LDK distancohet nga Skënder Hyseni, e denoncon ashpër gjuhën e tij - NACIONALE

LDK distancohet nga Skënder Hyseni, e denoncon ashpër gjuhën e tij

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Skënder Hyseni gjatë ditës së djeshme bëri një krahasim mjaft të përçudshëm mes presidentes Osmani dhe ish diktatorit jugosllav Sllobodan Millosheviq. Këto deklarime kanë nxitur edhe reagimin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sfera publike e politike në Kosovë po vazhdon të ndotet me gjuhë të urrejtjes dhe mosdurimit, gati nga të gjitha anët. Fjalët e fundit të Skënder Hysenit, megjithatë ishin vetëm të fundit që i dhanë shpërthim një vale të re të gjuhës së papranueshme vulgare.

Nacionale ka pyetur partinë më të vjetër parlamentare në lidhje me këtë krahasim që e bëri z. Hyseni, i cili ishte pjesë e LDK-së për kohë të gjatë.

Zëdhënësja politike dhe anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Sibel Halimi, ka thënë se LDK distancohet nga gjuha e Skënder Hysenit.

“LDK jo vetëm që distancohte nga gjuha e tij, por LDK ka dy vite që është distancuar nga mendësia e tillë politike,” – na tha znj. Halimi.

Znj. Halimi vazhdoi më tej, duke denoncuar edhe hapësirën mediale që merr Skënder Hyseni – ish ministër i Punëve të Jashtme – në Kosovë.

“Është për habi, gjithsesi, se si figura pa fuqi politike e partiake sot, zënë hapësira mediale dhe kontaminojnë diskursin publik.”

Ky është reagimi më i ashpër që LDK-ja e bën ndaj një ish zyrtari të kësaj partie. Hyseni kishte kritikuar edhe vetë Lumir Abdixhikun, kryetarin e partisë që po shënon një rritje të madhe bazuar në sondazhet e publikuara deri më tash.

Çka tha Skënder Hyseni?

Në një prononcim për Tëvë1, ai komentoi deklaratën e bërë nga presidentja Vjosa Osmani kundër kryediplomatit Josep Borrell.

“Edhe Millosheviqi e quante krejt botën armiq të Serbisë atëherë kur bota neve na ndihmonte, edhe ata e quanin krejt botën, krejt bota janë armiq të Serbisë. Edhe Vjosa Osmani dje tha se krejt bota janë armiq të Kosovës dhe po ia mbajnë anën Serbisë. Po kjo nuk është e vërtetë fare,” u shpreh z. Hyseni.

Reagimi i mëtejmë

Krahasimi i bërë nga ana e z. Hyseni ka provokuar reagime të ashpra nga njerëzit e afërt të presidentes Vjosa Osmani.

Minsitrja Donika Gërvalla shau rëndë Hysenin duke u shprehur si vijon:

“Ja fytyra e vërtetë e personazheve më të gërditshme të historisë së re të Kosovës, e atyre që e vodhën, e plaçkitën, e mashtruan, e futën në udhë pa krye Kosovën,”tha Gërvalla mbrëmë me anë të një statusi në Facebook.

Ajo madje edhe e mallkoi ish ministrin e Jashtëm. “Zoti të marroftë, Skënder Hyseni, për këto fjalë të pafalshme!”

Edhe më i papërmbajtur në gjuhë u tregua Prindon Sadriu, Burri i Parë i Kosovës, që e quajti Hysenin “superskandaloz imoral, ngacmues dhe shkatërrimtar i shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës.”

Lajme të ngjashme