Intervistë | Haliti: Qeveria t`i kërkojë falje ShBA-së, ta rishqyrtojë qëndrimin për targa - NACIONALE

Intervistë | Haliti: Qeveria t`i kërkojë falje ShBA-së, ta rishqyrtojë qëndrimin për targa

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

E ka ftuar qeverinë që të tërhiqet nga zbatimi i vendimit për targat ilegale dhe t`i dëgjojë kërkesave e aleatëve. Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se Kosova është e fuqishme, vetëm kur e ka në krah ShBA-në. Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, ai ka folur për mospunën e Qeverisë, problemet e opozitës dhe pakënaqësitë që janë shfaqur në PDK.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, e ka vlerësuar si të gabueshëm veprimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit për targat ilegale.

Ai ka thënë se mosdëgjimi i kërkesave të ShBA-së dhe BE-së për këtë çështje është një papjekuri politike.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Haliti ka paralajmëruar se një veprim i tillë mund të sjellë pasoja për Kosovën.

Mendoj se ka qenë një veprim krejt i papjekur. Ne nuk jemi në luftë për targat. Nuk jemi në ndonjë situatë të rrezikimit të integritetit territorial e as rrezikimit të Kosovës për targat”- ka thënë Haliti.

Ai e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti që të tërhiqet nga ky veprim dhe t`i kërkojë falje partnerëve ndërkombëtarë.

Ajo që do të ishte mirë për kryeministrin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës, është që ta rishqyrtojnë vendimin e tyre për targat, të mos futen në përplasje me qytetarët serbë. Nuk është ky problemi kryesor. T`i kërkohet falje z. Eckobar, z. Lajçak dhe të gjithë atyre që janë duke e ndihmuar në bisedime për marrëveshjen përfundimtare Kosovë - Serbi dhe t’ua japin mundësinë që të punohet në këtë drejtim”- ka thënë ai.

Haliti ka bërë me dije se Kosova nuk mund të luajë me aleatët, të cilët e kanë mbështetur çdoherë në procesin e shtetndërtimit.

Sipas tij, Kosova është e fuqishme, vetëm kur në krah i ka aleatët perëndimorë.

“Të mos provokohemi dhe të mos shitemi të fuqishëm. Fuqia jonë është për aq kohë sa jemi bashkë me aleatët tanë. Të tjerat janë krejt sekondare, sa i përket fuqisë ushtarake e policore. E jona është me u zhvillu ekonomikisht, me u marrë me të drejtat e qytetarëve tanë, me ua plotësu nevojat njerëzve që kanë nevojë për punë, shkollim, shëndetësi dhe infrastrukturë”- ka thënë ai.

Zyrtari i PDK-së i ka ftuar institucionet e Kosovës për kujdes me serbët në veri.

Ne duhet të bëjmë çmos që ne të krijojmë raporte normale të komunikimit me serbët që jetojnë në Kosovë, sepse ata janë qytetarë të Kosovës. Dhe në kushtet kur ne godasim në variantin e përhershëm, se në veri të Kosovës ka diçka, flasim kundër Grupit Parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, i krijojmë vetes probleme”- është shprehur ai.

Duke folur për sjelljet e serbëve në veri, ai ka thënë se Kosova nuk duhet ta përdorë “shkopin” ndaj serbëve të veriut.

"Mos e përdor shkopin, sepse shkopi për ballkanasit nuk shkon"- është shprehur ai, duke shtuar se kur të vijë koha për dhënien e gjobave, do të jetë problem.

"Sigurisht, sepse ti me shkop po dëshiron t’i detyrosh dhe ata të thonë që nuk duan. Çka do me iu bë? Do me i vra? Me i rrehë? Do me i dënu? Po i dënojshe 150 euro. Mirë, ia jep dënimin. A ta paguajnë? A mund t’ua marrësh me zor? A do ta fusësh në burg, nëse nuk e paguan? Ky është një veprim - do ta quaja - me pasoja, kur të fillojë ekzekutimi"- ka vlerësuar Haliti.

Pasojat e vendimit

Deputeti i PDK-së i ka ftuar institucionet e Kosovës që të kenë kujdes me raportet me aleatët për këtë çështje.

Ai ka paralajmëruar se refuzimi i kërkesave të ShBA-së dhe BE-së mund të sjellë pasoja për Republikën e Kosovës.

"Ata na kanë duruar shumë. Na kanë duruar shumë në situata edhe më të vështira. Evropianët, amerikanët dhe krejt ata që janë këtu për të na ndihmuar neve dhe serbët për t`u krijuar mundësi të dyja palëve për t’u kthyer nga Evropa dhe nga mënyra evropiane e zgjidhjes së problemeve"- ka vlerësuar Haliti.

Zyrtari i PDK-së ka treguar që ShBA-ja asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e drejtpërdrejtë ndaj Kosovës.

