Pse s'po e mbrojnë Kurtin? GUXO futet në një heshtje të habitshme për Marrëveshjen e Ohrit - NACIONALE

Pse s'po e mbrojnë Kurtin? GUXO futet në një heshtje të habitshme për Marrëveshjen e Ohrit

1 vit më parë

nga NACIONALE

I madh e i vogël reaguan pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit të arritur më 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nuk pati guxim për reagim nga partia e quajtur “Guxo” deri më tash. Pse e gjithë kjo është e përçudshme?

Dikush mund të thotë – bazuar në sondazhe – se partia Guxo nuk hyn te “i madh e i vogël” pasi janë shumë shumë të vogël. Por, megjithatë nga pushteti që kanë në Qeverinë Kurti ata janë goxha goxha të mëdhenj.

"Nuk mund ta komentojmë Aneksin e Zbatimit pa u publikuar në mënyrë zyrtare." - mund të thoshte kjo parti nëse propozimi nuk do të ishte publikuar. Por, nuk mund ta thotë një gjë të tillë. Heshtja e tyre vazhdon për një çështje që mund t'i përcaktojë fatin vendit tonë për vitet apo edhe dekadat e ardhshme.

Vjosa Osmani

Kjo bëhet edhe më e çuditshme nëse e shohim mënyrën se si ka reaguar presidentja e vendit Vjosa Osmani në një deklaratë për gazetën Nacionale.

Osmani nuk e dha asnjë deklaratë të vetme për përmbajtjen e Aneksit të Zbatimit që ishte publikuar nga Bashkimi Evropian dhe ishte i qasshëm për t’u parë nga secili.

“Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet.” – thuhej në deklaratë.

Në fakt, bazuar në pikën e fundit të Aneksit mund të kuptohej se Kosova do të gjykohej ndaras nga Serbia nëse dështonte të zbatonte Propozimin Evropian apo Aneksin e tij. Por, presidentja nuk u mor fare me këtë çështje, ndoshta duke lënë të kuptohej se mund të ishte kundër? Ende herët për ta thënë një gjë të tillë.

Donika Gërvalla

Kryediplomatja e Kosovës dhe bashkëkryetarja e Guxo-s nuk u pa fare në Ohër në atë që u quajt herë-herë edhe si “Dita D”. Arsyeja nuk dihet.

Sidoqoftë, ajo ka qenë munguese në debatin pas marrëveshjes duke mos e folur asnjë fjalë të vetme.

Prej datës 12 mars, Gërvalla nuk kishte postuar asgjë në Twitter – platformë të cilës ia detyron një pjesë të famës për shkak të huqjeve të bëra në të kaluarën – deri më 20 mars. Aty ajo lajmërohej nga... Portugalia.

Sërish, asnjë fjalë nga shefja e diplomacisë kosovare për një çështje kaq të rëndësishme.

Faton Peci

As Peci nuk është marrë me Ohrin, ani pse përveç ministër i Bujqësisë është edhe bashkëkryetar i Guxos. Ai ka marrë një iniciativë – të drejtë dorën në zemër – për ta zbatuar Ligjin Kundër Duhanit, dhe është marrë efektivisht me një çështje të tillë në ditët kritike.

Ashtu si Gërvalla, edhe ai ishte në Zvicër në një aktivitet të partisë Guxo ku me sa dukej të do të hapej një degë.

Haxhi Avdyli

Deputeti Haxhi Avdyli nuk mbrojti qëndrimet e Kurtit në mënyrë pasionante siç bën zakonisht. Ai ka postuar aktivitete të ministrit Peci kundër Duhanit, dhe ngjarjen në Zvicër me bashkëpartiakë.

Jeta Statovci

E njëjta gjë edhe për deputeten Jeta Statovci.

Blerim Gashani

E njëjta gjë edhe për zv. ministrin Blerim Gashani.

Prindon Sadriu

Asnjë fjalë nga Zotëriu i Parë i Kosovës.

*Shënim: Presidentja Vjosa Osmani nuk është pjesë e partisë Guxo, por megjithatë vlen të theksohet që kjo parti është themeluar dhe drejtohet nga bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë që vazhdojnë ende të thirren në emrin e saj. Dikur një propozim për emrin e kësaj partie kishte qenë edhe “Lista/Partia Vjosa”.

Lajme të ngjashme