Ashpërsohet retorika: Pushteti s'i qorton vetëm serbët në veri, por i "qorton" edhe ShBA-në e BE-në - NACIONALE

Ashpërsohet retorika: Pushteti s'i qorton vetëm serbët në veri, por i "qorton" edhe ShBA-në e BE-në

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Çështja e targave i ka betonizuar qëndrimet e Qeverisë Kurti dhe të faktorit ndërkombëtar. Përderisa pushteti po e zbaton planin e shkallëzuar kundër targave, ShBA-ja e BE-ja vazhdojnë me kritikat e tyre për këtë qëndrim. Sidoqoftë, kritika ka edhe pushteti. Në fakt, një gjuhë më e ashpër është vërejtur dje nga dy eksponentë të Qeverisë Kurti e të Lëvizjes Vetëvendosje.

Qortimi ndaj serbëve që i mbajnë targat ilegale, që filloi dje, duket t'i ketë prekur edhe ShBA-në e BE-në. Dy vartës të Kurtit, njëri në Qeveri e tjetri në parti, u deklaruan në lidhje me targat me një retorikë më të ashpërsuar.

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, dhe Fitore Pacolli, deputete e LV-së, qenë njerëzit që e ashpërsuan gjuhën. Shënjestra e tyre ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët janë deklaruar të zhgënjyer nga vendimi i Qeverisë Kurti për targat.

Ashpërsia

Besnik Bislimi, vartësi i Kurtit në Qeveri, në një intervistë për Radion "Evropa e Lirë", theksoi se plani i shkallëzuar erdhi si korrigjim ndaj Mirosllav Lajçakut, i dërguar posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi.

Kërkesa për shtyrje për 10 muaj ka ardhur si një lloj korrigjimi i kërkesës së Mirosllav Lajçakut (të dërguarit të BE-së për dialogun) që implementimi të bëhet për 12 muaj”- theksoi z.Bislimi.

Tutje, dyshi i Qeverisë i dha edhe një kritikë Lajçakut, duke vlerësuar se ai po e interpreton gabimisht marrëveshjen e vitit 2016.

Ne, meqë vetëm kemi pasur një periudhë dymujore që e kemi zbatuar, ata kanë kërkuar që kësaj t’i shtohen edhe 10 muaj. Unë mendoj që kjo ka si bazë një interpretim të gabuar të zyrës së Lajçakut mbi implikimet që rrjedhin nga marrëveshja e vitit 2016”- deklaroi ai.

Tutje z.Bislimi e thelloi edhe më tej kritikën e tij, duke e cilësuar si të gabuar përfshirjen e të dërguarit të BE-së për dialogun.

Prandaj, edhe në këtë kontekst, mendoj që ka qenë gabim involvimi i z. Lajçak dhe dhënia e rekomandimeve nga ana e tij. Jo vetëm që ka qenë gabim, por ndoshta edhe ka prodhuar efekte anësore të gabueshme”- ka thënë Bislimi.

Ndërsa deputetja Fitore Pacolli dha një leksion mbi sovranitetin, për të cilin do të xhelozonte edhe filozofi francez, Jean Bodin, që ishte ndoshta autori i parë që shkroi mbi sovranitetin.

Zonja Pacolli, që mezi i mori votat për t’u bërë deputete, tha se Kosova do të veprojë si shtet i pavarur.

Mund të shqetësohen, kanë të drejtë, por shteti i Kosovës ka treguar se do të veprojë si shtet i pavarur dhe do të vendosë rend dhe rregull në secilën pjesë të vendit”- ka thënë ajo.

Ajo vlerësoi se vendimi për zbatimin e shkallëzuar të targave është i ligjishëm, duke thënë se nuk po i rrezikojnë marrëdhëniet për pikë të qejfit.

Ne nuk themi se nuk kemi nevojë për partnerët ndërkombëtarë, nuk themi se do t'i rrezikojmë marrëdhëniet për pikë të qefit. Jo (nuk rrezikon marrëdhëniet). Nuk ka gjasa, për shkak se ne i respektojmë deri në pikën e fundit të drejtat e njeriut. Kështu që të vazhdojmë tutje me vendimet tona, është vendim i ligjshëm”- ka thënë ajo.

Analistët

Gazmir Raci, analist, që njihet për gjuhën e afërt me LV-në, në një prononcim për gazetën Nacionale, vlerësoi se Kosova ka të drejtë t'i zbatojë obligimet nga dialogu i Brukselit.

Kosova e ka të drejtën e saj të plotë për t'i zbatuar obligimet nga dialogu i Brukselit. Janë bërë 10 vjet që prej kur është nënshkruar marrëveshja e lirisë së lëvizjes. Ne nuk mund të mbesim peng i politikave të dyfishta të Serbisë, e cila ende ka paqartësi sa i përket politikës së jashtme përderisa Kosova e ka të qartë rrugën e saj euroatlantike”- theksoi Raci.

Megjithatë analistja Zana Avdiu i tha Nacionales se Kurti edhe dështoi ta zbatojë sovranitetin, edhe i lëndoi marrëdhëniet me ShBA-në.

Brenda një jave Amerika për tre herë ankohet dhe shpreh shqetësim për veprimet e Qeverisë së Kosovës. Dhe është hera e parë që Kosova kritikohet ashpër nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa diplomati shumë me peshë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill e kritikon Kosovën që nuk po lejon t'i trajtojë gjërat më rëndësi si anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare por merret më gjëra teknike si targat. Kurti dështoi edhe ta implementojë plotësisht vendimin për targa, por merr shumë vërejtje nga SHBA. Një qorrsokak pa rrugëdalje për Kurtin dhe fatkeqësisht për Kosovën”- vlerësoi zonja Avdiu.

Duke u bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, policia e ka filluar fazën e qortimit ndaj banorëve që mbajnë targa ilegale serbe.

Lajme të ngjashme