Qe qysh gënjeu publikisht mbrëmë ministrja Gërvalla Schwarz
Shefen e diplomacisë kosovare, Donika Gërvallën, jemi mësuar ta shohim duke bërë huqje të ndryshme. Por, dje bëri diçka shumë më serioze e të rëndë se sa një huqje. Diçka që mund të ketë edhe pasoja ligjore. Për çka bëhet fjalë?
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës zgjodhi mbrëmë një gazetar miqësor me partinë në pushtet për të bërë intervistën e saj të radhës. Por, përkundër kësaj, ministrja Gërvalla fare në fund të kësaj interviste bëri një ‘rrëshqitje’ shqetësuese por edhe serioze: gënjeu publikisht.
Për çfarë bëhet fjalë?
Gërvalla u përpoq ta ndërtonte rrëfimin e saj se ndaj diplomatëve të shkarkuar prej saj nuk kishte pasur sjellje arbitrare. U përpoq të thoshte se nuk kishte pasur asnjë vendim gjykate që gjente shkelje në ato vendime. Gjë që nuk është e vërtetë bazuar madje edhe në dokumente gjykate.
Më poshtë keni saktësisht atë që tha fillimisht znj. Gërvalla në intervistë, për të qenë krejtësisht korrektë:
“Kemi parë nëpër media, se diplomatë të cilët i keni shkarkuar, kanë fitu në gjykatë por nuk po kthehen në vendet e punës – sa që ka landë të cilat i kanë marrë përmbaruesit privatë për t’i kryer detyrat që nuk po i kryen ministrja juaj. Cila është e vërteta?” – e pyeti gazetari Jupolli. (53:48-)
“Nuk ka një lajm të tillë, përkundrazi disa prej të cilëve i kemi larguar...” – nisi të përgjigjej ministrja Gërvalla.
“Ka pasë lajme në portale...” – gazetari.
“Lajmet në portale janë pak-a-shumë si lajmet nëpër kafe nganjëherë...”
“Realiteti është se ka pasur një numër relativisht të madh të zyrtarëve që janë larguar...”
“Po kanë qenë me vendime, të cilat kanë qenë me vulë të gjykatës...” – i ndërhyn gazetari.
“...nga Ministria e Punëve të Jashtme për shkak se mënyra se si janë punësuar ka qenë jashtë të gjitha kritereve që parasheh ligji. Një pjesë e tyre janë ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka konfirmuar vendimin për largimin e tyre. Kanë shkuar në gjykatë administrative, në instancë të parë, gjykata administrative përsëri ka refuzuar ankesën e tyre. Në ndërkohë edhe gjykata e apelit e ka refuzu ankesën e tyre, prandaj unë nuk e di se për cilat vendime flisni ju...”
E vërteta
E vërteta është krejt ndryshe dhe madje edhe e dëshmueshme. Më 2 shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte detyruar Ministrinë e Punëve të Jashtme që t’i paguante mbi 20 mijë euro dëme diplomatit të shkarkuar Viskont Jakupit për shkarkimin arbitrar. Për më tepër, në vendim kërkohej edhe kthimi i tij në punë,


Gërvalla shkon edhe më larg
Fatkeqësisht, ministrja e Punëve të Jashtme nuk ngurroi të shkonte edhe më larg me deklarimet e saj publike duke folur edhe në mënyrë specifike për rastin e z. Jakupi.
“Po më shkrujnë kolegët për një rast specifik, po më thonë Viskont Jakupi, për të cilin ka marrë vendim gjykata, nuk është aprovu edhe ka shku te përmbaruesi...” – e pyeti z. Jupolli.
“Nuk ka as përmbarues. Nuk ka as...” – nis përgjigjen e saj znj. Gërvalla. Lusim lexuesin që të lexojnë Aktvendimin e mësipërm për ta kuptuar se kemi të bëjmë me një gënjeshtër të qartë e serioze publike. Ka përmbarues.
Gërvalla vazhdoi:
“...personi në fjalë është zyrtar i Punëve të Jashtme dhe shpresoj që vjen çdo ditë në punë. Nuk kemi gjëra të tilla, nuk ka... përtej këtyre lajmeve të portaleve, unë nuk e di çfarë ka pasur në gjykatë. Një tekst që unë e kam parë kërkon kthimin e tij në punë, ndërkohë z. Jakupi asnjëherë nuk është larguar nga puna në Ministrinë e Punëve të Jashtme...” – u shpreh znj. Gërvalla. E vërteta në fakt, ishte se Viskont Jakupi ishte shkarkuar nga pozicioni që mbante në Mbretërinë e Bashkuar.
“Por, është shkarku!” – e pyeti më pas gazetari Jupolli.
“Jo, nuk është shkarku. Ai ka qenë për një kohë të shkurtër në shërbim. Ka bërë një shkelje të patolerueshme dhe është kthyer të shërbejë në Ministrinë e Punëve të Jashtme...” - u shpreh në mënyrë të pamatur znj. Gërvalla.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar me z. Viskont Jakupi dhe i cili u shpreh se po konsultohej me avokatët e tij në mënyrë që të bënte padi për shpifje ndaj ministres së Punëve të Jashtme për deklaratat e bëra mbrëmë.
Gërvalla për sjelljet e saj arbitrare e të papërgjegjshme ndaj diplomatëve të karrierës ishte denoncuar edhe nga ish bashkëpartiaku Anton Quni, “Në katër raste jam përpjekur të marrë spjegim nga ministrja Gërvalla, po ashtu i jam drejtuar edhe me shkrim por të gjitha ishin të kota, asnjë përgjigje përveç heshtjes.” – thoshte ai.
Mbetet të shihet epilogu i këtij telashi të ri ligjor të shefes tonë të diplomacisë.
Intervista e plotë:

