Rumania i shkatërron dronët që po lëviznin afër projektit të gazit në Detin e Zi - NACIONALE

Rumania i shkatërron dronët që po lëviznin afër projektit të gazit në Detin e Zi

2 javë më parë

nga NACIONALE

Zhytësit e ushtrisë rumune shkatërruan dy dronë të tipit “Gerbera” që po lëviznin në zonën ekonomike ekskluzive të këtij shteti afër projektit të gazit “Neptun Deep”, tha të martën ministri i Mbrojtjes, Radu Miruta.

Rumania, anëtare e NATO-s, ka kufi tokësor prej 614 kilometrash me Ukrainën dhe dronët rusë disa herë ia kanë shkelur hapësirën ajrore në katër vitet e fundit. Është ballafaquar edhe me mina detare në Detin e Zi, në rrugë kyçe tregtare e energjetike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në korrik, pilotët e aeroplanit luftarak F-16 të forcës ajrore rumune rrëzuan tre dronë rusë që e kishin shkelur hapësirën ajrore rumune për tri ditë rresht.

Të martën, një barkë civile që po punonte afër projektit të gazit “Neptun Deep” i vërejti dronët, tha ministri Miruta. Ai nuk e saktësoi prejardhjen e dronëve, por shtoi se Ukraina kishte konfirmuar se ata nuk u përkisnin forcave të saj.

“Për sigurinë e rrugës së transportit dhe për punimet që janë duke u kryer përreth platformës, u mor vendimi për të kryer një shkatërrim të kontrolluar përmes detonimit” – tha Miruta.

“Ministria e Mbrojtjes i kontaktoi partnerët ukrainas, të cilët konfirmuan se sistemet nuk u përkasin atyre” – shtoi ai.

Vendet e NATO-s, Rumania, Bullgaria dhe Turqia, të cilat e ndajnë Detin e Zi bashkë me Gjeorgjinë, Rusinë dhe Ukrainën, kanë neutralizuar më shumë se 150 mina në rrugët jetike tregtare.

Në korrik, këto tri shtete u pajtuan që të zgjerojnë një task-forcë të përbashkët që i largon minat në Detin e Zi, për t’i përfshirë edhe misionet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Të tria këto vende kanë projekte për eksplorimin ose prodhimin e gazit në Detin e Zi.

Lajme të ngjashme