JAVA: Plani franko-gjerman, shtyrjet e vizitave, Amerika e zhgënjyer dhe tensionet në veri - NACIONALE

JAVA: Plani franko-gjerman, shtyrjet e vizitave, Amerika e zhgënjyer dhe tensionet në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Plani franko-gjerman “me bazë të shëndoshë”. Zyrtarët serbë jashtë institucioneve. Amerika kalon nga ‘qortimi’ te ‘gjoba’. Ambasadori gjerman me ‘targa absurde’. Çka ndodhi gjatë kësaj jave në Kosovë?

Kjo javë nisi me largime masive të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, në një veprim që rriti tensionet në veri të vendit por edhe shtoi trysninë ndërkombëtare ndaj Qeverisë Kurti.

Ky largim kishte qenë i paparashikuar dhe është konsideruar nga shumë analistë si hap shumë radikal nga përfaqësuesit politik të komunitetit serb. Pas suspendimit të drejtorit të drejtorisë rajonale Nenad Gjuriq, dhanë dorëheqje qindra zyrtarë serbë nga niveli qendror e lokal. Veçanërisht shqetësuese është gjendja e sigurisë në pjesën veriore të vendit marrë parasysh zbrazëtinë e lënë nga mungesa e forcave të rendit.

Minsitri Xhelal Sveçla njoftoi se 578 policë ishin dorëhequr, ashtu si edhe rreth 150 persona nga Gjykata në Mitrovicë. Nacionale kishte përgatitur një artikull për këtë çështje të titulluar “Si do të mbahet rendi dhe ligji në veri?”

Por, shqetësimi për banorët serbë në veri ‘u zëvendësua’ shpejt nga shqetësimi për partneritetin me Amerikën që dukej se po lëkundej paksa.

Shtyrjet e vizitave

Shtetet e Bashkuara të Amerikës qysh më herët kishin shprehur “zhgënjim e shqetësim” me mos-përfilljen e kërkesës së tyre për shtyrjen e afatit për targat. Por, këto kërkesa u bënë edhe më specifike pikërisht gjatë kësaj jave.

Ambasadori Hovenier e quajti atë kërkesë si “specifike e urgjente” derisa e shoqëronte atë për targat tashmë edhe me atë për Asociacionin.

“Nisja e negociatave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicës serbe... E përsëris se kjo tashmë është një nevojë urgjente,” – kishte thënë ambasadori amerikan.

Ndërkohë, gjatë ditës së mërkurë u bë i ditur një qëndrim i ShBA-ve për shtyrje të vizitave të zyrtarëve të ndryshëm qeveritarë.

Kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare, duke pasur parasysh krizën që duhet trajtuar. Ne këtë mesazh po ua përcjellim zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë,” – kishin thënë në një përgjigje nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

Plani franko-gjerman

Pas një heshtjeje të gjatë, mu këtë javë i patëm dy pushtetarë që folën për planin franko-gjerman. Ishte së pari kryeministri Albin Kurti e më pas edhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

Kurti e quajti planin “me bazë të shëndoshë” ndërsa Konjufca tha se “Kosova nuk e kishte luksin që ta refuzonte”.

Kryeministri shkoi më tej duke thënë se Serbia po e refuzonte planin, dhe se për ta maskuar këtë refuzim po i përshkallëzonte tensionet në veri të Kosovës.

“Unë e thashë shumë qartë se qëllimi i Beogradit nuk është për të mos e pranuar planin. Por, për ta maskuar refuzimin e planit. Ata e kanë refuzuar planin. Por, duan ta maskojnë refuzimin. Ata po i bëjnë këto drama për këtë çështje."tha z. Kurti mes tjerash në një konferencë për media gjatë kësaj jave.

Por, fatkeqësisht duket se faktorët ndërkombëtarë nuk janë të bindur në atë që po thotë kryeministri i Kosovës. Ambasadori gjerman në Kosovë e quajti “absurde” të rrezikoheshin konflikte të dhunshme “për targa”, ndërsa BE-ja për fjalët e Kurtit për refuzimin serb u shpreh se “nuk ishte në dijeni që z. Kurti ishte zëdhënës i Qeverisë së Serbisë”.

Kokëçarje tjetër

Këshilltari special i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, të enjten kishte folur në telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin. Deri këtu, asgjë e jashtëzakonshme! Por, në atë telefonatë zyrtari i lartë amerikan dhe presidenti serb kishin “folur keq” për Kosovën.

Ata kishin ndarë zhgënjimin për vendimin e Kosovës që të mos shtynte vendimin për targat.

Një gjë e tillë ishte veçanërisht e dhimbshme marrë parasysh se sa pro-amerikane është shoqëria kosovare.

“Mirë të flasësh me Presidentin Vuçiq. Ndamë zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit...”shkruante vetë Chollet.

Kurti në Paris

Kryeministri Kurti udhëtoi drejt Parisit dhe tha se “ndoshta” do ta takonte presidentin serb Vuçiq. Pa ndoshta hiç ai takoi presidentin e Francës Emmanuel Macron.

Kurti këtë takim e bëri në margjinat e Forumit të Paqes në Paris.

Lajme të ngjashme