Gjiganti i madh medial në Shqipëri fillon një përplasje me Edi Ramën - NACIONALE

Gjiganti i madh medial në Shqipëri fillon një përplasje me Edi Ramën

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Që disa ditë në Shqipëri po ndodh një çudi, zor e konceptueshme. Kryeministri Edi Rama dhe gjiganti mediatik, "Top Channel", e kanë filluar përplasjen nga distanca, pasi televizioni transmetoi disa kronika kritike ndaj qeverisjes së liderit të PS-së. Ramës, që njihet për gjuhën jokorrekte ndaj medieve, nuk i pëlqyen titujt në edicionin e së dielës në "Top Channel". Dhe këtë e bëri publike.

Shefi i Qeverisë së Shqipërisë, kronikat me ton kritikues të televizionit i quajti “dezinformim e nxitje” kundër ekzekutivit. Doza e kritikës së "Top Channel"-it ishte e pashembullt, ndonëse që nga largimi i Sokol Ballës nga pozita e drejtorit, televizioni ka filluar t'i “nxjerrë shpatat” kundër Ramës.

E gjithë kjo i ka zënë në befasi analistët e gazetarët nga Shqipëria, që po vazhdojnë të hamendësojnë për këtë ndryshim kursi në qëndrimet redaktoriale të "Top Channel"-it.

Ndodhia e papritur

E diel, 30 tetor. Edicioni qendror i lajmeve në "Top Channel", njëra nga mediet kombëtare të Shqipërisë. Titujt e kronikat e disa prej lajmeve kryesore të televizionit janë shumë kritike kundër Qeverisë Rama, aq sa njëra shërben si paralajmërim për “shpopullimin” e Shqipërisë.

Një nga tre shqiptarë iku nga Shqipëria”, “Të pastrehët e tërmetit”, “Kryeministri merr “peng” diplomat”, qenë disa prej titujve të kronikave jashtëzakonisht kritike ndaj qeverisjes së Edi Ramës.

Çfarë risie! "Top Channel", që me vite ishte i afërt me Ramën, tash kritik ndaj kryeministrit Rama që e udhëheq Shqipërinë nga viti 2013. Pas nëntë viteve mbështetje, "Top Channel"-i e kapërcen “rubikonin”, duke e kritikuar mënyrën se si qeveris i shumëkritikuari Rama.

Padurueshmërinë me kritikën e "Top Channel"-it e bëri publike Rama në Twitter, ndonëse nuk e përmendi me emër televizionin.

““700 mijë shqiptarë kanë ikur 12 vitet e fundit”•“7 punonjës në ditë ikin nga policia”•”Tre vite pas tërmetit s’kanë shtëpi”.Këta janë tituj lajmesh të rreme në ekrane private kombëtare që kanë një mision: Dizinformim e nxitje kundër qeverisë!Arsyeja? Duan favore të paligjshme!”, shkroi z.Rama.

Por i pari i Qeverisë së Shqipërisë nuk u ndal me kaq, duke e përmendur edhe “aleancën e Rublave”, një metaforë e përdorur për t'i kthyer në vëmendje dyshimet e akuzën se para ruse hynë në Partinë Demokratike vite më parë.

Aleanca e Rublave është përditë e më e qartë, çdo ditë e më e tërbuar, ditë pas dite më e dëshpëruar! Një zëdhënës i saj, ngrënës i paepur i turpit me bukë apo i bukës me turp: S’kanë faj ata që shpifin, po ka faj kryeministri që s’bën transparencë për çdo shpifje! #DavaRublash”, vazhdoi Rama.

Kryeministri Rama e vazhdoi sulmin ndaj "Top Channel"-it edhe këtë të mërkurë, duke shpërndarë një dokument që, sipas tij, është "shembull se si funksionon shantazhi mediatik".

E një përgjigje për këtë akuzë publike ka kthyer vetë televizioni "Top Channel", duke sqaruar se dokumenti i publikuar është pjesë e projekteve të "Top Media"-s.

"Top Media sqaron se ky dokument është pjesë e projekteve që Fondacioni “Dritan Hoxha”, që aplikon prej 15 vitesh në institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, që kanë për qëllim promovimin, advokimin e vlerave të vendit tonë dhe virtyteve të shoqërisë tonë.", thuhet në reagimin e "Top Channel"-it, që mund ta lexoni të plotë këtu.

Ndryshe, "Top Channel"-i që dhjetëra ditë ka nisur një ofensivë kritike ndaj Ramës, madje duke e ngritur alarmin se Shqipëria po rrëshqet “drejt autokracisë”.

Pse?

Andi Bushati, njëri nga analistët më të njohur e të respektuar në Shqipëri, ende nuk ka arritur ta rrokë krejt të vërtetën e ndodhisë së befasishme. I pyetur nga gazetarja e Nacionales, Arta Avdiu, rreth kësaj përplasjeje “titanësh”, z. Bushati ishte i qartë për paqartësinë e situatës.

"Të them të drejtën nuk jam shumë i qartë se çfarë po ndodh Arta", theksoi z.Buzhati.

Por, në një postim në Facebook, Bushati theksoi se në këtë përplasje nuk ka asgjë parimore.

Të gjithë e dinë se në këtë përplasjen Rama -Top Channel nuk ka asgjë parimore. Por ama ajo na shërben për të kuptuar se kemi mbërritur në një pikë ku autokrati e quan shantazh po t’i thuash të vërtetën, sepse ato që u kujtua të denoncojë tani TCH (shpopullimi, çmimi i naftës apo kalvari i atyre që humbën shtëpite nga termeti) janë fakte të pranuara publikisht prej kohësh.”, shkroi Bushati në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa gazetari Gjergj Erebara ka shkruar ditë më parë se reagimi i Ramës ndaj "Top Channel"-it është një përpjekje për t’u bërë si “i pashantazhueshëm”.

"Po në rast se Rama nuk ka dhënë kurrë asnjëherë ndonjë favor të paligjshëm për “ekrane private kombëtare”, çudi si i shkon në mend këtyre ekraneve ta shantazhojnë. Në fund fare ky ka dhjetë vjet në pushtet. Do ta kishin marrë vesh prej kohësh që është i pashantazhueshëm!!!," shkroi z.Erebara, që është gazetar në BIRN të Shqipërisë.

Kujtojmë që Shqipëria është ranguar jo mirë në Indeksin e Sundimit të Ligjit të matur nga “Wolrd Justice”, saktësisht në vendin e 87-të nga gjithsej 140 vende sa qenë pjesë e matjes. Madje ajo është rënditur shumë më keq se Kosova, e cila u listua në vendin e 57-të.

Shqipëria qëndron keq edhe në matjet e "Reporterëve pa Kufij" në lidhje me lirinë e medieve, duke u renditur e 103-ta në botë në vitin 2022, gjersa Kosova është në vendin e 61-të.

Lajme të ngjashme