WSJ: Vendimi për ta larguar Trumpin nga “Air Force One” erdhi pas inteligjencës nga Izraeli
Izraeli i njoftoi Shtetet e Bashkuara për rrezikun për një operacion iranian për vrasjen e presidentit amerikan, gjë që e solli vendimin e Shërbimit Sekret të ShBA-së që ta merrnin Donald Trumpin nga aeroplani presidencial, “Air Force One”, dhe ta transferonin në një kamion për ta dërguar deri te një aeroplan ushtarak, përderisa ai po përgatitej të largohej nga Turqia muajin e kaluar, raporton gazeta “The Wall Street Journal”, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar amerikan.
Inteligjenca izraelite tregoi se Irani ishte duke bërë komplot për të përdorur raketa krahë – ajër për ta rrëzuar aeroplanin e Trumpit, sipas raportit të gazetës së njohur amerikane.
Ndihmës të lartë të Trumpit, përfshirë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, qëndruan në aeroplan pavarësisht rrezikut, tha ky zyrtar.
Muajin e kaluar, gazeta WSJ raportoi se inteligjenca izraelite kishte dhënë shenja se një komplot i ri ishte duke u zhvilluar për ta vrarë presidentin amerikan, por nuk kishte ofruar hollësi.
Dy zyrtarë amerikanë i thanë mediumit “Channel 12” në atë kohë se informatat lidheshin me dialogun e përgjithshëm mes zyrtarëve iranianë për vrasjen e mundshme të presidentit amerikan, e jo me ndonjë komplot specifik.