Kurti e Vuçiqi me hidropolitikë kundër Amerikës - NACIONALE

Kurti e Vuçiqi me hidropolitikë kundër Amerikës

42 minuta më parë

nga Col Mehmeti

Gjatë një mandati të plotë qeverisës, Albin Kurti me arrogancë të pashembullt e shkeli me thembër të këmbës njërën nga pikat më të hajrit të Marrëveshjes së Washingtonit. Ekspertët më të mirë amerikanë, në emër të Departamentit të Energjisë në ShBA, kishin përgatitur një studim fizibiliteti për liqenin e Ujmanit. Vizioni amerikan ishte që Kosova, duke e optimizuar përdorimin e kësaj pasurie ujore, të siguronte edhe pavarësi energjetike nga Serbia e rajoni. Ashtu sikurse e zhbëu projektin ‘Kosova e Re’, Kurti i zhubrosi edhe rekomandimet e vyera amerikane. Në vend të kësaj, ai parapëlqeu të bënte populistin. Fshatarët kënaqeshin me heroin sovranist që po e ‘çlironte’ Ujmanin. Me asete të shtetit u organizuan farsa ku militantët e Vetëvendosjes, nën përcjelljen e Policisë, laheshin e bënin plazh në Ujman. Po krijohej mashtrimi i madh ku sovraniteti barazohej me të drejtën për t’u zdeshur në brekë e për t’i rënë not liqenit nga një breg në tjetrin. Kësisoj, shkurtpamësia e populistëve i ekspozoi të gjitha dobësitë e vulnerabilitetet e Kosovës përballë Serbisë. Zaten, Vuçiqi tani ngre kërcënimin se mund t’ia ndryshojë rrjedhën lumit Ibër e ta lërë Ujmanin si djerrinë. Nëse Kosova do ta kishte pas Washingtonin, siç qe ujdia më 2020, vendi sot do të ishte më i sigurt edhe për furnizim me ujë, edhe për furnizim me rrymë.

Col Mehmeti

11 gusht 2026 – Nga 2023-a, liqeni i Ujmanit ka qenë pellgu jetik në të cilin kryeministri Albin Kurti ka peshkuar populizëm me okë.

Pjesa më e madhe e farsave janë zhvilluar në pjesën veriore të Kosovës, aty ku ekziston lëndë e parë për politikë votash.

Imazheria e regjimit të Kurtit përbëhej gjithnjë nga fotoshkrepje e incizime në ujërat e Ujmanit, herë mbi urat e tij e herë me patrullime të Policisë mespërmes liqenit të gjatë njëzet e ca kilometra.

Ashtu siç është vënë re qëparë se ekziston një harmoni e shoqishojshme mes Kurtit dhe Vuçiqit, ujërat e këtij liqeni kanë shërbyer për ekzbicionizma herë nga njëra palë e herë nga tjetra.

Për çdo 19 janar, serbë lokalë hidhen në ujërat e ftohta akull të liqenit në atë që njihet si tradita ortodokse për kryqin e epifanisë (bogojavljenski krst).

Ndonëse i pashpallur si aktivitet zyrtar, Vetëvendosja çdo verë, tash e tre vjet, organizon ture militantësh e mbështetësish të saj bjerrakohës për t’u çplodhur në brigjet e liqenit.

Lexo edhe: Sovraniteti me brekë

Propagandë ku edhe shteti bëhej aktor

Kamerat e propagandës kujdesoheshin që të tejçonin mesazhin triumfalist sikur Kurti e çliroi liqenin dhe zboi çetat kriminale të Radojiçiqit.

Prapa skenave të këtyre organizimeve të partisë fshihej një realitet gati grotesk.

Derisa militantët laheshin e rreziteshin, sipër ure rrinin njësi të shtuara të Policisë së Kosovës.

Resurset e shtetit shterëzoheshin deri në grimcat e fundit të fuqisë vetëm e vetëm që Kurti të naltohej si hero sovranist i vendit.

Kjo, në prapakthim, krijoi një ekzaltim popullor sa sovraniteti zuri të ndjesohej sikur është e drejta për t’u zdeshur në brekë e për t’i rënë shyt me not liqenit të ndaluar.

