Ish-kryetari i Kushtetueses pas Ohrit: Vuçiqi po tallet me ne, marrëveshja lëvizi shtyllat e shtetësisë - NACIONALE

Ish-kryetari i Kushtetueses pas Ohrit: Vuçiqi po tallet me ne, marrëveshja lëvizi shtyllat e shtetësisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pajtimi për zbatimin e aneksit të marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq më 18 mars në Ohër, ka nxitur reagime të shumta në vend e të cilat po vazhdojnë akoma.

Interpretime të ndryshme për nenet e marrëveshjes dhe për aneksin kemi parë ditëve të fundit. Tashmë një interpretim e ka bërë edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani.

Për Hasanin, Kosova në Ohër ka humbur, për serbët do të ketë autonomi territoriale dhe se modeli i mundshëm për Asociacionin, sipas tij mund të jetë modeli i Tirolit Jugor, ndërsa sipas tij, Vuçiq po tallet me ne.

Ai ishte i ftuar në T7 dhe tekstin më poshtë mund të lexoni disa nga deklarimet e tij për Marrëveshjen e Ohrit.

Marrëveshja Kurti-Vuçiq

Për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, marrëveshja e arritur mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, ka lëvizur shtyllat e shtetësisë së Kosovës.

Hasani ka thënë se tash në këto rrethana Kushtetuta është bërë e prekshme.

Kjo rrethanë, e bën që Kosova përfundimisht është fut në një proces që do ta bëj të prekshme Kushtetutën materiale që ka nis të krijohet në mënyrë graduale gjatë procesit të dialogut edhe më herët, por tash e bën të prekshme, pasi i ka lëvizë shtyllat bazike të shtetësisë së Kosovës.” – ka thënë ai në Pressing.

“Autonomi territoriale për serbët”

Hasani ka thënë se sipas aneksit të zbatimit të marrëveshjes, Kosova duhet të bëjë Asociacioni siç ishte nënshkruar me marrëveshjen e vitit 2013 dhe që kjo sipas tij, nënkupton autonomi territoriale ndaj serbëve.

Nëse marrëveshja thotë sic thotë, të gjitha palët dhe nuk ka rëndësi cilat nene pasi të gjitha duhet të zbatohen. Aty thotë se edhe të gjitha marrëveshjet duhet të implementohen. Kjo i bie se duhet ai i vitit 2013 të zbatohet, pasi nuk e njeh vendimin e Kushtetutës.” – ka thënë ai.

“Tiroli Jugor”

Ndërkaq për modelin e Asociacionit, Hasani ka thënë se ka mundësi që të bëhet shembulli i Tirolit Jugor.

Këtë gjë ai e ka bazuar duke thënë se diplomatët italianë kanë shtuar vizitat e tyre në Kosovë dhe Serbi dhe beson që ky model mund të jetë më i mundshmi për t'u zbatuar.

Italianët kanë shtuar vizitat në muajt e fundit. Tiroli Jugor mund të jetë modeli i Asociacionit. Edhe pse Italia ka edhe territore tjera brenda saj, por Tiroli Jugor është më i suksesshmi në Evropë, së bashku me Ishujt Aaland.” – ka thënë ai.

I ka të gjitha gjymtyrët. Ka legjislativin dhe të gjitha kompetencat tjera. Por vetëm atë kryesoren nuk e ka, që është pjesë e Italisë.” – ka shpejguar ai.

“Vuçiq po tallet me ne”

Më tej, Hasani ka folur edhe për pikën katër të marrëveshjes ku thotë se Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Ndërkaq për punën e OKB-së, Hasani ka thënë se askund nuk përmendet OKB-ja dhe se presidenti serb, po tallet me ne.

Anëtarësimi në OKB nuk përmendet askund, është fiktiv. Vuçiqi po tallet me neve kur e përmend. Po e zëmë se Serbia e njeh Kosovën, përsëri kjo nuk do të thotë se na garantohet anëtarësimi në OKB.” – ka thënë ai.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia janë pajtuar me planin e zbatimit të marrëveshjes e cila u arrit me 27 shkurt në Burksel.

Aktualisht deri më tani zbatimi i kësaj marrëveshje nuk ka filluar të bëhet teksa në deklarimet publike të palëve ishte thënë se marrëveshja do të fillojë së zbatuari “menjëherë”.

Lajme të ngjashme