“Vetëmenaxhimi” i Planit të BE-së, a mund ta shfuqizojë “vetëqeverisjen” e marrëveshjes së 2015-ës? - NACIONALE

“Vetëmenaxhimi” i Planit të BE-së, a mund ta shfuqizojë “vetëqeverisjen” e marrëveshjes së 2015-ës?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës po lavdërohet se me Planin e BE-së ka shmangur termin “vetëqeverisje” për serbët lokalë, i cili përmendet në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015. Përfaqësuesit e qeverisë pretendojnë se me nenin 7 të Planit të BE-së, ku përmendet “vetëmenaxhimi”, e kanë shmangur termin “vetëqeverisje”. I të njëjtit mendim është edhe Marc Weller, këshilltar i qeverisë për dialog me Serbinë.

Por, këto pretendimet i ka hedhur poshtë profesori i të Drejtës Ndërkombëtare. Besfort Rrecaj.

Ai ka bërë me dije se zëvendësimi i këtyre termeve nuk mund të bëhet pa u cekur shprehimisht në marrëveshje.

Në llogarinë e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në të drejtën ndërkombëtare një traktat i mëvonshëm me objekt të njëjtë nuk e shfuqizon atë të mëhershmin, por vetëm e plotëson atë.

Sipas tij, nenet e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 mund të shfuqizohen vetëm nëse në Planin e BE-së thuhet shprehimisht një gjë e tillë.

Këtu dua t'ia tërheqja vëmendjen qeverisë dhe z. Ëeller në lidhje me interpretimin e traktateve të njëpasnjëshme si në rastin konkret që përfshinë marrëveshjet e vitit 2013, 2015 dhe kjo e tanishme sipas planit të BE-së. Në dy rastet e para është përmendur vetëqeverisja, ndërsa në rastin e fundit vetëmenaxhimi. Në tekniken e pranueshme të interpretimit e cila përdoret nga Gjykatat Ndërkombëtare supozohet se një traktat i mëvonshëm me objekt të njëjtë nuk e shfuqizon atë të mëhershmin, por e plotëson atë. Traktati i mëhershëm, apo një dispozitë konkrete e një traktati të mëhershëm, mund të shfuqizohet në mënyrë shprehimore ose nëse në një mënyrë tjetër mund të konstatohet së palët kanë vendosur që përmes traktatit të mëvonshem kanë synuar që të zhvleftësojnë traktatin paraprak ose një dispozite përkatese të atij traktati me objekt të njëjtë trajtimi”, ka shkruar Rrecaj.

Sipas tij, Plani i BE-së nuk e përmend fare këtë çështje.

Ne rastin konkret nuk po duket të jetë as rasti i parë dhe as i dyti. Kjo nëse i referohemi ekzistimit eventual të një konsensusi të përbashket të palëve i cili nuk po duket të jetë ekzistent me marrëveshjen e fundit. Kjo nuk shihet as nga deklaratat e përfaqësuesve të BE-së si ndërmjetësues në dialog. Në këto rrethana pra vlen supozimi se marrëveshja e fundit e plotëson ato paraprake. Ndërsa me qasjen e re në dialog duket që në lojë janë futur edhe elementet e vetëqeverisjes edhe ato të vetemenaxhimit duke e komplikuar edhe më shumë situatën. Andaj, e ftoj qeverinë që mos të komplikoje edhe më shumë situatën e komplikuar por të jetë proaktive në dizajnimin e një statuti të AKS në ne pajtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Rrecaj.

I ka ftuar Qeverinë që të ketë kujdes në këtë drejtim.

Sidoqoftë, ky është një interpretim i pastër ligjore ndërsa shpresoj që z. Ëeller din diçka me shumë se si do të zbatohen në të ardhmen këto marrëveshje për çka jam pak skeptik duke marrë parasysh standardet e pranuara ndërkombëtare të interpretimit. Megjithatë, fuqia dhe politika nganjëherë mund t'i japin një kahje apo kahje tjetër një vullneti të dakorduar”, ka vlerësuar Rrecaj.

