‘Hajt ta shohim’: Vettingu dhe Byroja, pakënaqësia e Kica-Xhelilit për të cilën e dinte edhe kryeministri Kurti - NACIONALE

‘Hajt ta shohim’: Vettingu dhe Byroja, pakënaqësia e Kica-Xhelilit për të cilën e dinte edhe kryeministri Kurti

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Reformat në drejtësi, më konkretisht çështja e Vettingut dhe Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, janë arsyet e largimit të Doarsa Kica – Xhelilit nga lista ‘Guxo’ dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. Përpos partisë, edhe kryeministri Albin Kurti e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishin të informuar për pakënaqësinë e saj.

Të gjitha këto i konfirmoi sot deputetja Kica – Xhelili, në një rrëfim në Rubikon pas shumë raportimeve për largimin e saj nga ‘Guxo’, kalimin në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe akuzat që i mori nga eksponentët e LVV-së.

Një takimi me presidenten Osmani, i parapriu abstenimi i deputetes në votimin për Byronë, ndërsa nga Kurti e Haxhiu, mori një arsyetim se “projektligji do të përditësohet në Kuvend”.

Reformat në drejtësi – ‘Hajt ta shohim’

Si një prej arsyjeve kryesore pse u largua nga ‘Guxo’, Kica – Xhelili tha se e ka theksuar disa herë që është gabim mënyra se si po materializohet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Për krejt këtë, Kurti e Haxhiu patën një arsyetim se do të bëhen ndryshime, por nuk dhanë përgjigje tjetër për deputeten që tani ka kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Reformat në drejtësi nuk janë çështje që ne duhet të hamendesohemi “hajt ta shohim” se si do të funksionojë, ose ta lëmë plotësisht. Kam pasur komunikime me ministren Haxhiu dhe kryeministrin Kurti për qëndrimet e mija për Byronë, e kam shfaqur pakënaqësinë…Nuk kanë arsyetim. Arsyetimi i vetëm ishte se do t’i bëjnë ndryshimet në Kuvend. Kjo është një çështje që nuk e shoh se si do të ndryshohet. Nëse projektligji kalon ashtu siç është, është rrezik”, ka thënë ajo.

Tutje deputetja Kica-Xhelili, ka thënë se pasi abstenoi në Kuvendin e Kosovës, pati edhe një takim me presidenten Osmani, por se diskutimet, thotë se ishin “private”.

“Me presidenten nuk jam takuar para se të votoj për Byronë, jam takuar vetëm pas abstenimit. Janë diskutime private, më e pakta që mund të bëj është t’i mbaj të tilla. Aty ndër të tjera kemi pasur edhe diskutim për Byron. I kam argumentuar pse kam abstenuar. Është diskutim privat që nuk mund të shpërfaqë sonte”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se u kalua një “propozim kundërkushtetues”, dhe se këto, janë konstatuar edhe nga Komisioni i Venecias.

“Unë mendoj që gabimi primar u bë, ne krijuam një predecent në Kuvend, ku ne thamë që do ta kalojmë një propozim kundërkushtetues, sepse mendojmë që do të kalohet në Kuvend. E ka thënë edhe Komisioni i Vecenias këtë…Nuk po më duket që kjo po ndodhë vetëm me projektligjin për Byronë. E pash në media që është dërguar në Kuvend një folder për Vettingun, e pashë që ka të bëjë me amandemntet kushtetuese. Duke pasur parasysh se sa kohë në parim merr projektligji, e kam ndjesinë se nuk është hormanizuar, nëse është dorëzuar në Kuvend pa hormanizuar”, tha ajo.

Duke folur për reformat në drejtësi, Kica-Xhelili tha se nuk mjafton vetëm synimi, por se duhet të ketë reflektim dhe të mos jenë kaq të ngutshëm në votimin e Vettingut dhe Byrosë.

Largimi nga ‘Guxo’ që pretendon se është ‘LDK e vërtetë’

Deputetja tashmë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili ka folur edhe për largimin e saj nga lista ‘Guxo’, duke theksuar se pa presidenten Vjosa Osmani, kjo parti nuk ishte e njëjta.

“Dhe unë në fakt personalisht e kam ofruar edhe zyrën time në Kuvend, si kryesuese e komisionit për Adminstratë Publike, ku edhe do të jap dorëheqje. Kam dashur të jap celsat e zyrës që të takohemi dhe të dimë si qëndrojmë. Jo vetëm të krijojmë diferenca me LVV, po të dijmë si qëndrojmë ne. Në kuptim të asaj si dolëm në fushatë, ishte e qartë, ka qenë momentumi i qartë, po më pas qartësia humbi. Kur pyesja çka na bën neve të ndryshëm… ne duhet të kuptonim pse jemi vlerë e shtuar në politikën kosovare”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se në secilin takim të listës ‘Guxo’, pretendohej se kjo parti është “LDK-ja e vërtetë” dhe se paraqiteshin si rugovistë.

“Nëse flasim për meritat individuale, ajo është çështje tjetër…Nuk është që kam mendu se nuk ka vizion, kam insistut ta kuptoj atë vizion. E kam gjet vetën në takime në struktura të ‘Guxo’, ku shpesh është përmendur fakti se është LDK-ja e vërtetë. Kjo ka qenë edhe narrativa në Kuvende Zgjedhore. Unë jam ndjerë e përjashtuar, sepse unë nuk isha pjesë e strukturave të LDK-së”, ka thënë ajo.

Mes tjerash, Kica-Xhelili tha se ka dhënë dorëheqje më 5 gusht, por se Peci e Gërvalla kanë qenë gati dy muaj më parë të njoftuar rreth kësaj.

Deputetja foli edhe për sulmet nga LVV-ja, duke thënë se nuk e ka pasur kurrë synim t’i bashkohet kësaj partie.

“I kuptoj reagimet, por ajo që është e mirëqenë dhe e pakontestueshme, unë në asnjë moment nuk kam thënë që do t’i bashkangjitem LVV-në. Nuk e kam pasur atë synim. Është çështje e ideologjisë si e shohim vendin. Në fakt njoftimin për tërheqjen nga Guxo, e kam bërë shumë më përpara”, tha ajo.

Lajme të ngjashme