Kush është Salih Mustafa, i dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte?
Salih Mustafa është ish-ushtari i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dënuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Mustafa, që gjatë kohës së luftës njihej me nofkën “Cali”, u dënua për veprën penale të torturës, vrasjes së paligjshme dhe ndalim arbitrar.
Salih Mustafa është ish-komandant i UÇK-së, që gjatë kohës së luftës kishte vepruar në Zonën Operative të Llapit.
Por Mustafa ka një të kaluara të gjatë edhe para themelimit të UÇK-së. Ish-komandant Cali ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin, ku nga viti 1988 kishte vepruar nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.
Z. Mustafa ishte arrestuar nga ish-regjimi i Sllobodan Millosheviqit në vitin 1993, për t’u dënuar me 5 vite burgim për organizimin e kryengritjes së armatosur.
Mustafa ishte liruar në vitin 1997 pasi e përfundoi dënimin me burgim, për të filluar angazhimin në organizimin e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, por edhe në Gjilan, Kamenicë e Viti. Pra ai ishte organizatori i shtrirjes së UÇK-së në Zonën e Llapit dhe të Karadakut.
Ndërsa gjatë luftës, z. Mustafa udhëhoqi njësitet e specializuara të UÇK-së, të njohura me emrin BIA.
Pas lufte z. Mustafa, që u dënua me 26 vjet burgim, ishte pjesë e Departamentit Informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, e pas transofrmimit, ai vazhdoi të kontribuonte edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës. E një kohë ka qenë edhe këshilltar i Agim Çeku, ish-kryeministër i Kosovës.
Në FSK, ai kishte shërbyer si shef i inteligjencës së FSK-së para arrestimit dy vite më parë.
Për çka u dënua Salih Mustafa?
Dhomat e Specializuara kanë mbajtur seancën përfundimtare rreth akuzave ndaj Salil Mustafës, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën “Cali” gjatë luftës. Në seancën e së premtes, Gjykata Speciale vendosi për akuzat për krime lufte që i ngarkoheshin Mustafës.
Mustafa u shpallë fajtor në 3 nga 4 pikat për të cilat akuzohej. Ai u shpalë fajtor, për ndalim arbitrar, torturë si dhe për vrasje të paligjshme. Duke e dënuar me dënim unik prej 26 vjetëve.
Kurse u shpall i pafajshëm për pikën 2, trajtim çnjerëzor.
“Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara në aktgjykim dhe të përmbledhura më lartë, dhe duke marr parasysh të gjitha provat dhe argumentet e palëve mbrojtëse të viktimave, Trupi Gjykues, në bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit dhe rregullave 158 dhe 159, 163 dhe 165 të Rregullores, ju shpall juve z. Mustafa, fajtor për:
“Për pikën 3: torturë si krim lufte, sipas neneve 14 1c i, dhe 16 1a të Ligjit, si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.
Pikën 4: vrasje e paligjshme si krim lufte, në bazë të nenit 14 1c i të ligjit si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – thuhet tutje.
“Trupi Gjykues ju shpall të pafajshmë për veprën për krimin e luftës të trajtimit çnjerëzor në pikën 2.” – lexoi gjyqtarja e Speciales.
“Pikën 1: Ndalim arbitrar si krim lufte sipas neneve 14 1c dhe 16 1a të ligjit si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – thuhet tutje në aktgjykim.

“Për pikën 3: torturë si krim lufte, sipas neneve 14 1c dhe i, dhe 16 1a të Ligjit, si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – u tha tutje.
“Tani do të shqiptoj dënimin. Zoti Mustafa, duke qenë se jeni shpallur fjator për më shumë se 1 vepër penale, Trupi Gjykues ka përcaktuar nga një dënim në vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie në bazë të rregullës 163, 4 të Rregullores. Së pari do të jap këto dënime më vëte, e më pas do të shqiptoj dënimin e njësuar për sjelljen tuaj kriminale në tërësi.
Trupi Gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin e luftës të ndalimit arbitrar pika 1. Dënim me 22 vjet burgim për krimin e luftës torturës pika 3 dhe dënim me 25 vjet dënim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme, pika 4. Trupi Gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, në të cilin llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.” – lexoi gjyqtarja.
Ky ishte edhe dënimi i parë, për krime lufte nga Dhomat e Specializuara.


