Kosova ta shfrytëzojë administratën Biden për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë - NACIONALE

Kosova ta shfrytëzojë administratën Biden për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Partitë opozitare dhe monitoruesit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i shfrytëzojë rrethanat e favorshme aktuale për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Sipas tyre, edhe viti 2023 mund të jetë i favorshëm për Kosovën.

Zyrtarët e lartë të partive politike opozitare dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se Kosova nuk po e shfrytëzon momentumin e duhur për arritjen e marrëveshjes finale Serbinë.

Ata kanë thënë për gazetën Nacionale se lufta në Ukrainë dhe administrata Biden janë mundësi të favorshme që lehtësojnë arritjen e ujdisë në mes të dy shteteve.

Sipas tyre, zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe ato për Parlament Evropian në vitin 2024 do të ndikojnë që Uashingtoni dhe Brukseli të mos merren shumë me këtë proces.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniq, ka treguar për gazetën Nacionale se mundësia më e mirë për këtë marrëveshje është deri në vitin 2023.

Qëndrimet tona për këtë proces janë mbështetje për vazhdimësinë e këtij procesi. Besoj se ‘dritarja’ e hapur aktualisht duhet të shfrytëzohet. Kjo ‘dritare’ në mënyrë të veçantë duhet të shfrytëzohet deri në vitin 2023, sepse në vitin 2024 do të këtë zgjedhje në SHBA dhe zgjedhje për Parlamentin Evropian. Këto zgjedhje përsëri do të interferojnë me interesimin ndërkombëtar në këtë proces”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka treguar se për të arritur këtë synim duhet një angazhim më i madh edhe i bashkësisë ndërkombëtare.

Për të arritur një marrëveshje brenda kësaj periudhe kohore, unë besoj, se duhet të ketë një angazhim më dinamik të partnerëve ndërkombëtarë, por edhe të qeverisë. Sepse kjo qeveri e ka pozicionin më të favorshëm se qeveritë e kaluara, për faktin se ka përballë një opozitë shtetformuese, e cila e kupton se interesi shtetëror është më i madh se interesi partiak”, ka thënë ai.

Kryetarja e re e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka vullnet dhe guxim për marrëveshjen përfundimtare.

Mendoj se nuk e ka guximin për ta bërë këtë dhe nuk pres që një marrëveshje e tillë do të arrihet. Pa vullnet dhe pa guxim nuk mund ta bësh. Kështu që, nuk e shoh se mund të arrihet një marrëveshje e tillë”, ka thënë ajo për gazetën Nacionale.

Ajo ka treguar se në mungesë të guximit të kësaj qeveria edhe në këtë mandat do të ketë vetëm një vazhdimësi të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Viti 2022, një mundësi e mirë

Edhe njohësit procesi të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë deklaruar për gazetën Nacionale se ky vit është koha më e përshtatshme për arritjen e një marrëveshje të përhershme.

Drejtori Ekzekutiv i Grupit për Ballkanin, Naim Rashiti, ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova duhet të insistojë në arritjen e kësaj marrëveshje para së Ukraina dhe Rusia të pranojnë të ulën në tavolinën e bisedimeve.

Nëse vonohemi, do të bëhet më e vështirë, ne e pamë se u bë më e vështirë. Tani erdhi një mundësi e re, sepse deri para 24 shkurtit ishte shumë vështirë. Në aspektin e qeverisjes e kemi parë se përgjegjësi e këtij kryeministri dhe kryeministrave tjerë ka qenë dhe është dialogu. Dialogu nuk duhet të jetë lajmi kryesor. Dialogu duhet të bëhet fuqishëm që sa më pak të bëhet lajm dhe sa më pak të jetë brengë e shoqërisë sonë”, ka thënë Rashiti.

Sipas tij, shumë shpejtë fokusi i zhvillimeve ndërkombëtare mund të jetë diku tjetër.

Ky vit është një mundësi e mirë për marrëveshjen finale me Serbinë. Çdo fazë para një marrëveshjeje Rusi-Ukrainë është brilante për Kosovën. Sepse atëherë do të jetë fokusi atje. Atëherë, Gjermania do të shikojë kah marrëveshja Rusi-Ukrainë. Ne nuk e përcaktojnë dinamikën e marrëveshjes, ne e përcaktojmë vendosjen e Kosovës në një agjendë tjetër në Bruksel, Uashington, Paris e Berlin. Pra, ne e përcaktojmë një dinamikë të re, ne nuk e përcaktojmë fatin e marrëveshjes”, është shprehur Rashti.

Ndërsa, monitoruesi i këtij procesi, Visar Ymeri, ka vlerësuar se është e rëndësishme që dialogu të përfundojë në mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden.

Është tejet e rëndësishme që të kemi marrëveshje, dhe që ky dialog i stërzgjatur të përfundoj sa më parë. Është po ashtu tejet e rëndësishme që të përfundojë ky dialog në mandatin e administratës aktuale amerikane, meqë kur nuk mund të jemi të sigurt se çfarë qeverie do ta kemi nesër në Uashington. Duhet ta shfrytëzojmë administratën e Presidentit Biden në të cilën çështja e Kosovës ka ndjeshmëri më të madhe për shkak të përvojës, angazhimit dhe sentimentit që Presidenti ka pasur karshi Kosovës”, është shprehur ai, duke shtuar se edhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë mund të ndikojë në procesin e dialogut.

Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga BE po ashtu shënon një kohë të re për sa i përket angazhimit të BE-së në rajon dhe kthimit të vëmendjes kah Ballkani pas një kohe relativisht të gjatë. Të gjitha këto e bëjnë marrëveshjen të mundshme. Por edhe urgjente kur e kemi parasysh ndryshimin rrënjësor të botës pas invazonit të Rusisë në Ukrainë”, ka thënë ai.

Pavarësisht rrethanave të krijuara, Qeveria e Kosovës nuk ka treguar ndonjë tendencë për të dinamizuar dialogun e Brukselit. Deri me tani kryeministri Albin Kurti ka pasur vetëm dy takime në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndërsa kryenegociatorët e të dy vendeve kanë arritur pajtueshmëri për disa marrëveshje teknike.

Se fundi, i dërguari special i BE-së për këtë proces, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes se marrëveshje për çështjen e të zhdukurve.

Gjithashtu, ai ka thënë se Kurti e Vuçiq janë pajtuar për intensifikim të dialogut në Bruksel.

"Kurti e Vuçiq janë pajtuar për të vazhduar dhe intensifikuar dialogun", ka deklaruar ai, duke mos dhënë detaje shtesë.

Ai nuk ka treguar as kohen se kur mund të realizohet takimi i radhës në mes të Kurtit dhe Vuçiqit.

Diplomati evropiane ka pranuar se ka dështuar ta organizojë një takim në mes të kryeministrit kosovar dhe presidentit serb gjatë verës.

Lajme të ngjashme