Doktrina ‘sovraniste’ krijonte kështu aso pamje qesharake ku njerëz të mashtruar e quanin akt patriotik që ta mbronin Kosovën me brekë të larjes.

Lexo edhe: Sovranitet pllaq-plluq

E vërteta e kërcënimit të Vuçiqit mbi Ujmanin

Paralajmërimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Ibrit mund t’i ndryshohet rrjedha u përjetua si një vetëtimë në qiell të kthjelltë.

Por nëse do të përcillej kronologjia e teatralizmave mbi veriun, skenari i paralajmëuar e gjen vendin e vet si një copëz në një mozaik më të madh.

Një ditë pas vizitës së presidentit ukrainas në Beograd Zelenskyy, Vuçiqi njoftoi se qeveria e tij ka ftuar ekspertë për të bërë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër brenda territorit të Serbisë.

Tashmë i kemi ftuar ekspertët që merren me të, domethënë sektorin e ndërtimit, inxhinierët dhe gjithë të tjerët. Kur ata (shqiptarët – v.j) po i ngacmojnë kaq shumë njerëzit tanë, le të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së ujit të Ibrit, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si të sillen”, theksoi kreu i shtetit serb.

Në Kosovë, deri më tani, nga mediat vetëm kolegët nga KOHA i kanë dhënë jeh për disa ditë radhazi këtij paralajmërimi.

Megjithatë, këto mbulime mediatike nuk i kanë dritësuar as për së afërmi rrënjët e vërteta të problemit.

Një paralajmërim si ky nuk është bërë sefte tani.

Atë e kishte nëpërdhëmbur Vuçiqi qysh në fillim të dhjetorit të vitit 2024, pak ditë pas sulmit terrorist në kanalin Ibër-Lepenc.

Në përpjekje për të absolvuar çfarëdo përgjegjësie të shtetit serb, ai pati thënë se Beogradit nuk i nevojiteshin sulme terroriste për t’ua prerë shqiptarëve furnizimet me ujë për shkak se këtë mund ta bënte me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit.

Me kaq, sipas tij, do të mjaftonte që të shterrej liqeni në Ujman.

Që prej 1985-s, ka pasur një ide që të ndryshohet rrjedha e Ibrit e ata do të ngeleshin pa Ujmanin. Dhe nuk do të kishte më liqe. Unë gjithnjë kam qenë kundër kësaj, se nuk dua që ta përdorim natyrën për politikë”, kishte thënë asobote Vuçiqi.

Koncepti i lumit transkufitar

Sapo ndërmendet një skenar i tillë, pyetjet e para që zërohen janë nëse ekziston gjasshmëri juridike për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit që do ta pakësonte gjer në skajet e fundme ujëmbledhësin e Ujmanit.

Me gjatësinë e tij bajagi të madhe prej 276 kilometrash, lumi Ibër gjarpëron në tre shtete.

Ai buron në shpatijet veriore të Hajlës, në Rozhajë, duke përshkuar kështu gjeografinë e anëve lindore të Malit të Zi, për të gjarpëruar nëpër Tutin (tani Serbi), tutje nëpër Zubin Potok e Mitrovicë, e pastaj për të lakadredhuar drejt pellgut ujëmbledhës të Moravës Perëndimore afër Kralevës.

Nga vendburimi e me zigzaget e tij, ai i takon bazenit të ujërave që derdhen në Detin e Zi.

Ndonëse nuk është i lundrueshëm, Ibri, së paku ai sektor i lumit që përshkon Kosovën, ka një prurje mesatare prej 33,2 m3/sek, kurse prurje maksimale 61,3 m3/sek gjatë muajve pranverorë (Fjalor enciklopedik shqiptar: H-M, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2008, fq. 970).

Si i tillë, Ibri tubëzohet te ata që quhen lumenj transkufitarë.

Përdorimi i ujërave të tyre, veçmas kur në ta janë të ngritur penda ujëgrumbulluese, rregullohet nga një përzierje e së drejtës zakonore ndërkombëtare, konventave globale, traktateve rajonale, ashtu sikundër edhe marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe.

Ç’thonë Konventat?

