I dënuar për sulmin ndaj KFOR-it, i kërkuar për barrikadat: Profili i Nenad Orlloviqit që u arratis në Serbi - NACIONALE

I dënuar për sulmin ndaj KFOR-it, i kërkuar për barrikadat: Profili i Nenad Orlloviqit që u arratis në Serbi

3 orë më parë

nga Eriola Cacaj

Arrestimi i tij i pare u bë me sukses nga Policia e Kosovës…por jo edhe arrestimi i dytë. Nenad Orlloviqi, i dënuar me një vit e tre muaj burgim për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, sot nuk gjendet më në Kosovë. Pasi përfundoi vuajtjen e dënimit prej 1 vit e tre muaj, emri i tij u rikthye në një tjetër dosje të Prokurorisë Speciale, atë të barrikadave të vitit 2022.

Por, kësaj radhe, para drejtësisë nuk doli. Sipas njoftimit të dhënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Orlloviqi është larguar nga Kosova dhe është vendosur në Serbi.

Të enjten e kaluar, me urdhër të gjykatës, Policia e Kosovës shkoi në banesën e tij për ta sjellë me detyrim në seancën fillestare. Dera mbeti e mbyllur dhe përgjigjja nuk erdhi nga brenda, por nga fqinjët, të cilët, sipas policisë, thanë se Orlloviqi, i njohur me nofkat "Nemac" dhe "Rusi", ishte shpërngulur në Serbi.

Por arratisja është vetëm kapitulli më i fundit i historisë së tij.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale, një vend të veçantë zënë komunikimet e nxjerra nga telefoni i tij. Orlloviq kishte biseduar edhe me kryeterroristin Milan Radoiçiqin. Sipas aktakuzës, Orlloviqi i ishte drejtuar atij me një kërkesë për ndihmë për zgjidhjen e çështjes së banimit. Përgjigjja erdhi menjëherë: Radoiçiqi e udhëzoi të kontaktonte Ivan Todosijeviqin në emrin e tij. Mirënjohja e Orlloviqit ishte po aq e drejtpërdrejtë: "Jam borxhli ndaj teje derisa të jem gjallë, unë dhe familja ime."

Në telefonin e tij, sipas aktakuzës, janë gjetur fotografi ku ai shihet i maskuar në barrikada, komunikime me persona të tjerë të përfshirë, si dhe materiale që, sipas Prokurorisë, e lidhin me strukturën ilegale "Mbrojtja Civile".

Emri i tij u bë publik disa muaj më vonë, pas sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj 2023 në Zveçan. Ai u arrestua nga Policia e Kosovës dhe në qershor të vitit 2024 u dënua me një vit e tre muaj burgim, pasi u shpall fajtor për sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kreu huliganizëm.

Edhe këtë rast, Prokuroria ka përfshirë në dosje komunikime nga telefoni i tij. Në një bisedë të zhvilluar pas përplasjeve në Zveçan, Orlloviqi shkruan: "Duhet ta kujtojnë këtë ditë, ne po sulmojmë NATO-n." Ky komunikim është pjesë e provave të aktakuzës.

Sipas Prokurorisë, pas arrestimit të disa pjesëtarëve të strukturave ilegale, Orlloviqi kishte filluar të diskutonte largimin nga Kosova. Në komunikimet e gjetura në telefon, ai flet për mundësinë e kalimit në Serbi si edhe mundësin për punësim.

Lajme të ngjashme