"Ata u deklaruan publikisht. Asnjëherë nuk kam dëgjuar deklarata publike më të drejtpërdrejta, që janë pezmatuar në veprimin që e ka nxjerrë Qeveria. Ne kemi bërë gabime edhe më të mëdha, por çka na ka thënë në katër sy, është diçka tjetër, por publikisht nuk e kanë thënë më drejtpërdrejt se deri më tani"- ka treguar ai.

Haliti ka folur edhe për planin franko-gjerman për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Në bazë të asaj që ka parë nëpër medie, Haliti ka thënë se ky plan i hap rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Sipas tij, shteti i Kosovës ekziston edhe pa njohjen nga Serbia.

"Kam lexuar copëza nëpër mjete të informimit. Unë e di që këta ka një kohë të gjatë që e kanë në tavolinë, këtë planin franko-gjerman. E kanë presidentja dhe kryeministri dokumentin që kanë për ta nënshkruar. Është diçka që ne nuk e kemi parë"- ka thënë ai.

Haliti ka vlerësuar se marrëveshja do të ishte e mirë për Kosovën, nëse Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk ka kompetenca ekzekutive.

"Unë jam që marrëveshja të ratifikohet në Kuvend me këto kushtet që i thashë. Kushti i vetëm është se duhet të jetë ajo që e ka deklaruar edhe z. Ecobar, se asociacioni të mos këtë kompetenca ekzekutive dhe çështja e njohjes reciproke, nëse mund të kalohet më herët, është më mirë, por edhe nëse nuk kalohet, Kosova është e pavarur"- ka thënë ai.

Opozita jo në nivelin e duhur

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës e ka kritikuar edhe opozitën.

Ai ka thënë se asnjëra prej tri partive opozitare nuk është në nivelin e duhur.

"Ligjërisht dhe kushtetutshmërish, fuqia e kontrollit e opozitës ndaj Qeverisë është e kufizuar, sepse nuk kemi vendosur rregulla të caktuara që ia mundësojmë opozitës me qenë në krye te kontrollit të shtetit. Kemi probleme të mëdha, të cilat po ndodhin e me të cilat do të duhej me u ballafaqu, megjithatë më krijohet përshtypja që në këtë betejë politike, nuk jemi në nivel të detyrës"- ka thënë Haliti.

Sa i përket mundësisë për formimin e një fronti opozitar, ai ka vlerësuar se kjo do ta fuqizonte opozitarizmin.

"Do të ishte e mirë, sikur të ishte mundësia që të kemi një front të përbashkët, por në këtë front të përbashkët, tri partitë parlamente do të duhej që të uleshin dhe të diskutonin. Jo të ulen herë njëri e herë tjetri nëpër qoshe, por të krijohen grupet që hyjnë në bisedime për këtë çështje. Nëse hyjnë në bisedime për këtë çështje, ne duhet që në fillim të dimë se cilës parti çfarë i takon pas zgjedhjeve"- ka thënë ai.

Haliti ka folur edhe për pakënaqësitë e shprehura nga disa zyrtarë në PDK.

"Një kryetar i partisë që nuk ka qenë në UÇK, nuk e ka të lehtë me pasë njerëz e fuqishëm të UÇK-së nëpër këmbë. Normalisht se ai do të përpiqet të krijojë një strukturë me të cilën mundet me bashkëpunu, të cilët e dëgjojnë dhe mundet me i drejtu"- është shprehur ai.

Sipas Halitit, ka përpjekje që nga partia të largohen njerëz që identifikohem me UÇK-në.

"Këta që vijnë nga UÇK-ja, kanë një krenari pak më ndryshe. Ekziston kjo. Ka parti në Kosovs që luftojnë shumë me pasë një të UÇK-së, ne që jemi parti e UÇK-së, disa po luftojnë me i largu këta të UÇK-së. E vërteta është se ne po bashkëpunojmë aq sa kemi mundësi"- ka thënë ai.

Shndërrimi i Qeverisë në OJQ

Zyrtari i lartë i PDK-së e ka kritikuar Qeverinë Kurti edhe në aspektin e brendshëm të qeverisjes.

Ai ka thënë se Qeveria nuk po realizon asnjë projekt të rëndësishëm.

"Këta nuk po i shoh duke bërë diçka, përveç këtyre ndihmave që i kanë ndarë - ndihmave elektorale, që do t`i quaja vitra, që ua kanë dhënë njerëzve për ta ruajtur elektoratin e vet"- ka thënë ai.

Sipas tij, ndarja e këtyre mjeteve po bëhet për interesa të ngushta.

"Këta kanë kaluar në një OJQ humanitare. Në vend se te ndërtojnë rrugë, këta po japim ndihma 100 euro, 50 euro. Këto janë vendime dhe veprime të interesit elektoral"- ka thënë ai, duke shtuar se kjo qeveri nuk ka shënuar ndonjë sukses as në politikë të jashtme.

"Cilat janë investimet e Qeverisë, cilat janë njohjet që i janë bërë Kosovës? Përveç atyre deklarimeve me grusht përpara, të bashkuar kundër nuk di kujt, nuk kam parë diçka"- ka thënë Haliti.

Lajme të ngjashme