Saga e Presidentit: VV i kërkon ‘garancë’ LDK-së për 18 votat e 80-shit të brishtë
Vetëvendosja pretendon t’i ketë 62 vota me pakicat jo-serbe dhe Nenad Rashiqin, ndërkohë që thotë se po zhvillon negociata “të gjera e të thella” me LDK-në.
Këto 62 vota, Albin Kurti i Vetëvendosjes pretendon t’i ketë kompakte dhe të rreshtuar paekuivok në vendimin e tij, ndërsa partia e tij hedh dyshime mbi kompaktësinë e votave të LDK-së.
LDK, me 18 votat e saj, dhe Vetëvendosja me pakicat, 62, bëhen 80-shi minimal i nevojshëm për hyrjen në raund të parë të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
Ndonëse kalendari kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka mbi 20 ditë që ka kaluar, vendi mbetet në terrene të mjegullta kushtetuese.
Deputetët e zgjedhur të PDK-së dhe Aleancës janë mbledhur sërish të dielën në Kuvend, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
Vetëvendosja vazhdon të mos e thërrasë seancën konstituive, duke pretenduar se po synon marrëveshje me LDK-në për presidentin.
Adnan Rrustemi, deputet i Vetëvendosjes, dje në “KosovaPress” kërkoi garancë nga LDK-ja se i zotëron të gjitha votat për një votim njëzëri.
“I mbetet zotit Abdixhiku ta menaxhojë grupin e tij parlamentar dhe, në momentin kur dakordohet për emrin, e bëjmë marrëveshje, të garantojë, le të themi, edhe implementimin e kësaj marrëveshjeje nga pozicioni i LDK-së”, theksoi Rrustemi.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se mbetet optimiste për marrëveshjen mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.
“Jam optimiste që do të kemi rezultate pozitive dhe presim që kjo të konfirmohet nga Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht nga kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri Albin Kurti dhe në anën tjetër kryetari i LDK-së, zoti Lumir Abdixhiku”, tha Haxhiu.
Ajo u shpreh se marrëveshja duhet të përmbyllet shpejt, duke përmendur reformat dhe obligimet e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe NATO-s.
“Prandaj, le të shpresojmë që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për për procesin e ardhshëm”, tha ajo.
Ndërkohë, deputetët opozitarë e kanë akuzuar LVV-në për bllokim institucional dhe kushtëzim të konstituimit të Kuvendit me marrëveshjen për presidentin.
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se Kurti po përdor rezultatin zgjedhor për një agjendë që pengon funksionalizimin e shtetit.
“Presidenti që ka me u zgjedh ka me u zgjedh prej këtij kuvendi”, tha Tahiri.
Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, e akuzoi LVV-në për bllokadë të re të Kuvendit.
“Ne po flasim për shtetin. Këta po flasin e po bëjnë gjithçka veç për pushtetin”, deklaroi Ramadani.
Në këtë përplasje politike, emri i përfolur për president, i shtyrë përmes spin-doktorëve të Vetëvendosjes në rrjete sociale, është Bekim Sejdiu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Sejdiu kishte qenë gjyqtar raportues në rastin e rrëzimit të Qeverisë Hoti më 2020, çka supozohet se nuk gëzon unitet në votat e LDK-së.