“BE-ja po shantazhon”, kërkohet tërheqja e Kosovës nga dialogu me Serbinë   - NACIONALE

“BE-ja po shantazhon”, kërkohet tërheqja e Kosovës nga dialogu me Serbinë  

1 vit më parë

nga NACIONALE

Samiti i udhëheqësve të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka zhgënjyer opinionin kosovarë. Mosliberalizimi i vizave, ndonëse Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet, po shihet si veprim politik nga ana e BE-së.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se BE-ja qëllimisht këtë proces po e ndërlidh me dialogun Kosovë-Serbi.

Analisti politik Jusuf Thaçi ka vlerësuar se në këmbim të liberalizmit të vizave BE-ja po i kërkon Kosovës kompromise në dialog me Serbinë.

Sipas tij, ky është një shatazh që BE-ja po i bënë Kosovës. “Nëse BE-ja (ose shtete të caktuara anëtare të saj) vendosin (ose kanë vendosur) që çështjen/procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën ta përdorin si shkop e karrotë, përkatësisht si shantazh, ndaj Kosovës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke i kërkuar Kosovës koncesione në shkëmbim të liberalizimit të vizave, atëherë Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet zyrtarisht nga procesi i dialogut Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga BE, derisa BE t'i pranojë dhe t'i trajtojë këto dy procese si procese tërësisht të ndara e të pavaruara nga njëri-tjetri, ashtu siç edhe janë e siç duhet të jenë”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në “Facebook”.

Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe avokati Arianit Koci. Ai ka thënë se me këto veprime BE-ja po tregon se nuk është partner serioz. “Sot përfundimisht e kuptuam që nuk do të ketë liberalizim të vizave edhe së paku pesë vite. Pse? Pse po munden! Liberalizimi vazhdimisht po përdorët si karem për t’i bërë lëshime Serbisë. Bashkimi Evropian nuk është partner e as ndërmjetësues serioz. Prandaj, duhet ndërprerë menjëherë çdo aktivitet ku ata janë ndërmjetësues. Asnjë marrëveshje me Serbinë, nuk mund të jetë e dobishme, me ndërmjetësues të tillë”, ka shkruar ai, duke kërkuar nga Shqipëria që të iu jep kosovarëve shtetësi shqiptare.

Në anën tjetër, Edi Rama me tone të ashpra paska thënë se ‘Qytetarët e Kosovës po mbahen peng, nën diktaturën jugosllave udhëtonin kudo.’ Saktë! Por edhe Edi Rama, nuk po bën krejt çka mundet. Me Kushtetutën e Shqipërisë, çdo shqiptari i takon nënshtetësia shqiptare. Pse nuk ia japin çdo kosovari që ka interes? Shqiptarë jemi edhe ne. Plus, të diskriminuar skajshmërisht! Mbi të gjitha, Shqipëria ia ka dhënë nënshtetësinë shqiptare pjesës kosovare që më së paku e meriton: shumicës së politikanëve kosovarë”, ka thënë ai.

Qëndrimin e BE-së për të mos i hap negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe mosliberalizmin e vizave për Kosovën, si politik e ka parë edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.

Konstantja e gjeopolitikës së BE-së: zgjerimi si produkt i plotësimit të kritereve apo të frikës nga Rusia: Për shkak të Rusisë por pa i plotësuar kushtet e kriteret Rumania dhe Bullgaria u bënë anëtare prej vitit 2007; Për shkak të Rusisë por pa i plotësuar kushtet e kriteret, Serbisë e besa edhe Malit të Zi iu hapën kapitujt prej vitit 2014, përkatësisht 2012; Për shkak të Rusisë, pa asnjë kusht dhe kriter të plotësuar, sot Ukraina dhe Moldavia morën statusin e kandidatit; Për shkak të mungesës së ndikimit të Rusisë, Shqipëria kurrsesi të hap kapitujt me BE-në e Kosova përkundër plotësimit të të gjitha kushteve as të marrë liberalizimin e vizave”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ish-ministrja për Dialog me Serbinë, Edita Tahiti, ka kërkuar nga Kosova që të mos e humb rrugën. “Sot patëm lajme zhgënjyese nga BE-ja: Jo viza për Kosovën, jo hapje negociatash për Shqipërinë. Shumë hipokrizi dhe absurditet pati, por nuk duhet humbur rrugën! Duhet gjetur rrugën drejt cakut, këtë punë duhet ta bëjnë qeveritë e dyja vendeve tona”, ka shkruar Tahiri.

Liberalizimi i vizave nuk u përmend në samit

Pritjet e kosovarëve nga samitit i djeshëm i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor kishin të bënin me liberalizimin e vizave. Kjo pas Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave, ndonëse prej vitesh Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në konkluzat e samitit, të cilat u publikuan pas mbajtjes se samitit, nuk është përmendur liberalizimi i vizave.

Pjesë e këtij samiti ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kishte kërkuar që kosovareve të iu hiqen vizat.

Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, ka thënë ajo.

Pas takimit, ajo është shprehur optimiste, duke thënë se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.

Duhet të them se këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”, është shprehur Osmani.

Samiti ka zhgënjyer edhe vendet tjera të rajonit. Edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten duarthatë, duke mos u dhënë drita e gjelbër për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Për shkak të ndikimit rus, BE-ja ndryshe ka vepruar me Ukrainën dhe Moldavinë, të cilave ua ka dhënë statusin e kandidatit, ndonjë nuk kanë plotësuar kushtet e kërkuara.

Lajme të ngjashme