E vërteta është se hëpërhë nuk ka një kod të ngulitur që do ta diktonte veprimin për secilin lum; konventat e deritashme thjesht ravijëzojnë parime themelore të cilat do t’i përudhnin (udhëzonin) shtetet që mund të kenë përplasje për shfrytëzimin e ujërave ndërkufitare.

Kësodore, te Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Shfrytëzimit të Rrjedhave Ujore të Palundrueshme, e miratuar më 21 maj 1997, përcaktohen disa nga parimet qendrore.

Një prej tyre është ai për shfryëzimin e barabartë e të arsyeshëm të ujërrjedhave, ku secili shtet ka të drejtë t’i përdorë resurset brenda territorit të vet.

Tutje, konventa në fjalë e ngre si princip në nenin 7 “detyrimin që të mos shkaktohet dëm”.

Në dy pikat që pasojnë, Konventa shpjegon se shtetet ndërmarrin masat e nevojshme që të shmangin shkaktimin e dëmeve të ndjeshme për shtetet e tjera që varen nga ato ujërrjedha.

Neni 8 u përkujton shteteve detyrimin e përgjithshëm për të bashkëpunuar “në bazë të barazisë sovrane, integritetit territorial, përfitimit të ndërsjellë dhe mirëbesimit me qëllim që të mbërrihet një shfrytëzim optimal dhe mbrojtje e duhur e një ujërrjedhe ndërkombëtare” (pika 1).

Rregullat e Helsinkit

Në përpjekje për t’i dalë në krah Kosovës, në reagimin diplomatik të Tiranës zyrtare u përmend, mes të tjerash, edhe fakti që Serbia është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që nga viti 2010.

Si traktat ndërkomnbëtar i hartuar më 1992 në Helsinki, Konventa në fjalë përcakton rregulla për shtetet që bashkëndajnë lumenj, liqene ose troje ujore që kalakryqojnë kufijtë.

Edhe kjo Konventë vë theksin te detyrimet themelore, ku më kryesori është parandalimi, kontrollimi dhe pakësimi i impaktit ndërkufitar.

Kjo nënkupton edhe pakësimin e rrjedhave të ujit.

Konventa njashtu i mëshon parimit që palët nënshkruese kanë detyrimin për të bashkëpunuar në bazë të barazisë e reciprocitetit.

E injoruam Marrëveshjen e Trumpit

Përderisa konventat e sipërcituara përcaktojnë një vistër rregullash për një fesat potencial midis shteteve, mosmarrëveshja për ujërat e Ujmanit ngre plot pikëpyetje.

Përveç mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, të dy palët deri më sot nuk kanë asnjë rekord për sa i përket bashkëpunimit për të adresuar problemin e ujërave transkufitare.

Paradoksalisht, të dy shtetet ishin fare pranë që ujërat në brezin kufitar të ‘çarmatoseshin’ nga çfarëdo mundësie e politizimit.

Fjala është për Marrëveshjen e Washingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020, e cila llogariste në zotimin e palëve që “të përgatisnin, në bashkëpunim me Departamentin amerikan të Energjisë, një studim fizibiliteti për bashkëndarjen e liqenit të Gazivodës/Ujmanit, që është liqe artificial në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë”.

ShBA donte pavarësi energjetike për Kosovën përmes Ujmanit

Sadoqë Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë mbeti e pazbatuar në gjithsejtin e saj, përfitimet për Kosovën do të ishin tejet të mëdha.

Nëse do të vihej në jetë projekti për liqenin në fjalë, vetë Shtetet e Bashkuara do të ishin dalazotëse dhe kështu do ta pamundësonin cilindo shestim kërcënues të Serbisë.

Edhe më keq, sebep frymës tejet armiqësore që kultivoi Vetëvendosja dhe Albin Kurti kundër Shteteve të Bashkuara u harrua studimi që kreu Departamenti Amerikan i Energjisë.

Ai iu ishte dorëzuar qeverive në Prishtinë e Beograd në korrik të 2021-s, dhe thelbi i tij përmblidhej nga rekomandimi që palët të përmirësonin bashkëpunimin duke ndjekur modele si Traktati për Lumin Columbia mes ShBA-së dhe Kanadsë.

