Opozita për Qeverinë: Një vit paaftësi dhe arrogancë - NACIONALE

Opozita për Qeverinë: Një vit paaftësi dhe arrogancë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Partitë politike opozitare nuk kanë gjetur asnjë punë të mirë të Qeverisë Kurti në përvjetorin e saj të parë.

Liderët e partive opozitare kanë vlerësuar se paaftësia, jokompetenca dhe arroganca kanë qenë karakteristikat kryesore të Qeverisë Kurti 2.

Gjatë adresimeve në konferenca të ndara për medie, krerët e PDK-së dhe LDK-së kanë deklaruar se kjo qeveri vetëm dëme i ka sjellë Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se këto vlerësime për qeverisjen e vendit nuk janë vetëm të opozitës, por të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Ajo çfarë e karakterizon paaftësinë e kësaj qeverie, nuk është thjesht performanca e dobët në realizimin e objektivave të saj. Karakteristika themelore e kësaj qeverie të paaftë, është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Krasniqi gjatë një konference për medie.

Ai ka vlerësuar se qëndrimi i gjatë në opozitë dhe kritikat e LVV-së patën sjellë një perspektivë të zymtë mbi të gjitha institucionet e Kosovës.

“Ata bënë një diskurs propagandistik, se LVV-ja kishte mbetur e vetmja alternativë për popullin, gjë që prodhoi edhe rezultatin e 14 shkurtit të vitit 2021. Si rezultat i kësaj paaftësie, Republika e Kosovës për një vit qeverisje të kryeministrit Kurti, nuk figuron as në hartën e investimeve strategjike, as në hartën e rëndësisë politike rajonale, e as në hartën e partneritetit të qëndrueshëm me partnerët dhe aleatët strategjik të Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas të parit të PDK-së, si pasojë e regresit dhe stagnimit që ka karakterizuar këtë vit të qeverisjes, qytetarët e Kosovës kanë filluar të mos shohin më as të ardhme e tyre.

“Programi i qeverisë Kurti përgjithësisht ka qenë një lojë fjalësh. Aty ku nuk ka qenë lojë fjalësh, ka qenë kopje planesh. Aty ku nuk ka qenë kopje planesh, ka qenë nocione librash. Por program të qëndrueshëm që vendos hapa konkret për zhvillim ekonomik, për rend dhe ligj, për punësim, për integrim e mirëqenie, nuk ka pasur”, ka shtuar Krasniqi.

Dobësitë e kësaj qeveria i ka numëruar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Vitin e parë të qeverisjes së Kurtit, kreu i LDK-së e ka quajtur vit të paaftësisë.

“Përgjatë 12 muajve, kjo qeverisje është përcjellë me popullizëm, arrogancë, arsyetime tek e shkuara e mungesë të qartë të vizionit zhvillimor për Kosovën. Është përcjellë dhe me braktisje të kauzave fondamentale të ngritjes në pushtet; siç është përcjellë me braktisje të halleve e nevojave të qytetarëve në secilën krizë me të cilën është ballafaquar për një vit”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, kjo qeveri ka dështuar të përballet me krizat që e kanë goditur Kosovën.

“Nga kriza e pandemisë, tek ajo e energjetikës e deri tek rritja alarmante e çmimeve – Qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët tanë, dhe në betejën e tyre me përballueshmërinë, të sillet si vështruese e krizave. Ajo ka dështuar të reagojë me kohë; siç ka refuzuar të ndërmarrë masa adekuate që do të zbusnin secilën krizë. Kjo qeveri, në paaftësinë e saj vepruese për qytetarë, megjithatë ka qenë e aftë të kapë borde, kompani publike e institucione të pavarura me të afërm e familjarë. Kapja e këtyre institucioneve jetike për funksionalizimin e shëndoshë të shoqërisë, ka rezultuar të jetë fatale në secilin ballafaqim me krizë”, është shprehur ai.

Sipas tij, dështimet e kësaj qeverie nuk mungojnë as në politikën e jashtme dhe as në fushat tjera.

Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, për një-vjetorin e Qeverisë Kurti ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”.
Duke numëruar 11 fushat që sipas tij ka dështuar Qeveria, ai ka shkruar se kryeministri Kurti është njeri që i ka shkelur premtimet e veta dhe është distancuar nga populli.

