Intervistë | Buja: Veriu kurrë s`do të jetë i qetë, vetëm këmbimi i territoreve sjell stabilitet - NACIONALE

Intervistë | Buja: Veriu kurrë s`do të jetë i qetë, vetëm këmbimi i territoreve sjell stabilitet

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Situata e fundit në veri e ka bindur Ramë Bujën, ish-zyrtar i lartë i PDK-së, se kjo pjesë nuk do të jetë asnjëherë e qetë. Ketë qetësi, sipas Bujës, nuk do ta sjellë as Asociacioni. Ai ka thënë se qetësinë dhe stabilitetin e Kosovës mund t’ia sjellë vetëm shkëmbimi i territoreve me Serbinë.

Ish-nënkryetari i PDK-së, Ramë Buja, beson se problemi kryesor në negociatat Kosovë - Serbi është çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka thënë se Asociacioni do të jetë problematik për Kosovën, edhe nëse bëhet sipas direktivave të Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë intervistë, dhënë gazetës Nacionale, Buja ka vlerësuar se Asociacioni vazhdimisht do të jetë instrument i Serbisë për ta destabilizuar Kosovën.

Zgjidhja më e mirë për Kosovën, sipas tij, është shkëmbimi i territoreve.

"Çështja që na lëndon, jo vetëm Qeverinë, është ajo që dihet, Asociacioni. Kjo është shumë problematike. Edhe me ato korrigjimet që po i bën Gjykata Kushtetuese, përsëri është problematike"- ka thënë Buja.

Ish-deputeti dhe ish-ministri i PDK-së ka vlerësuar se Asociacionin mund ta heqë nga tavolina e diskutimeve vetëm plani për shkëmbimin e territoreve.

"Asociacionin e komunave mund ta heqë nga faqja e diskutimeve vetëm ajo çështje. Përndryshe, ai ka me mbetë gjithmonë, sepse ne kemi vënë dy firma në Bruksel"- ka thënë ai.

Sipas tij, idenë e këmbimit të territoreve nuk e kanë kuptuar mirë njerëzit.

Ai ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të kritikave të mëdha që janë bërë ndaj këtij plani.

"Kjo çështje, që e parapërmenda, është heritizuar aq shumë, është fyer aq shumë, është poshtëruar aq shumë, është mohuar aq shumë, sa është e vështirë t`i flasësh njeriut te zakonshëm, sepse të thotë se po dëshiron me e shitë ose po doni me falë,"- është shprehur Buja.

Ndër të tjera, zyrtari i PDK-së ka thënë se veriu i Kosovës kurrë nuk do të jetë territor i qetë.

"Duhet ta dimë mirë, historikisht dhe aktualisht, se vendi është i atij që banon aty. Dhe ne e dimë përqindjen e popullsisë së veriut të Kosovës. E dimë që është territor i joni, e dimë që është ndërruar në vitin 1956, na është marrë andej dhe na është dhënë kjo për ta ndryshuar strukturën etnike. Krejt këto gjëra i dimë, por nuk duhet ta mbajmë peng më këtë çështje për djalin, për nipin e për stërnipin. Sepse unë kam bindje, mos ia qëllofsha, që edhe 800 vjet ajo anë nuk ka me qenë kurrë e qetë, duke qenë instrument i Vuçiqit dhe “vuçiqëve” të tjerë që do të vinë në pushtet në Serbi”- ka thënë ai.

Madje Buja ka bërë me dije se është ndër të parët që e ka prezantuar në opinion idenë e këmbimit të territoreve.

Ai ka treguar se për këtë çështje ka folur menjëherë pas luftës.

"Për ta zgjidhur këtë problem për 100 vjet, do të ishte mirë të mendohet. Kjo ka qenë ide imja e kahershme, në vitin 2001 ose në fillim të vitit 2002, kur e kam botuar këtë gjë"- është shprehur ai, duke shtuar se nuk ka zgjidhje më të mirë se kjo për zgjidhjen e problemit në mes të dy vendeve.

"Vetëm ajo gjë mund ta kishte sjellë stabilitetin dhe mundësinë e zhvillimit ekonomik. Përndryshe, unë për vete [nuk shoh] rrugë që mund të zgjidhet problemi i katër komunave, meqenëse janë në kufi me Serbinë"- ka theksuar ai.

Megjithatë, ai ka pranuar se kthimi te kjo ide tani do të jetë i vështirë.

"Nuk e besoj se ka zgjidhje optimale, logjike dhe përmbajtjesore pa këtë. Unë po druaj se mos na ka ikur treni. Këtë gjë po e bën Vuçiqi për të na ikur përfundimisht treni i kësaj gjeje"- është shprehur ai.

Qeveria nuk është dashur të merret me targat

Ramë Buja e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për zbatimin e vendimit për targat, i cili i ka nxitur serbët të largohen nga institucionet e Kosovës.

