Kurti krenohet me 'ofertën bujare' të vetëmenaxhimit që i bëri Vuçiqit, i jep pseudonimin e politikanit sovjetik - NACIONALE

Kurti krenohet me 'ofertën bujare' të vetëmenaxhimit që i bëri Vuçiqit, i jep pseudonimin e politikanit sovjetik

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas një takimi të gjatë në Ohër të shtunën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan për një aneks zbatues të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në deklarimin e pas takimit, kreu i Qeverisë së Kosovës akuzoi presidentin Vuçiq se po i shmanget nënshkrimit të marrëveshjes. Këtë qasje e krahasoi Kurti me pseudonimin “Z. Nyet”, që iu dha një diplomati dhe politikani sovjetik gjatë viteve 1940.

“Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes... tash edhe me aneks. I takon Bashkimit Evropian që ta gjejë mekanizmin për ta bërë statusin e kësaj marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.” – kishe thënë Kurti në Ohër.

Një reagim tjetër për qasjen refuzuese të presidentit serb mbi pranimin e marrëveshjes Kurti e bëri së fundi edhe në Twitter me një shkrim ironik dhe të çuditshëm. Aty Kurti e krahasoi Vuçiqin me Andrei Andreyevich Gromyko, një diplomat dhe politikan sovjetik.

“A është ai Dr. No apo Mr. Nyet?” – pyeti me ironi Kurti.

Pseudonimi "Z. Nyet" është një term rus i cili do të thotë "jo" dhe ishte shumë i përdorur nga Gromyko në mosmarrëveshjet e tij me politikanët dhe diplomatët e tjerë në arenën ndërkombëtare.

Gjatë viteve 1940, Gromyko fitoi pseudonimin "Z. Nyet" nga ekspertët perëndimorë për shkak të përdorimit të tij të shpeshtë të vetos sovjetike në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo ishte për shkak të mospajtimeve midis Bashkimit Sovjetik dhe vendit të tij rival, Shteteve të Bashkuara, dhe kjo situatë krijoi tensione midis dy blloqeve.

Gromyko nuk e pëlqeu këtë pseudonim dhe e konsideroi atë një përçudnim. Megjithatë, emri "Z. Nyet" u bë i njohur në mbarë botën. Mbetet për t’u parë nëse z.Vuçiq do t’i pëlqej krahasimi i bërë nga kryeministrit kosovar.

Në postimin e tij, kreu i Qeverisë së Kosovës tha se presidenti i Serbisë Vuçiq e kishte refuzuar një "propozim bujar" të tij për Asociacionin.

“Pasi refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e 27 shkurtit dhe para se të refuzonte përsëri të nënshkruante Aneksin e 18 marsit, presidenti i Serbisë kishte refuzuar ofertën time gjeneroze për vetëmenaxhimin e serbëve, në një asociacion që e kisha draftuar dhe propozuar. A është ai Dr. No apo Z. Nyet? Epo, e dimë që nuk është doktor,” – ka thënë z. Kurti.

Në anën tjetër, presidenti Vuçiq ka thënë se Serbia “nuk kishte përdorur asnjëherë hile” dhe se do të zbatonte atë që kishte thënë se do të zbatonte. Ai e quajti marrëveshjen ligjërisht të obligueshme pavarësisht që nuk e kishte nënshkruar.

“Ky është mesazhi im për krejt ata që kanë folur për këtë çështje. Për dallim prej të gjithë atyre, ne nuk kemi përdorur kurrë hile. Ajo çfarë kam thënë në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Serbisë, dhe asaj se çfarë kam thënë në Ohër, e në Bruksel dhe ajo çka i kam thënë pesëshes (së emisarëve ndërkombëtarë) në Beograd, e përsëris çdo ditë.” – ka deklaruar Vuçiq.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve “Reuters” që mbulon politikën e jashtme të NATO-s dhe BE-së, Andrw Gray, përmes një cicërime në Twitter, ka thënë se reagimet e presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti nuk duken të mira por ironitë mund të jenë një formë përafrimi mes dy liderëve.

Ai e ripostoi shkrimin e çuditshëm në Twitter të kryeministrit Albin Kurti ku tha se presidenti i Serbisë Vuçiq e kishte refuzuar një propozim të tij për Asociacionin.

Gray ka thënë se një ironi të ngjashme bëri edhe Vuçiqi duke thënë se një dhimbje në dorë ia pamundësoi nënshkrimin e dokumentit.

“Reagimet fillestare për marrëveshjen Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja nuk janë të mira. Presidenti i parë serb Vuçiq bëri shaka për një dhimbje në dorë që e bënte të paaftë të nënshkruante dokumente. Tani kemi kryeministrin e Kosovës Kurti që e quan Vuçiqin "Dr. No ose Mr. Nyet". Mund të jetë një mënyrë përafrimi.” – tha ai në Twitter.

Debati aktual është nëse marrëveshja e arritur është ligjërisht e obligueshme pa nënshkrim. Njohës të fushës kanë deklaruar se po, ashtu siç po thonë edhe shumë faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë përfshirë kryediplomatin e BE-së Josep Borrell dhe zyrtarë amerikanë si Gabriel Escobar. Në anën tjetër, duket se Qeveria e Kosovës vazhdon të ketë tjetër mendim.

Lajme të ngjashme