Me titullin “Mundësitë e Burimit Ujor në Liqenin e Gazivodës/Ujmanit”, studimi 29-faqësh stivonte rekomandime teknike për të dyja palët, të tilla si përmirësimi i infrastrukturës ujore; zbatimi i sistemit SCADA në hidrocentralin e liqenit; krijimi i një komisioni lumor; dhe përmirësimi i parashikueshmërisë së furnizimit me ujë.

Injorimi i këshillave të ekspertëve amerikanë

Për këtë raport qenë angazhuar ekspertë nga Laboratori Kombëtar i Paqësorit Veriperëndimor (PNNL), dhe një nga gjetjet e tyre ishte se Kosova ishte pothuajse e varur plotësisht nga sistemi kompleks ujor i Ujmanit për t’i përmbushur nevojat e saj të brendshme në industri, bujqësi dhe energji.

Departamenti amerikan i Energjisë, i udhëhequr nga vizioni që Kosova të siguronte pavarësi energjetike, theksonte në këtë studim se pasiguria rajonale e ujit ndikonte në vetë pasigurinë energjetike.

Sipas raportit, “më shumë se 97 për qind e prodhimit të rrymës në Kosovë mbështetet te marrja e ujit nga Liqeni i Gazivodës/Ujmanit, përfshirë më shumë se 95 për qind të prodhimit të rrymës që bëhet nga termocentralet me thëngjill që varen nga uji për ftohje prej kanalit të liqenit dhe 1-2 për qind që prodhohet nga hidrocentrali te penda. Kësisoj, termocentralet e thëngjillit mbështeten nga operimi i duhur i kanalit, për shkak se prurjet e tij vijnë nga nyje kyçe ku kanali çon ujin në Prishtinë dhe Drenas”.

Sot, teksti dhe boja e Marrëveshjes së Washingtonit ngjajnë sikur të jenë zverdhur nga harresa dhe mosdëshira e palëve për t’i vënë në jetë zotimet e marra.

Sikur të ndiqeshin gjetjet e studimit të Departamentit amerikan të Energjisë, Kosova, përveçse do të sprapste cilindo shestim serb, do t’ia shihte hajrin edhe stabilizimit të energjisë dhe shfrytëzimit modern të burimeve ujore.

Historia e një pende që krijoi liqe

Ideja për ndërtimin e një ujëmbledhësi në luginën e Ibrit ishte hedhur qysh në fundvitet ’60.

Pas kërkimeve të shumta, si vende më të përshtatshme për ndërtimin e këtyre akumulimeve ose baseneve të ujit, janë caktuar këto: në sistemin e Ibrit akumulimi do të bëhet në Gazivodë, kurse në sistemin e Lepencit në Firajë dhe Shtimje. Në basenin e Gazivodës do të akumulohen 370 milion m3 ujë”, shkruhej në një nga numrat e revistës ‘Përparimi’ më 1972.

Punimet për t’i bërë zap ujërat e Ibrit filluan qysh në vitin 1973 fillimisht, siç e thotë një burim i kohës, me ndërtimin e një pende të lartë 107 metra në pjesën e poshtme të luginës së lumit.

Përveç Ibrit, ujëmbledhësi i sapokrijuar merrte me vete edhe dhjetëra rrjedha e përrenj nga malet e Mokrës dhe Rogoznës.

Me një vëllim të ujit prej 390,000,000 m3 (Kosova në vështrim enciklopedik, Botimet Toena, 1999, fq. 34), liqeni qysh asokohe u përdor për të vaditur tokat buqjësore në rrafshin e Kosovës, ashtu sikurse edhe për të prodhuar rrymë nga hidrocentrali i ngritur te penda.

Uji nga ky liqe u përdor edhe për ftohjen e instalimeve të termocentralit në Kastriot.

Për shkak të rritjes së vijueshme të popullsisë dhe në rrethanat e resurseve të pakta ujore në Rrafshin e Kosovës, uji nga liqeni i Uhjmanit u bë jetik.

Në mesin e viteve ’90 kur për shkak të thatësisë liqeni në Badoc gati kishte shterruar, furnizimi nga Ujmani e kishte shmangur më të keqen. /Nacionale/

Lajme të ngjashme