Në Pekin, Blinkeni e diskuton shqetësimin për përkrahjen e Rusisë nga Kina - NACIONALE

Në Pekin, Blinkeni e diskuton shqetësimin për përkrahjen e Rusisë nga Kina

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, ngriti shqetësime të premten për përkrahjen e ushtrisë ruse nga Kina, njëra nga shumë çështjet që rrezikojnë ta prishin përmirësimin e ri të marrëdhënieve mes dy ekonomive më të mëdha botërore.

Kryediplomati amerikan e ngriti çështjen gjatë bisedimeve që zgjatën pesë orë e gjysmë me homologun kinez, Wang Yi, në Pekin, kontakti më i ri i nivelit të lartë mes shteteve që e kanë zbutur ashpërsinë që i kishte çuar lidhjet në nivel të ulët historik vitin e kaluar, raporton agjencia “Reuters”.

“Sekretari diskutoi shqetësime për përkrahjen e RPK-së [Republikës Popullore të Kinës] për bazën industriale ruse të mbrojtjes” – tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Matthew Miller, duke shtuar se dy palët diskutuan edhe për Tajvanin, Detin Jugor të Kinës dhe pika të tjera të nxehta.

Pavarësisht nga bashkëpunimi “pa kufij” me Rusinë, Kina nuk i ka ofruar armë Moskës për luftën e saj në Ukrainë.

Megjithatë, zyrtarë amerikanë paralajmërojnë se kompanitë kineze po e ndihmojnë industrinë e armëve me shtim të pashembullt që e ka ndihmuar ndryshimin e rrjedhës së luftës. Për shembull, importi më i lartë i veglave të makinerisë nga Kina e ka ndihmuar Rusinë që ta shtojë prodhimin e raketave balistike, thonë amerikanët.

Kina ka thënë se nuk i ka dhuruar armë asnjërës palë, duke shtuar se Pekini “nuk është prodhues e as palë e përfshirë në krizën ukrainase”. Megjithatë, Kina thotë se tregtia normale e saj me Rusinë nuk duhet të pengohet ose kufizohet.

Lajme të ngjashme