Çështja e targave në fokus të medieve botërore: NATO-ja mund të përballet me një tjetër konflikt - NACIONALE

Çështja e targave në fokus të medieve botërore: NATO-ja mund të përballet me një tjetër konflikt

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundmi shpalosi një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, i cili do të zbatohet në disa faza. E fillimi i zbatimit të këtij plani e ka marrë vëmendjen edhe të medieve të njohura evropiane e amerikane. Ato kanë raportuar për situatën në Kosovë.

Fillimisht do të ketë qortim tri javë, masë të gjobitjes dy muaj, targa provuese dy muaj, nga prilli konfiskim.

Ky "shkallëzim" i vendimit nga Qeveria Kurti u përcoll me një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

Në një konferencë për shtyp të ditës së djeshme, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Ned Price, e përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me zhgënjimin ndaj Qeverisë së Kosovës për mosrespektimin e kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë për t'i shtyrë për dhjetë muaj vendimet për targat.

Reagimet e ashpra nga Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Evropian në lidhje me këmbënguljen e Qeverisë për të mos e shtyrë vendimin e zbatimit të targave edhe për 10 muaj, bënë që dje shumë medie ndërkombëtare si BBC, Foreign Policy, Reuters, Newsweek, Daily Mail etj., të shkruanin për situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave.

“Një mospajtim mbi targat e veturave duket një arsye e pamundur për vendosjen e trupave në gatishmëri për t'u përplasur kështu me partnerët ndërkombëtarë. Por Serbia dhe Kosova aktualisht po e bëjnë pikërisht këtë” – ishte hyrja e një shkrimi të gjatë të BBC News-it ku trajtohen zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe Serbi pas këmbënguljes së Qeverisë së Kosovës për të mos i dëgjuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.

“Një kallashnikov qëllon nëpër errësirë. Është një stakato e shkurtër që shpërthen lart, në veri të një ure që ndan dy komunitete të hidhëruara, që jetojnë në një paqe të brishtë, më shumë se 22 vjet pas një lufte brutale civile” – shkruan në një paragraf të shkëputur nga Foreign Policy, ku trajtohen në thellësi ngjarjet aktuale dhe tensionet ndër vite mes Kosovës dhe Serbisë.

Mes tjerash, mediumi amerikan e thekson rritjen e tensioneve në vazhdën e shpeshtimit të operacioneve speciale nga Policia e Kosovës, siç janë shtuar edhe sulmet ndaj tyre – disa që përfshijnë granata dore dhe armë automatike.

Revista javore amerikane, “News Week”, paralajmëron për rrezikun që NATO-ja ta shohë veten para një tjetër konflikti të armatosur në Evropë, pas luftës së Rusisë në Ukrainë.

Edhe gazeta e përditshme britanike, “Daily Mail”, shkroi për vendosjen e trupave serbe në gjendje gatishmërie pas urdhrit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për shkak të një mosmarrëveshjeje për targat e automjeteve, që ka kërcënuar t'i përshkallëzojë më tej tensionet midis dy vendeve.

Kujtojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin të menjëhershme në reagim pas vendimit të kryeministrit Kurti për, siç e quajti ai, "përshkallëzimin" e vendimit për targat në vend të shterjes së tij edhe për 10 muaj të tjerë.

Një komunikatë e ngjashme me deklaratën e sekretarit Blinken është publikuar të premten edhe në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit.

Aty i kërkohet Kosovës që ta zgjasë afatin për zbatimin e vendimit për targa.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që ta zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë ta zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi”- thuhet në reagimin e ShBA-së.

Në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe BE-ja është shprehur e zhgënjyer që kërkesa e tyre nuk është përfillur.

“Ndërsa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët. Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe ShBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”- thekson komunikata.

Lajme të ngjashme