Qalaj: NATO i ka kërkuar Qeverisë të mos dërgojë forca shtesë të Policisë në veri - NACIONALE

Qalaj: NATO i ka kërkuar Qeverisë të mos dërgojë forca shtesë të Policisë në veri

1 vit më parë

nga Besian Beha

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës tash deputet i PDK-së, Rashit Qalaj, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka deklaruar se NATO-ja dhe KFOR-i i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës, të mos dërgojë forca shtesë të Policisë në veriun e vendit.

Qalaj ka thënë se këto informacione i ka nga burimet e veta, që sipas tij, kanë ndikuar që Qeveria të hezitojë në dërgimin e forcave shtesë të Policisë në veri.

“Policia Kufitare është e mbështetur nga Njësitet Speciale për kryerjen e punëve të tyre. Ka njësi të Policisë kufitare që uniformën e kanë sikur të Njësive Speciale, ka edhe disa operatorë të Njësive Speciale që po kryejnë punën e tyre, por nuk kemi të bëjmë me dërgimin e forcave shtesë nëpër komunat veriore të vendit. Sipas të gjitha gjasave i është kërkuar qeverisë nga KFOR-i dhe nga NATO që të mos ndërmerr aksione të dërgimit të forcave atje, dhe për këtë e kemi një hezitim të qeverisë. Edhe pse kam pritur qysh ditën e parë që policët serbë të largohen, të zëvendësohen me policë tjerë e stacionet policore të funksionojnë. Sipas disa burimeve të informatave po, është KFOR-i dhe NATO që kanë kërkuar. I keni parë deklaratat që të kursehen nga veprimet e njëanshme”, ka deklaruar Qalaj për Nacionalen.

Qalaj e ka mohuar që policët serbë në veri janë zëvendësuar. Sipas tij, nëpër rrugë nuk ka patrulla të Policisë si zakonisht.

“Nuk është e vërtetë që janë zëvendësuar policët serbë, janë dërguar disa njësi nga Mitrovica e jugut për të ofruar sigurimin fizik të stacioneve që është mirë, sepse aty ka pajisje të komunikmit, databaza, dhoma e dëshmive. Gjithsesi është dashur të ndërmerren hapa për sigurimin e stacioneve. Janë disa policë që kanë punuar në nënstacione, dhe janë bashkëngjitur. Mirëpo kemi të bëjmë vetëm me ruajtjen e objekteve, në rrugë nuk ka policë, nuk ka patrulla. Policia nuk funksionon, njëjtë puna e Prokurorisë. Ata nuk mund të punojnë pa Polici”, deklaroi më tej ish-drejtori i Policisë së Kosovës.

Sipas Qalajt, tash është e pamundur edhe dhënia e qortimeve. Sipas tij, situate në veri mund të tensionohet edhe më tutje.

“Nuk flitet më për fletqortime nuk ka kush t’i shkruajë. Ndoshta dikush nga Policia kufitare, por në brendësi të komunave në veri nuk ka fletqortim, është diskutabile se si do të implementohet ky vendim pas tërheqjes së policëve atje. Më ka befasur reagimi fëmijëror i disa ministrave që kur ata jepnin dorëheqje deputetët e policët, ata shkruanin statuse rrnoftë Kosova”, deklaroi ai.

“Situata është përkeqësur, në sipërfaqe duket qetë, por brenda ka tensione. Nga informatat që posedoj poopullat serbe ka larguar fëmijë e gra për në Serbi duke pritur përleshje të Njësive Speciale me banda. Komuniteti atje është i tensionuar”

Rashit Qalaj në këtë intervistë ka pasur kritika të mëdha për ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se ministri Sveçla ndërhyn direkt në punët operacionale. Madje sipas tij, iu tregon policëve edhe nëse duhet të marrin autoblinda nëpër aksione.

“Nuk mund të bësh krahasime fare pasi me ardhjen e Xhelal Sveçlës si ministër i Brendshëm dhe stafit të tij, ju keni parë ndikim direkt në Policinë e Kosovës sidomos në fushën operacionale, e keni parë që nuk e ka mohuar as vetë z.Sveçla. Ai se ka mohuar që shkon në Dhomën Operacionale e përzihet. Ai flet në telefon jo vetëm eprorët që duhet të flasë, por edhe më pjesëtarë të Njësive Speciale, iu se si duhet të sillen, cilat pajisje duhet t’i marrin, a duhet të marrin autoblindën apo ndonjë veturë tjetër. Këto informata kam. Thërret direkt njerëz në zyrën e tij që s’ka ndodhur kurrë. Kurrë s’ka ndodhur që ministria të përzihet ose ministri në punë operacionel, ka pas tentativa, por ka pasur një murë të padukshëm mes ministrave dhe Policisë”, deklaroi Qalaj.

Qalaj ka theksuar se ish-drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti ka qenë komplet i ndikuar nga Sveçla.

“Ka pasur një drejtor kukull, drejtor pa personalitet e integritet, kur e gjen njeriun edhe vepron. Ish-drejtori që është fatmriësisht nuk është më, ndihmën më të madhe ia ka bërë Policisë është kur ka dhënë dorëheqje. Vetëm bisedoni me policë në rrugë, e shihni sa janë të motivuar në rrugë për shkak të përzierjes në tema operacionale, dhe mungesa e pajisjeve logjistike si këpucët, jelekët antiplumb, nuk ka trajnime në gjuajtje pasi nuk ka plumba. I kanë pasur kontratat aktive, por nuk kanë vepruar”, u shpreh Qalaj.

Ai tha se është e pakuptueshme si ende nuk dihet çfarë ka ndodhur me konkursin për Drejtor të Policisë së Kosovës.

“Pyetjen për konkurs është mirë t’ia bëni ministrit të Brendshëm. Ata nuk japin spejgime pse nuk po vazhdon procesi i intervistimit ose përzgjedhja e Drejtorit. Me përmbylljen e konkursit është dashur të bëhet verifikimi, të krijohet paneli, e të bëhet përzgjedhja. Ndoshta nuk i pëlqejnë individët që kanë aplikuar, ose dikush që nuk i dëgjon, unë nuk e di, por po bëj thirrje që sa më shpejtë të bëhet zgjedhja e drejtorit ose ta anulojë konkursin, sepse Policia në këto momente nuk duhet të funksionojë pa drejtor”, tha Rashit Qalaj.

Lajme të ngjashme