Frikë nga irritimi: Udhëheqësit e NATO-s pajtohen që të mos ia përmendin Trumpit Kupën e Botës
Udhëheqësit e NATO-s në mënyrë joformale janë pajtuar që të mos ia përmendin Kupën e Botës në futboll presidentit amerikan, Donald Trump, nga frika se do të irritohet në një kohë jetike për aleancën ushtarake.
Zyrtarët thanë se udhëheqësit evropianë kishin diskutuar në margjina të samitit të NATO-s në Ankara se si ta mbajnë Trumpin në anën e tyre në kohën e shqetësimeve se ai mund ta destabilizojë më tej aleancën me kërcënime për shkak të shpenzimeve në mbrojtje, raporton gazeta “The Guardian”.
Kryeministri belg, Bart De Wever, tha para gazetarëve në Ankara se ai nuk do ta diskutojë fitoren e vendit të tij me rezultat 4 me 1 kundër Shteteve të Bashkuara në Kupën e Botës më herët këtë javë.
Samiti i NATO-s u mbajt pak ditë pas një debati të nxitur nga kërkesa e Trumpit për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për t’ia shfuqizuar ndalimin e të drejtës për lojë sulmuesit amerikan, Folarin Balogun, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq, duke nënkuptuar se ai do të kishte të drejtë loje kundër Belgjikës.
Para se ta takonte Trumpin në samit, kryeministri belg u tall para gazetarëve, duke thënë se presidenti amerikan “ka reputacion që nganjëherë reagon paksa me irritim ndaj gjërave që nuk i pëlqejnë dhe mendoj se kjo humbje [në futboll] do të godasë fort”.
Sipas tij, fitorja e Belgjikës në futboll kundër Shteteve të Bashkuara kishte mbizotëruar në diskutimet e tij të hershme në Ankara. “Të gjithë po flasin për një gjë dhe ato janë urimet për fitoren e merituar të Djajve të Kuq” – tha ai, duke iu referuar kombëtares belge të futbollit.
“Natyrisht, edhe pala humbëse është e pranishme [në samit]. Ndodhi që është partneri më i madh në NATO” – shtoi kryeministri belg.
Kur u pyet nëse është i brengosur që Trumpi mund të zemërohet që ShBA-ja është eliminuar nga Kupa e Botës, ai tha: “Nuk do të filloj [të flas] për këtë vetë, por nëse ai thotë diçka për këtë, atëherë do të shohë se çfarë është ajo dhe si mund të reagoj ndaj saj.”/Nacionale