shpërfaq hipokrizinë e koalicionit VV-Guxo; e votuan formimin e Komisionit në Kuvend, e tani po e pamundësojnë punën e tij.” – shkroi Hoti.

Ndryshe, në komision u vendos që konstituimi i komisionit hetimor të provohet edhe për të katërtën herë.

“Do e bëjmë nesër një tentativë të katërt që të konstituohet edhe pse jam i bindur që nuk vijnë”- deklaroi Qalaj.

Kujtojmë që gazeta Nacionale kishte raportuar ekskluzivisht në lidhje me keqpërdorimin e rezervave shtetërore. Në kuadër të hulumtimit, Nacionale kishte botuar edhe përgjimet në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdare, përgjime të cilat më pastaj u njohën si “Afera e vajit” dhe “Afera e grurit”.

Në lidhje me këto raportime, Prokuroria e Kosovës e kishte arrestuar biznesmenin Ridvan Muharremin, i cili dyshohej si pjesëmarrës në keqpërdorimin e rezervave shtetërore. Ndryshe, krejt këto raportime i kishte refuzuar kryeministri Albin Kurti, duke theksuar se “nuk ka korrupsion”.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin.” – deklaronte Kurti në një video në ditën e arrestimit të Muharremit.

Lajme të ngjashme