Lajçak zbulon të reja nga takimi i Ohrit: Ishim më ambiciozë, Asociacioni prioritet - NACIONALE

Lajçak zbulon të reja nga takimi i Ohrit: Ishim më ambiciozë, Asociacioni prioritet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, të parën pas takimit dhe marrëveshjes mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit, Aleksandar Vuçiq, ka treguar detaje të reja për marrëveshjen në Ohër.

Lajçak ka thënë se palët duhet t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes dhe se Kosova duhet të fillojë mënjëherë zbatimin e marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit.

Lajçak ka treguar se Bashkimi Evropian e kishte edhe një plan tjetër me ambiciozë por që palët nuk janë pajtuar për secilën pikë dhe se presidenti Vuçiq ka refuzuar për ta nënshkruar.

Nuk është sekret që ne, si lehtësues [të dialogut], kemi përgatitur fillimisht një aneks më të detajuar të zbatimit. Me një sekuencë hapash, me afate të qarta kohore, do të ishte më e lehtë të matej. Megjithatë, pas disa orësh negociata, palët kanë arritur të bien dakord për 12 nga 18 pikat. Ka qenë e pamundur të tejkalohen dallimet për gjashtë pikat e mbetura. Kemi provuar shumë, shumë mënyra për t’i kapërcyer ato dallime, por ka qenë e qartë se nuk do të funksionojnë. Dhe, për këtë arsye, kemi paraqitur një aneks të ri, i cili është më i përgjithshëm dhe më pak konkret. Por, dispozitat kryesore janë aty, sidomos fakti që palët do t’i zbatojnë të gjitha dispozitat e Marrëveshjes dhe Aneksit, në mënyrë të plotë dhe në mirëbesim.” – ka thënë ai.

Lajçak ka folur edhe për diskutimet që po bëhen për mos-nënshkrimin e marrëveshjes nga Serbia.

Çështja që është diskutuar shumë në diskursin publik, ka qenë çështja e nënshkrimit të Marrëveshjes. Këtu dua të them se preferenca jonë, si lehtësues të BE-së, ka qenë që dokumenti të nënshkruhet. Ky ka qenë propozimi ynë për palët. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e ka bërë mjaft të qartë se nuk është në pozicion për ta nënshkruar këtë dokument. Ai ka përmendur kufizimet kushtetuese. Ne kemi bërë përsëri disa propozime se si të trajtohet çështja, por ato janë refuzuar.

Në fund, kemi rënë dakord që ky dokument të formalizohet përmes njoftimit të Përfaqësuesit të Lartë [Josep Borrell] - gjë që ka ndodhur të shtunën. Kjo është plotësisht në përputhje me praktikën juridike ndërkombëtare. Pra, kjo do të thotë se ky dokument është i detyrueshëm, është zyrtar, është formal. Çdo spekulim se është apo jo i vlefshëm dhe i detyrueshëm, është i pakuptimtë.” – ka thënë ai, raporton REL.

Ai ka thënë çështja e zbatimit të Asociacionit është prioritet.

...Dua të them se deklarata që lidhet me Nenin 7 të Marrëveshjes, i referohet, thjesht, përkushtimit tonë afatgjatë për Kosovën, që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013 dhe 2015. Dhe, meqenëse kjo është një çështje kaq e gjatë, është e qartë se duhet trajtuar si çështje me prioritet... Kjo është arsyeja përse ne e dimë se të dyja palët do të duhet ta zbatojnë atë që është shkruar dhe që e kanë pranuar.” – ka thënë Lajçak.

Gjithashtu ai ka paralajmëruar së shpejti edhe një takim të kryenegociatorëve për të punuar për zbatimin e marrëveshjes.

Pjesë nga intervista:

Radio Evropa e Lirë: Pas takimit të së shtunës, në Kosovë ka një debat të nxehtë. A mund të na thoni për ngjashmëritë apo dallimet mes vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë?

Mirosllav Lajçak: Dua të jem i qartë, Neni 7 nuk përfshin zotime të reja për Kosovën. Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe. Përndryshe, kjo do të nënkuptonte Nenin 10, që thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, plus Nenin 7, pra aranzhime shtesë, që nuk do të kishte logjikë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, kjo nënkupton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë…

Mirosllav Lajçak: Po.

Radio Evropa e Lirë: Me po të njëjtin emër, ashtu siç palët ishin marrë vesh në marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015?

Mirosllav Lajçak: Unë nuk insistoj tek emri. Unë insistoj në atë që iu shërben të dyja palëve. Por, kjo është shumë e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet paraprake duhet të zbatohen plotësisht. Pra, ne nuk mund të zgjedhim marrëveshjen që na pëlqen; cilën ta zbatojmë e cilën ta injorojmë, sepse procesi serioz do të shndërrohej në tallje.

Lajme të ngjashme