A duhet një Ekip i ri i Unitetit? Kurti denoncohet si i pavullnetshëm për të ndarë përgjegjësinë e dialogut - NACIONALE

A duhet një Ekip i ri i Unitetit? Kurti denoncohet si i pavullnetshëm për të ndarë përgjegjësinë e dialogut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Krijimi i Ekipit të Unitetit për t’u përballur me Serbinë në bisedimet e Brukselit deri me tani është propozuar disa herë. Formimi i një trupe të tillë është parë si mënyrë për të fuqizuar pozicionin e Kosovës në këtë proces.

Mirëpo deri me tani qeveria nuk ka treguar ndonjë gatishmëri për të ndërmarr një iniciativë të tillë.

Ish-anëtari i grupit të unitetit përgjatë negociatave të Vjenës, Lutfi Haziri, ka deklaruar për gazetën Nacionale se kësaj qeverie i mungon vullneti për të ndarë përgjegjësinë e dialogut me opozitën dhe shoqërinë civile.

Prej kur Gjykata Kushtetuese e Republikës ka definuar rolin kushtetues për përfaqësim në të tilla negociata, Kosova e në veçanti ky kryeministër, i cili ka shumicë parlamentare, nuk ka tregu asnjë vullnet për raportimet në Kuvend, e as për përfshirjen e opozitës në procese të negocimit”, ka treguar Haziri.

Më tutje, Haziri ka deklaruar se Ekipi i Unitetit ka qenë parakusht për suksese në negociatat e kaluara të Kosovës.

Ekipet e unitetit, ekipi i zgjeruar i Rambujes dhe ekipi i Vienes, e kanë determinuar suksesin e negociatave në faza të ndryshme të Kosovës. Tani këtij kryeministrit, po i doket vetja i mjaftueshëm dhe nuk ka asnjë lloj iniciative për ta ndarë dhe për ta shtrirë përgjegjësinë dhe rolin edhe të opozitës edhe të shoqërisë civile në procesin e negociatave. Koha po kalon, por vullnet nuk ka për të ndërtuara struktura të tilla”, përfundoi Haziri në fjalën e tij për Nacionale.

Gazeta Nacionale ka tentuat të marrë mendimet edhe të anëtarëve të tjerë të ish-grupit të unitetit, që morën pjesë në takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Ish-anëtaret e këtij grupi, Ylber Hysa dhe Agim Çeku kanë refuzuar të shprehin ndonjë opinion në lidhje me këtë çështje.

Edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri mendon se qeveria duhet të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një ekipi unitetit në mes qeverisë dhe partive opozitare.

Unë kam rekomanduar se kjo qeveri duhet të kërkojë ndihmën e partive të opozitare dhe të formohet një ekip të unitetit mes këtyre që janë në pushtet dhe opozitës. I di kundërshtimet e tyre, por për hir të shtetit duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kësaj qeveri i takon ta marrë këtë iniciativë dhe të shkojnë në Bruksel si një delegacion i unitetit” ka thënë Edita Tahiri, në një intervistë për Nacionale.

Kohëve të fundit në Kosovë, themelimi i një grupi të ri të unitetit po diskutohet çdo herë e më tepër. Përveç deklaratave të ndryshme, shkas këtij debati i dha edhe një takim i ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, me ish-anëtarët e grupit të unitetit.

Ambasadori amerikan Hovenier përshkoi takimin si një moment kujtesë për punën e këtij ekipi të përkushtuar në suksesin e Kosovës.

Ne diskutuam punën tonë kolektive gjatë 2006-07 dhe dedikimin tonë për suksesin e vazhdueshëm të Kosovës”, shkroi ai në Twitter.

Ngjashëm takimin me ambasadorin amerikan, e ndau në rrjetet shoqërore edhe Enver Hoxhaj, ish-anëtar i grupit të Unitetit nga ana e Kosovës.

Mbështetja amerikane dhe evropiane e uniteti politik mbipartiak si përfaqësim i vullnetit të popullit, solli pavarësinë! Me ftesë të Ambasadorit Amerikan Jeffrey M. Hovenier, u takuam sërish bashkë, pjesëmarrësit në negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosovës për ta nderuar Kai Sauer, Nënsekretar i Shtetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Finlandës. Mirënjohës përgjithmonë dy miqve tanë për rolin historik në këtë kohë, kur Kosova kishte më së shumti nevojë për përkrahje ndërkombëtare! Sot shkëmbyem kujtimet tona nga puna e përbashkët deri këtu, duke e njohur çdoherë miqësinë e pazëvendësueshme që Kosova ka me ShBA-në dhe BE-në!”, shkroi Hoxha në llogarinë zyrtare të tij në Facebook.

Kryeministri Albin Kurti ka krijuar një ekip të bisedimeve me Serbinë, i cili përbehet kryesisht nga njerëz të shoqërisë civile.

Ndërsa, kryenegociator të këtyre bisedimeve ka caktuar zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi. Bislimi, së fundi, ka nënshkruar një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve për Energjinë (2013, 2015) por të cilin nënshkrim nuk ia doli ta arsyetonte në një intervistë televizive.

Ai nuk kishte dijeni madje as nëse shqiptarët e katër komunave me shumicë serbe kishin të drejtën e zgjedhjes së operatorit të energjisë ose jo.

Lajme të ngjashme