ShBA ripërsërit: Të zhgënjyer dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës refuzon të shtyjë zbatimin e vendimit të targave - NACIONALE

ShBA ripërsërit: Të zhgënjyer dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës refuzon të shtyjë zbatimin e vendimit të targave

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me zhgënjimin ndaj Qeverisë së Kosovës për mosrespektimin e kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë për të shtyrë për dhjetë ditë vendimet për targat.

"Ne lëshuam një deklaratë javën e kaluar për të bërë shumë të qartë besimin tonë dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë se qeveria e Kosovës duhet të zgjasë periudhën e zbatimit. Kosova natyrisht ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim sipas marrëveshjes së Brukselit, por ne jemi të zhgënjyer, jemi të shqetësuar se qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e partnerëve ndërkombëtarë për zbatim. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen në një dialog të lehtësuar me BE-në." tha Price gjatë konferencës për medie.

Price e bëri të qartë se vendimi i Kosovës për shkallëzim të vendimit nuk përkon me kërkesën e SHAB-ve dhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Ai rikonfirmoi kërkesën për shtyerje të plotë të vendimit.

“Ne kemi qenë të qartë në publik dhe në biseda private se komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e BAshkuara, kërkon shtyrje të plotë të implementimit në këto çështje. Ne nuk kërkojmë shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë implementim të shkallëzuar. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës shtyrje të plotë të implementimit të vendimit.” - pëfundoi ai.

Çka u tha në komunikatën e DASH-it?

Një komunikatë e ngjashme me deklaratën e sekretarit Blinken, është publikuar të premten edhe në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Aty i kërkohet Kosovës që ta zgjasë afatin për zbatimin e vendimit për targa.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në reagimin e ShBA-së.

Edhe këtu, përmendet se shteti amerikan është i zhgënjyer dhe i shqetësuar me Qeverinë e Kosovës pasi nuk po i dëgjon kërkesat e tyre.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.

Cili ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës?

E shkallëzoi. Kështu konfirmoi kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, për të dhënë më pas detaje në një konferencë për media.

Fillimisht do të ketë “masa të qortimit”, pastaj “masa të gjobitjes”, ndërkaq në fund, konfiskim të veturave.

“Për 3 javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor masa do të jetë e qortimit. Nga 21 nëntori për 2 muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.+

Kryeministri pretendoi paragazetarëve se kjo nuk nënkupton që zbatimi i vendimit është shtyrë, por vetëm është shkallëzuar.

“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, e kemi shkallëzuar atë, dhe mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë tani. Në javën e parë të nëntorit e kemi Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet me kancelarin Scholz. Por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera të rëndësishme, për pozicionin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale, e cila vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, dhe gjitha këto na kanë bërë të mendojmë që zbatimin e vendimit ta përshkallëzojmë”, tha kryeministri.

Lajme të ngjashme