Çka tha Weller?

Profesori i Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Cambridgeit, Marc Weller, i cili është edhe këshilltar i Qeverisë në dialogun e Brukselit, ka lavdëruar Planin e BE-së. Ai ka thënë se për Kosovën është mirë që në këtë dokument nuk përmendet fjala Asociacion.

Në një opinion për Kohën, ai ka vlerësuar se kjo ia mundëson Kosovës që ta tregon vizionin e saj për Marrëveshjen e2013-ës.

Nuk e përmend fare termin Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe, madje me asnjë fjalë. Tash kjo pasqyrohet formalisht në ndryshimin në nenin 7 nga ‘vetëqeverisje’ thjesht në ‘vetëmenaxhim’. Për më tepër, neni 7 e bën shprehimisht të qartë se mandati i mekanizmit për bashkëpunimin përqendrohet te koordinimi i ofrimit të shërbimeve nga komunat. Nuk është trup me mandat më të gjerë politik”, ka shkruar Weller.

Sipas tij, Kosova është dashur që ta zbatonte sipas vizionit të vetë marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo që Kosova është dashur të bënte vetë pas 2015-s – është ta zbatonte Asociacionin/Bashkësinë sipas vizionit të vet dhe në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ashtu që të shmangte dimensionin shumë të theksuar territorial —që tash ka ardhur në qendër të një procesi ndërkombëtar ku shumëçka është në lojë”, ka shkruar Weller.

Përplasja e Kurtit dhe Gashin

Për këta terma në Kuvend ishin përplasur edhe kryeministri Albin Kurti dhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gjatë debatit parlamentar, Kurti kishe mohuar se bëhet fjale për vetëqeverisje.

Nuk është territorial neni 7 thotë serbët janë komunitet e shpjegova edhe më herët se flitet për individ me të drejta të caktuara edhe sipas përkatësisë, komunitet që ka backgraund entik por nuk është territorial kjo autonomi vendore fjalët po të ishin në nenin shtatë vetëqeverisje, apo vetë administrim do të ishte tjetër situatë, kur thua vetëm serbët janë komunitet dhe thua vetëmenaxhim është tjetër situatë. Ekziston shprehja vetëmenaxhim dhe ekziston shprehja komuniteti serb që kemi ne në Kushtetutë dhe referenca në Këshillin e Evropës”, kishte thënë Kurti.

Kurse, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, kishte thënë se edhe vetëmenaxhimi është vetëqeverisje.

Neni 7 po e referohet Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Minoritetit 1995. Ku ekziston kjo referencë në këtë nen? I vetmi instrument i nxjerrë nga Këshilli i Evropës që merret me vetemenaxhim dhe vetëqeverisjen është Karta e Evropiane. Në asnjë nen Konventa Kornizë për Mbrojtën e Minoritetit nuk merret me menaxhimin. Çka quajmë vetemenaxhim z. Kryeministër? Ti e di mirë çka po të them, ti e di mirë se çka jam duke folur. Çka qojmë vetemenaxhim, a është organizim? Ai organizim qysh rregullohet? Qysh funksionon? Si njihet ai organizim? A quhet qeverisje? Çdo organizim institucional quhet qeverisje, në sistemin tonë qeverisje lokale, ose qeverisje qendrore, ose edhe OJQ. Vetëmenaxhimi nuk është OJQ. Këtu nuk është OJQ. Këtu është organizim institucional i vetëqeverisjes. Prandaj z. kryeministër mos abuzoni me foltoren”, kishte thënë Gashi.

Këto dilema pritet të qartësohen në takimin e nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të mbahet me 18 mars në Ohër. Këtu të dy shtetet pritet të nënshkruajnë aneksin për zbatimin e Planit të BE-së.

Lajme të ngjashme