Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë Muhamet Lika thonë se janë të pafajshëm - NACIONALE

Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë Muhamet Lika thonë se janë të pafajshëm

1 orë më parë

nga Eriola Cacaj

Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, janë deklaruar të pafajshëm të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi, janë gjashtë të akuzuarit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, për vrasjen e rreshterit Lika.

Në seancë, prokurori Ismet Rrahmani, tha se provat materiale dhe video-incizimet e siguruara dëshmojnë se vrasja ishte e planifikuar dhe se të akuzuarit kanë ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit.

Sipas prokurorit, 1 prilli i vitit 2025 kishte nisur si një ditë e zakonshme pune për rreshterin Muhamet Lika, i cili pas përfundimit të orarit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54, u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion.

Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, ka thënë Rrahmani.

Rreshteri Lika u privua nga jeta më 1 prill të vitit 2025 në Kaçanik pas përfundimit të orarit të punës. U qëllua teksa po hynte në banesë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, më datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00h, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, në bashkëveprim me të miturin Rejhan Bela, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policor, rreshter Muhamet Lika, në atë mënyrë që deri sa viktima ka përfunduar orarin e punës së detyrës zyrtare dhe gjatë rrugës për në banesën e tij, ishte përcjellë në vazhdimësi nga të pandehurit dhe i mituri deri te hyrja e banesës së tij, ku i pandehuri Haki Bela pasi që kishte qëndruar në lokalin e tij “Aksa”, prej aty niset për në drejtim të Stacionit Policor, dhe e përcjellë viktimën Muhamet Lika, prej momentit të daljes nga Stacioni Policor.

Aktakuza thotë se viktima vazhdon në drejtim të banesës ndërsa i pandehuri Haki vazhdon në drejtim të rrugës “UÇK” për 20 metra dhe më pastaj pas 30 sekondave kthehet në drejtim të viktimës, në vazhdim të pandehurit Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika në rrugë vëzhgojnë rrugëtimin e viktimës, pasi që kishin parkuar veturën “Opel Astra ”, ngjyrë e bardhë, me vozitës Shkëlqim Kuka dhe pasagjer Edmond Lika, afër stacionit policor dhe në momentin që kalon viktima për rreth veturës në drejtim të banesës së tij, nga vetura del pasagjeri Edmon Lika dhe hip në veturën e tij “Golf 2”, ngjyrë e kaltër duke vozitur të njëjtën me drita të fikura dhe duke vazhduar në rrugën një drejtimesh duke përcjellë viktimën në drejtim kah ka lëvizur, ndërsa i pandehuri Shkëlqim me veturën “Opel Astra” nga ky moment merr veprimin dhe vazhdon duke shkuar afër vendit të ngjarjes.

Aktakuza ndër të tjera thotë se viktima vazhdon rrugëtimin pastaj në rrugën “Idriz Seferi” afër hyrjes së banesës së tij, i mituri Rejhan Bela vazhdon duke e përcjellë viktimën mbrapa, i cili hynë në hyrjen e banesës së tij dhe menjëherë pas viktimës i mituri Rejhan Bela hynë pas tij në hyrjen e objektit të banesës dhe me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, të kalibrit 9.19 mm, dhe kthehet me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes së vrasjes duke ikur në drejtim të lokalit “”Dukagjini” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku me vrap largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi”.

Organi I akuzës thotë se deri sa ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”, paraprakisht të pandehurit kanë lëvizur në drejtim të lokalit bilardo “Te Lindi”, ndërsa rreth një orë para kryerjes së vrasjes nga kamerat e sigurisë të marketit “Besa”, ora 21:54, vërehen lëvizjet e të pandehurve Rilind Murati dhe Vatan Çaka së bashku me të miturin Rejhan Bela duke vëzhguar dhe koordinuar në mes vete, ndërsa pas vrasjes i pandehuri Haki Bela rreth 14 minuta mbrapa vrasjes vjen në vendin e ngjarjes dhe pas 2 minutave largohet prej aty.

Të akuzuarit, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Lajme të ngjashme