Hyseni: LDK-ja po rrëshqet drejt një partie komuniste, Abdixhiku s`mund të më largojë nga partia - NACIONALE

Hyseni: LDK-ja po rrëshqet drejt një partie komuniste, Abdixhiku s`mund të më largojë nga partia

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Ish-zyrtari i lartë i LDK-së, Skënder Hyseni, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj udhëheqësisë së LDK-së.

Ai ka thënë se reagimi i fundit i LDK-së ndaj deklaratave të tij për presidenten Osmani nuk ishte demokratik.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hyseni ka thënë se ai reagim kishte shumë komunizëm.

Hyseni ka mohuar se e ka krahasuar presidenten Vjosa Osmani me ish-diktatorin serb, Sllobodan Millosheviq.

Një pjesë e njerëzve, e kam përshtypjen, kanë reaguar pa dëgjuar çfarë kam thënë. Unë asnjëherë nuk e kam krahasuar zonjën presidente me Millosheviqin, sepse edhe po të donte, kjo nuk mund të bëhet si Millosheviqi. Unë e kam vënë në fokus të diskursit tim politik fenomenin e krijimit të armiqve pa nevojë”- ka deklaruar ai.

Sipas tij, udhëheqësve të Kosovës nuk u takon që të shpikin armiq.

Millosheviqi, gjatë viteve të nëntëdhjeta, organizoheshin të ashtuquajturat mitingje të së vërtetës, duke ia mbushur mendjen popullit serb qysh krejt bota janë armiq të Serbisë. Madje edhe Vatikani. Dhe e dimë ku ka përfunduar Millosheviqi. Dhe kam thënë se nuk është e vërtetë që Kosova ka armiq në Bruksel, nuk është e vërtetë që Borrelli është armik i Kosovës”- ka thënë ai.

Hyseni ka deklaruar se reagimi i LDK-së ndaj deklaratave të tij për presidenten ishte i llojit komunist.

Ajo që më bëri përshtypje dhe pak më shqetësoi, është rrëshqitja e LDK-së dhe e Lumir Abdixhikut kah një parti komuniste, e cila bën distancime e diferencime”- ka thënë ai.

Ai është shprehur i habitur me reagimin e partisë së tij.

Kaherë nuk kam parë një tekst më të shkurtër, që përmban shumë komunizëm ekstrem. Distancim, ftesë medieve që pse po merreni me Skënder Hysenin, përpjekja për t’ia mbyllur gojën dikujt, domethënë për ta ngulfatur lirinë e fjalës në një vend demokratik. Dhe krejt në fund, distancimi”- ka thënë Hyseni.

Më tej, ai ka treguar se në cilën kohë është vepruar në këtë mënyrë.

Pas demonstratave të vitit ‘81, komitetet partiake të Lidhjes së Komunistëve të ish-Jugosllavisë e të Kosovës bënin grupe për diferencimin e njerëzve, që nuk pajtoheshin me ta. Ato diferencime përfundonin me burg për këta të diferencuarit dhe të distancuarit. Prandaj ky Abdixhiku, para se të bënte fizkultura të tilla, duhet të mendojë shumëfish”- ka thënë Hyseni, duke shtuar se LDK-ja, pa e dëgjuar intervistën e tij, është rreshtuar krah Kurtit e Osmanit.

LDK-ja nuk e ka lexuar dhe dëgjuar intervistën time, por ka qenë një rreshtim absurd krah Vetëvendosjes, Albin Kurtit, Vjosa Osmanit dhe të tjerëve. Kjo për mua është shqetësuese, sepse ta lë shijen që ajo celula e LV-së brenda LDK-së, që unë kam thënë se ekziston, është më shumë anti-LDK e pro Vetëvendosjes sesa LDK”, ka vlerësuar Hyseni.

Ndër të tjera, ish-zyrtari i LDK-së ka thënë se është më LDK se kryetari i partisë.

Unë jam LDK më shumë se Lumir Abdixhiku, ju siguroj. Nuk mundet mua me më larguar nga partia ime, në të cilën kam lënë 30 vjet, një fëmijë që flet pa menduar”- është shprehur ai.

Kërkimfalja

Skënder Hyseni ka thënë se LDK-ja do të duhej t`i kërkonte falje për atë reagim.

Nuk i ftoj ata që të më kërkojnë falje, edhe pse do të duhej të kërkonin falje, sepse kanë bërë një deklaratë të turpshme”- është shprehur Hyseni.

Ai ka bërë me dije se nuk kupton pse reagoi LDK-ja ndaj deklaratave të tij për presidenten.

Unë vërtet nuk e kuptoj çfarë do ta ketë shtyrë LDK-në, nuk i është referuar askush LDK-së. Madje unë çdo herë e bëj të qartë se flas në emrin tim personal. LDK-ja nuk ka distancuar asnjëherë askënd. Nuk ka diferencuar asnjëherë. Prej Vjosa Osmanit deri te Lumir Abdixhiku, madje edhe kanë votuar kundër vendimeve të LDK-së, por edhe atëherë, nuk i ka distancuar askush. Është një virus si duket i ri që është futur në LDK me ata që pretendojnë që ne duhet të turpërohemi nga e kaluara e LDK-së”- ka thënë ai.

Ai ka treguar se pas reagimit të LDK-së ndaj tij, ka marrë shumë mbështetje prej aktivistëve të kësaj partie.

Distancimi i LDK-së

Pas deklaratave të Skënder Hysenit për presidenten Osmani, kishte reaguar zëdhënësja politike dhe anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Sibel Halimi.

Ajo pati thënë se LDK-ja distancohet nga gjuha e Skënder Hysenit.

LDK –ja jo vetëm që distancohet nga gjuha e tij, por LDK-ja ka dy vjet që është distancuar nga mendësia e tillë politike” – na tha znj. Halimi.

Ajo është shprehur e habitur se si këto figura ende zënë vende në hapësirën mediale.

Është për habi, gjithsesi, se si figura pa fuqi politike e partiake sot zënë hapësira mediale dhe e kontaminojnë diskursin publik.

Gjatë një interviste në televizionin “Tëvë1”, Hyseni e ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani për kritikat kundër kryediplomatit Josep Borrell. “Edhe Millosheviqi e quante krejt botën armiq të Serbisë, atëherë kur bota neve na ndihmonte, edhe ata e quanin krejt botën, krejt bota janë armiq të Serbisë. Edhe Vjosa Osmani dje tha se krejt bota janë armiq të Kosovës dhe po ia mbajnë anën Serbisë. Po kjo nuk është e vërtetë fare” – ishte shprehur Hyseni.

Reagimi i LDK-së ndaj Hysenit ishte prej reagimeve më të ashpra që LDK-ja ka bërë ndaj ndonjë ish-zyrtari të kësaj partie.

Lajme të ngjashme