Intervistë | Musliu: Gjykata Speciale sot ua dha njollën e zezë UÇK-së dhe lirisë sonë
Është shprehur krenare për votën e saj kundër themelimit të Gjykatës Speciale. Ajo ka thënë se koha po tregon se veprimi i saj ka qenë i drejt. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kundërshtuar vendimin e Speciales për komandant “Calin”, duke thënë se kjo gjykatë sot vrau për së dyti viktimat e agresorit serb në Kosovë.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, është shprehur e trishtuar me vendimin e Gjykatës Speciale për të dënuar me 26 vite burgim ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa.
Ajo ka thënë se me këtë verdikt përfundimisht iu dha njolla e zezë UÇK-së dhe lirisë së Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Musliu është shprehur krenare që me votën e saj e ka kundërshtuar themelimit të kësaj gjykate në vitin 2015.
“Ndjehem tmerrësisht e trishtuar nga vendimi të cilin sot e mori Gjykata Speciale për të dënuar me 26 vite burgim komandant Calin. Sot përfundimisht iu dha njolla e zezë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftës çlirimtare dhe gjakut të derdhur për liri. Sot, për se dyti, u vranë, u dhunuan dhe u persekutuan të gjitha ato viktima, të cilat Serbia i ka vrarë dhe masakruar në vitet 1990-1999 në Kosovës”, ka thënë Musliu.
Ajo ka bërë me dije se ata që kanë votuar kundër kësaj gjykate vepruan drejt.
“Fatkeqësisht, jam ndër të paktet deputetë që i kam thënë jo kësaj gjykate. Edhe pse në atë kohë vazhdimisht jam lutur që të kenë të drejtë shumica dhe jo pakica, sepse shumica ishin ata që morën vendimin për themelimin e kësaj gjykate. Ne e që e kundërshtuam ishin pak, ishim vetëm 5 deputetë, të cilët dua t`i përmend në këtë studio. Jo Gjykatës Speciale me votë në Kuvend i thanë Flora Brovina, Nait Hasni, Fadil Demaku, Ganimete Musliu dhe Raif Çela”, ka thënë Musliu.
Ajo ka thënë se të tjerat me presion të madh kanë votuar pro themelimit të kësaj gjykate.
“Ndërsa të tjerët votuan pro kësaj gjykate, me presin të madh, me stres të jashtëzakonshëm dhe me linçime në rrjete sociale. Unë e falënderoj Zotin që me dha kurojo dhe durim me i përballu gjithë ato ngjarje dhe zhvillime për të qëndruar mbi kauzën e popullit tonë, mbi të drejtën e popullit tonë", është shprehur deputetja e PDK-së.
Me tej, ajo ka thënë se e ka ndërgjegjen e pastër që me kohë e ka kundërshtuar formimin e Speciales.
“Mund të them se kam ndërgjegjen e qet pse i kam thënë jo kësaj gjykate, por çka ndihmon ndërgjegjja në këtë aspekt, kur sot iu dha vula e krimit UÇK-së. Prandaj, sot ka pak rëndësi si ndihet Ganimete Musliu. Sot duhet të pyesin si ndihet Kosova, si ndihet shteti i jonë. Sot neve na u dënu liria, lufta e jonë çlirimtare. Kam shumë emocion dhe jam shumë e prekur me këtë vendim”, ka deklaruar Musliu, duke treguar për presionin që ka pasur në vitin 2015 kur është votuar në Kuvend.
Musliu ka vlerësuar se vetëm vota e ish-ushtarëve të UÇK-së pro Speciales mund të arsyetohet.
“Ne kemi pasur shumë preson dhe thirrje nga të gjitha anët që me themelimin e Speciales do të pastrohet lufta e UÇK-së. Ndërsa sot u dëshmua e kundërta, sot u është njollosur lufta e UÇK-së. Unë nuk mund ta arsyetoj voton pro Gjykatës Speciale, përveç ish-ushtarët e UÇK-së që kanë qenë pjesë e asaj legjislature”, ka theksuar ajo.
