Katër të vrarë nga sulmi në Detin e Kuq, raportohet për sulm edhe në Gjirin Persik
Katër anëtarë të ekuipazhit u vranë gjatë një sulmi nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani ndaj një anije të vogël të mallrave në Ngushticën Bab el-Mandeb të martën, tha Ministria e Transportit e Jemenit, ndërsa disa burime raportuan për një sulm raketor ndaj një anijeje me kontejnerë afër Pakistanit. Dyshohet se ky sulm u krye nga forcat amerikane.
Viktimat në anijen “Tihamah” në pronësi të Egjiptit, nëse konfirmohen, do t’i shënonin vdekjet e para nga një sulm i rebelëve Houthi ndaj transportit detar që nga fillimi i luftës së Iranit më 28 shkurt. Rebelët Houthi nuk e kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministria jemenase tha se tre pakistanezë dhe një indonezian u vranë, duke shtuar se ekuipazhi e humbi kontrollin e anijes pas sulmit.
Tre pjesëtarë të personelit të rojës bregdetare u lënduan, pasi u vunë në shënjestër nga një dron gjatë kohës që po mundoheshin ta shpëtonin ekuipazhinm thanë burimet ushtarake jemenase. Më 20 korrik, rebelët Houthi shpallën embargo detare kundër Arabisë Saudite në Detin e Kuq si kundërpërgjigje ndaj atij që e përshkruan si rrethim saudit. Riadi mohon se Jemeni është nën rrethim.
Anija u godit nga një predhë e panjohur, sipas një raporti të pranuar nga agjencia e lidhur me forcat detare britanike, Operacionet Tregdtare Detare (UKMTO).
Grupi britanik për sigurinë detare, “Ambrey”, tha se incidenti ndodhi gjatë kohës kur anija ishte e ankoruar në verilindje të Ishullit Perim të Jemenit.
Në rastin tjetër, anija me flamur të Panamasë, “Vela Nova”, u godit nga një raketë nga një sulm afër Pakistanit, përderisa ishte duke lundruar drejt Gjirit të Omanit, i thanë agjencisë “Reuters” disa burime të sigurisë detare.