Intervistë | Zëdhënësja e EULEX-it: Situata në veri shumë shqetësuese, barrikadat të hiqen menjëherë - NACIONALE

Intervistë | Zëdhënësja e EULEX-it: Situata në veri shumë shqetësuese, barrikadat të hiqen menjëherë

1 vit më parë

nga Eriola Cacaj

Njësitet e EULEX-it gjendet tash e disa ditë në veriun e Kosovës, duke vëzhguar situatën së bashku me Policinë e Kosovës, pas tensioneve të fundit, të cilat po vazhdojnë ende. Natyrisht, për shkak të situatës së rënduar të sigurisë, ku për pasojë cak i sulmit u bë edhe një veturë e EULEX-it, misioni i BE-së e ka shtuar numrin e pjesëtarëve në veri.

Në një intervistë për Gazetën Nacionale, zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachana, ka treguar se tash në patrullim janë vendosur edhe zyrtarë të cilët qëndrojnë në këmbë, si dhe është angazhuar edhe njësia rezervë që përbëhet nga 24 policë/ karabinierë italianë dhe 5 gjandarë lituanez.

Gjatë intervistës, Lachana ka njoftuar se janë duke e monitoruar rastin e të arrestuarit Dejan Pantiq, ish-policit kosovar që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrocicë të Veriut. Sipas zëdhënëses, EULEX po monitoron trajtimin që autoritetet e Kosovës po i bëjnë ish-policit Pantiq.

Tutje, zëdhënësja e EULEX-it ka bërë të ditur se vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës ka qenë mjaft i mirëpritur.

Por, Lachana ka ritheksuar një qëndrim të kahmotshëm të EULEX-it, se zgjidhja e vetme për momentin për Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë është “rikthimi në dialog”.

Intervista

Si e vlerësoni situatën në veri të Kosovës?

Situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë shqetësuese dhe e tensionuar. Siç e dini ditëve të kaluara ne ishim dëshmitarë të një sërë sulmesh. Sulm ndaj Policia e Kosovës, sulme mbi patrulla vëzhguese të EULEX-it dhe sulme ndaj gazetarëve. Në pjesën veriore të Kosovës ne jemi dëshmitarë të grupeve të armatosura, të individëve të armatosur por edhe të maskuar. Dhuna duhet të ndërpritet. Prishja e rendit publik duhet të ndërpritet, kjo është e papranueshme. Ne po ashtu pamë edhe vënien e barrikadave, por edhe siç u bë e qartë edhe nga Përfaqësuesi i Lartë, zotëri Borrell, barrikadat duhet të hiqen menjëherë.

Sulmet me bomba të shokut kohëve të fundit kanë qenë mjaft të shpeshta, ku cak i sulmit ishte edhe një njësi e juaja, pra e EULEX-it. A keni marrë masa shtesë të sigurisë?

EULEX punon më masa të sigurisë gjatë ter kohës. Tani meqë të gjitha dritat janë në drejtim të Veriut të Kosovës, është bërë e ditur se ne kryejmë patrullime të vëzhgimit. Megjithatë, ne kemi kryer patrullime të vazhdimit për një kohë të gjatë tani. Ajo çfarë ka ndryshuar tani është se ne e kemi ngritur në masë të konsiderueshme numrin e tyre. Tani ne po ashtu kemi filluar të zbatojmë edhe patrullime me këmbë në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan. Për të na mundësuar këtë në po ashtu kemi angazhuar edhe njësi rezervë të Policisë së Specializuar.

Njësia rezervë përbëhet nga 24 policë, karabinierë italianë dhe 5 gjandarë lituanez. Pra, kjo njësi rezervë e Policisë së Specializuar është duke e ndihmuar njësinë tonë të Policisë së Specializuar e cila është e përbërë nga 105 zyrtarë policorë polakë. Ata janë duke monitoruar në vazhdimësi situatën e sigurisë atje në bashkërendim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Ngritja e pranisë së EULEX-it atje kontribuon për sigurinë e terë popullit të Kosovës duke përfshirë të gjitha komunitetet që jetojnë aty.

Policia e Kosovës thotë se prapa barrikadave qëndrojnë “grupe kriminale”. Cili është vlerësimi juaj?

Prapa barrikadave qëndrojnë grupe të ndryshme të njerëzve, qëndrojnë edhe persona që jetojnë atje. Por ndryshimi që e kemi parë krahasuar me një javë apo dy javë më parë është prania e personave të armatosur që enden rrugëve nëpër pjesët e Mitrovicës Veriore.

Gjatë ditës së 13 dhjetorit, pjesëtarët e EULEX morën ilaçet për të arrestuarin Dejan Pantiq. A jeni informuar për gjendjen e tij shëndetësore nga Policia e Kosovës?

Gjatë ditës së 13 dhjetorit EULEX-i e ka fasilituar transportimin e medikamenteve për zotëri Pantiq. Ne i kemi dorëzuar medikamentet tek komandanti i policisë në Leposaviq. Rreth këtij rasti jemi në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, me Prokurorinë Speciale të Kosovës, me avokatin e zotëri Pantiq, dhe në kuadër të mandatit që kemi ne jemi po ashtu duke monitoruar se si është duke u trajtuar ky rast nga autoritetet e Kosovës.

A ishte vendim i drejtë shtyrja e zgjedhjeve në veri?

Pra, siç u theksua nga vendet e QUINT-it dhe BE-ja, ky vendim ka qenë vendim konstruktiv. Zgjedhjet janë festiv i demokracisë. Të gjitha kushtet duhet të ekzistojnë për mbajtjen e zgjedhjeve. Në këtë kohë situata e sigurisë për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në pjesën Veriore të Kosovës ka qenë shumë shumë e tensionuar. Andaj vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve ka qenë mjaft i mirëpritur.

Si e vlerësoni largimin e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës?

Pra, vendimi për integrimin e zyrtarëve policor serbë të Kosovës, prokurorëve serbë të Kosovës, gjyqtarëve serbë të Kosovës dhe stafit administrativ serb të Kosovës, ka qenë një vendim që ishte duke funksionuar mirë. Nuk po them që çdo gjë ka qenë perfekt, por ai vendim ka prodhuar vendime, qoftë në sistemin e drejtësisë, ashtu edhe në sistemin e policisë.

Vendimi për dorëheqje të serbëve të Kosovës prej institucioneve të Kosovës, ka qenë një vendim që na kthy hapa më përpara. Ata i takojnë sistemit të Kosovës, siç dihet Policia në këtë rast duhet të jetë pasqyrim i popullit të vendit, po ashtu edhe në sistemin e drejtësisë. Ajo çfarë na mbetet për të bërë është që sërish ta ndërtojmë besimin, të shtensionojmë situatën, të kthejmë qetësinë dhe të kthehemi në dialog. Dialogu është rruga e vetme për normalizimin e raporteve.

A mendoni që do të ketë vështirësi për rikthimin në dialog pas situatës në Veri të Kosovës?

Kjo nuk më takon mua që ta them. Por ne këtu e kemi zotëri Lajçak, siç ka thënë ai është mirë që situata të kthehet në normalitet dhe të largohen tensionet dhe barrikadat të hiqen me dialog.

Cila është thirrja e EULEX-it për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për Qeverinë e Serbisë?

Pra porosia ime është dialogu, pasi që dialogu është zgjidhja e vetme për normalizimin e raporteve. Koha është që të shtensionohet situata dhe të rikthehet qetësia. Është në interes të popullatës që jeton atje pavarësisht përkatësisë etnike.

Lajme të ngjashme