"Gjendja aktuale në Kosovë është me shumë temperaturë. Kush analizon urtë dhe mençur, e sheh me shqetësim të madh, sepse këto që po ndodhin, janë gjëra që nënkuptojnë diçka shumë te keqe, tepër te zezë"- ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria është dashur të merret me gjëra të mëdha.

"Targat nuk është dashur të përfillen fare. Qeveria jonë është dashur të mos merret fare me targat, të bëhet sikur nuk po i sheh, herë me denu dikë e herë mos me e pa. Pra mos me u lëshu në nivelin e targave e stikersave, sepse, në fakt, ky ka qenë synim i Serbisë dhe i Vuçiqit dhe ia ka arritur qëllimit"- ka thënë ai, duke shtuar se Qeveria, në dialog me Serbinë, është dashur të merret me çështje kapitale.

"Është dashur që Qeveria dhe kryeministri të merren me çështje kapitale, të mëdha, si njohja reciproke. Për mua, nuk çon shumë peshë, nëse na njeh apo nuk na njeh Serbia, por të na hapë rrugë. Pra t’i realizojmë njohjen nga pesë vendet e BE-së dhe anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë. Se a do të na njohë Serbia, kjo është çështje pak e rëndësishme, sipas meje"- ka thënë ai.

Zyrtari i PDK-së ka thënë se, me këtë veprim, Qeveria ia ka pështjellur punët vetes.

"Aq shumë i ka pështjellur punët, sa vështirë të ia gjesh vegëzën, siç thuhet, por e mira do ta donte që këta njerëz e safit të parë të poetikës të bëhen bashkë dhe të mendojnë bashkë"- ka vlerësuar ai.

Sipas tij, Kurti nuk e ka merituar që liderët e opozitës të i shkojnë në takim.

"Po të ishte situata më e qetë, nuk ka merituar t`i shkohet. Mos të ishte kjo gjendje e rëndë çfarë është, sepse ti nëse për çdo ditë më shan, me fyen, me poshtëron dhe tani më thua “eja, të bisedojmë”, kjo s`ka logjikë”- ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se tani Qeveria e ka shumë të vështirë të tërhiqet.

Megjithatë, sipas tij, rruga më e mirë është tërheqja.

"Urtësia politike dhe diplomatike e njerëzve që ulen dhe nuk flasin e as nuk veprojnë me emocion, por flasin dhe veprojnë me arsye, mbase mund të na nxjerrin nga kriza. Përndryshe, është bukur rëndë"- ka thënë ai.

PDK-ja po i imiton partitë e tjera

Në këtë intervistë, Buja ka folur edhe për dorëheqjen e tij nga posti i nënkryetarit të PDK-së.

Ai ka thënë se këtë veprim e ka bërë, sepse nuk ka qenë i kënaqur me kryesinë dhe grupin parlamentar të PDK-së.

"Unë i kam thënë edhe kryetarit se po largohem nga këto dy pozicione dhe arsyet ia kam thënë atij, duke mos qenë i kënaqur me vendimet e kryesisë dhe të grupit parlamentar"- ka thënë ai.

Me veprimet e saj, ka deklaruar ai, PDK-ja po i imiton partitë e tjera politike.

"PDK-ja ka pasur një dinamizëm tjetër veprues, në një kohë tjetër. Tash po duket sikur është imituese e ndonjë partie dhe kjo nuk i shërben dhe nuk duket hiç logjike për PDK-në, me emrin që e ka, me historikun që e ka dhe me realizimet që i ka bërë"- është shprehur ai.

Ai ka treguar se çka i ka thënë kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, kur e ka njoftuar për dorëheqjen.

"Unë ia pata thënë edhe një shprehje popullore, i thashë: Kryetar, unë nuk jam mësuar të ia hijeshoj odën kurrë askujt, në asnjë rast dhe në asnjë moment. Kështu që nuk kam ardhur për ta hijeshuar as odën tënde"- ka thënë ai.

Sipas tij, PDK-ja duhet të jetë më dinamike në aktivitetin e saj opozitar.

"Ka shumëçka që duhet të bëjë ndryshe PDK-ja. Duhet të jetë më dinamike në parlament, shumë me dinamike sesa tash, që është relativisht e heshtur. I bëjnë disa gjëra të mira, por duhet të jetë esëll në çdo seancë parlamentare"- ka thënë ai.

Buja ka paralajmëruar se pakënaqësitë me partinë do t`i adresojë edhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Drejtues.

"Ne e kemi Këshillin Drejtues, që është organ vendimmarrës i partisë. Meqenëse këto gjëra janë bërë publike, ne ia kemi për borxh që kur të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues, t`i themi ato që duhet t`i themi dhe t’u propozojmë se çfarë duhet bërë më mirë, sepse vetëm të kritikosh, nuk ka logjikë"- ka thënë ai.

Lajme të ngjashme