Nuk pret asgjë nga institucionet
Deputetja Musliu ka thënë se nuk pret asgjë nga institucionet aktuale në raport me Gjykatën Specialen.
Ajo ka thënë se liderët institucionalë vazhdimisht atakojnë ish-krerët e UÇK-së, të cilën gjenden në paraburgim në Hagë prej dy vitesh.
“Për çfarë institucionesh po flasim? Ne patën dje adresimin e presidentes së vendit, e cila nuk ishte në gjendje ta thotë një fjalë të vetme për padrejtësitë që po iu bëhen në Hagë”, është shprehur Musliu.
Sipas saj, partia në pushtet po të ishte në opozitë do të organizonte protesta kundër këtij vendit të Gjykatës Speciale.
“Do të doja shumë që institucionet e vendit tonë të jenë konsistente në qëndrimet pro sakrificës së popullit tonë. Po të ishin në opozitë këta elementet që sot udhëheqin, jam i bindur që sot do të ishin sheshet plotë. Do ta kishin gojën plotë në mbrojt të vlerave të luftës. Pra, kundër Gjykatës Speciale”, është shprehur ajo.
Musliu ka vlerësuar se udhëheqësin e institucioneve nuk kanë qëndrim të drejt në raport me luftën e UÇK-së.
“Ma thuaj se kur e keni dëgjuar presidenten e vendit, apo kryeministrin e vendit që kanë kërkuar drejtësi, trajtim të dinjitetshëm dhe të dëshmojnë për pafajësinë e atyre burrave që janë atje. Unë nuk e kam dëgjuar. Prandaj, nuk pres nga këto institucione asgjë, as nga Kuvendi i Kosovës, ku edhe vetë pjesë e atij institucioni”, ka thënë Musliu.
Deputetja e PDK-së e ka akuzuar VV-në për dyfytyrësi në raport me Specialen.
Ajo ka thënë se kjo parti thotë diçka tjetër, ndërsa vepron diçka tjetër.
“Qëndrimi i LV-së karshi Gjykatës Speciale e portretizon më se miri komplet Lëvizjen Vetëvendosje. Sepse kjo parti thotë diçka tjetër dhe bën diçka tjetër. Deklarohet ndryshe, vepron ndryshe. Ju e dini se ata me fjalë kanë qenë kundër gjykatës, por nuk kanë pasur kurajën dhe guximin të vijnë të jenë kundër gjykatës me votë. Sot në çdo dokument të Kuvendit nuk thuhet se kanë qenë 40 deputetë kundër gjykatës e 83 pro, por thuhet se kanë qenë 5 deputetë e kundër dhe 83 pro”, është shprehur Musliu.
Sipas saj, kjo parti nuk ka bërë asgjë për të parandaluar këtë gjykatë.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka treguar fytyrën e saj të vërtetet. Është lehtë të recitojmë, është lehtë të shkruajmë statuse në Facebook. Sot ndoshta kemi pasur plotë statuse në Facebook, por çka kemi bë konkretisht ne për ta parandaluar këtë gjykatë”, ka vlerësuar ajo.
Deputetja që ka votuar kundër formimit të Speciales ka bërë me dije se Kuvendi i Kosovës nuk është dashur t`i nënshtrohet asnjë presioni të jashtëm për themelimin e Speciales.
“Unë mendoj se asnjë presoni nuk është dashur t`i nënshtrohet Kuvendi i Kosovës karshi Gjykatës Speciale. Nëse Kuvendi i Republikës së Kosovës, prej pasluftës, do të krenohet për shpallje të pavarësisë, ka me u krenuar për themelimin e ushtrisë, ka me u turpëruar terë jetën e vetë për vendimin që ka marrë për themelimin e Gjykatës Speciale”, ka thënë Musliu.
Në këtë intervistë të gjatë, Musliu ka folur për adresimin vjetor të Presidentes Osmani, Qeverinë Kurti dhe situatën në veri.

