Kurti flet për herë të parë pas Ohrit: "Vetëmenaxhimi është formulim", "topi është në anën e Serbisë" - NACIONALE

Kurti flet për herë të parë pas Ohrit: "Vetëmenaxhimi është formulim", "topi është në anën e Serbisë"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për herë të parë pas marrëveshjes së arritur me Serbinë më 18 mars në Ohër të Maqedonisë Veriore. Ai ka treguar për çështjen e “vetëmenaxhimit” e cila ka nxitur reagime në Kosovë si dhe ka treguar se në anën e kujt është “topi”.

Kurti para gazetarëve ka arsytuar duke thënë se “vetëmenaxhimi” është formulim dhe i përket Konvetës Kornizë për mbrojtjen e pakicave të Këshillit të Evropës.

Unë jam i vetmi në këto takimet e Brukselit që bëj propozime, pala tjetër nuk bën propozime, unë bëj propozime që refuzohen dhe në fund merremi vesh e pala tjetër nuk nënshkruan. Për të tjerat, me ndërmjetësit evropianë do të jemi në kontakt të vazhdueshëm, po ashtu me SHBA-të që i falënderojmë shumë dhe do të duhej që atë formulimin për vetëmenaxhimin e serbëve ta adresojmë te çështjet që na paskan mbetur pa u përmbushur dhe për ne bëhet fjalë për një formulim i cili i përket në mënyrë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës.” – ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, ai ka kërkuar marrëveshja do të duhej të niste zbatimin dje teksa ka kërkuar që BE-ja të dënojë Serbinë.

Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të fillonte qysh dje, për shkak se edhe plani i zbatimit thotë se ka një afat se kur duhet të fillojë marrëveshja së zbatuari. Edhe marrëveshja bazë edhe plani i zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për neve kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktori ndërkombëtar që ta dënojnë e gjykojnë sjelljen e Serbisë e cila kur mbahen takimet thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë se nuk zbatoj gjë.” – ka thënë Kurti të martën.

Gjithashtu, Kurti ka kërkuar kontributin e të gjitha palëve në Kosovë e edhe të mediave.

Topi është në anën e Serbisë, pse nuk po nënshkruan ajo”, duke shtuar se do të duhej të diskutohej “pse nuk po e nënshkruan Serbia marrëveshjen”, dhe jo diskutimi të bëhet se “kur do të themelohet Asociacioni”.

Andaj, është e rëndësishme që t’i qëndrojmë besnikë interesave shtetërore të popullit tonë, sepse ne kemi qenë kreativ” – ka thënë ai.

Marrëveshja në Ohër

Më 18 mars, Kurti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Ohër të Maqedonisë Veriore.

Në këtë takim që zgjati mbi 10 orë, Kurti dhe Vuçiq u pajtuan me planin e zbatimit të marrëveshjes që ishte arritur me 27 shkurt në Bruksel.

Më pranimin e aneksit të marrëveshje, Kurti pranoi krijimin e vetëmenaxhimit të komunitetit serb.

Në këtë aspekt ekziston një paragraf që flet për një nivel adekuat që flet për një nivel të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Dhe në këtë mënyrë ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta... duhet të mos harrojmë se propozimi i presidentit Ahtisaari iu ka krijuar mundësi që edhe t’i kërkojnë të drejtat edhe t’i realizojnë liritë e tyre...” – kishte thënë Kurti pas përfundimit të takimit me Vuçiqin.

Edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borell, menjëherë pas përfundimit të takimit Kurti-Vuçiq kishte thënë Kosova është pajtuar për krijimin e vetëmenaxhimit.

"Kosova është pajtuar të nisë menjëherë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të krijuar rregullime specifike dhe garanci në mënyrë që të sigurojë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë." - ka thënë ai.

Mbetet të shihet se kur do të fillojë së zbatuari marrëveshja.

Lajme të ngjashme