“Dështimi në fushën e energjisë. Ndalja e projektit të gazsjellësit amerikan. Vendnumërimi në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike. Shtrenjëtimi enorm i energjisë elektrike. Pagesa e dhjetëra milionë eurove për energjinë e qytetarëve serb në veri. Kapja e bordeve dhe institucioneve të pavarura. Nepotizmi në shkallë shqetësuese në politikën e punësimeve. Menaxhimi i keq i pandemisë”, ka shkruar Haradinaj.

Dëshpërimi nga qeverisja nxiti largimin masiv të qytetarëve

Liderët opozitarë kanë fajësuar Qeverinë Kurti edhe për largimin e qytetarëve nga vendi.

Ata kanë bërë me dije se kjo ka ndodhur si rezultat i dëshpërimit nga qeverisja aktuale.

“Dëshpërimi qytetar me një qeverisje të tillë, përtej zërit votues në zgjedhjet lokale të 17 tetorit e 14 nëntorit, është përcjellë dhe me largim masiv të qytetarëve tanë, të të rinjve e të rejave, profesionistëve e punëtorëve nga Kosova. Rreth 55% e qytetarëve tanë, konsiderojnë largimin nga Kosova; dhe ky fakt duhet të na shqetësojë të gjithëve”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Edhe i pari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përmendur shifrat e frikshme të qytetarëve që dëshirojnë të largohen nga Kosova.

“Kishim rreth 100 mijë të rinj e të reja që prisnin vizën për tu larguar nga Kosova”, ka thënë Krasniqi.

Për njëvjetorin e Qeverisë Kurti, nuk kanë munguar as kritikat e Partisë Socialdemokrate, e cila ndonëse nuk është pjesë e Kuvendit ka qenë partia më e zëshëm kundër qeverisë aktuale.

Gjatë një aksioni simbolik që PSD-ja e ka organizuar të martën, para hyrjes së objektit të Qeverisë, ka vendosur një tortë të improvizuar, me mbishkrimin në anglisht “Le të hanë tortë”.

“Në ndërkohë që pagat e punëtorëve të sektorit privat janë zvogëluar për 30%, paga minimale s’ka lëvizë. Kushtet e punës vazhdojnë të jenë të rënda në Kosovë. Këtë më së miri e tregon shifra e lartë e qytetarëve që po ikin. Mbi 50 mijë qytetarë në muaj aplikojnë për t’u larguar nga vendi. Njëzet mjekë kanë emigruar vetëm muajin e fundit. Pagat e sektorit publik të njëjta. Të gjitha punët publike të bllokuara. Bordi i OShP-së është jofunksinal. Faturat e energjisë elektrike të papërballueshme. Korporatat private me fitim”, është thënë në komunikatën e PSD-së.

Qeveria mohon pretendimet e opozitës

Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka mohuar pretendimet e opozitës se qeveria Kurti ka dështuar në aspektin ekonomik.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi ka thënë se Kosova qëndron shumë më mirë se të gjitha vendet e Evropës për kah rritja ekonomike.

“Përgjatë intervenimit tuaj 6 herë thatë keni dështu, keni dështu. Kjo mbetet në kamera pastaj. Ky nuk është mesazhi që duhet ta çojmë tek lexuesit. Kosova e ka rritjen ekonomike mbi 10%, i vetmi shtet në Evropë. Nëse ne e quajmë këtë dështim, qysh duhet me quajt vendet e tjera që e kanë 5% rritjen ekonomike”, ka deklaruar Bislimi.

I dyti i qeverisë, ka kërkuar nga deputetët e opozitës që ta largojnë nga fjalori fjalën dështim.

“Atëherë vendet tjera duhet me quajtë depresion. Nëse dojmë me ngjallë e me çu atë mesazhin optimist edhe te partnerët tanë ndërkombëtarë që po punojmë me ritmin e duhur, ndoshta është mirë me gjetë term më të butë se dështim”, ka thënë Bislimi.

Më 22 mars të vitit 2021, me 67 vota për dhe 30 kundër deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Albin Kurti.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të atij viti, Lëvizja Vetëvendosja kishte marrë mbi 50% të votave.

Lajme të ngjashme