Edi Rama u premtoi parajsën, por Birra Peja paguan akcizë më të lartë në Shqipëri se në Serbi
Darkat e muhabetet e gjata mes Edi Ramës e bizneseve të Kosovës, nuk është se po ndihmojnë deri tash për një klimë më të mirë të të bërit biznes për kompanitë e mëdha kosovare. Birra Peja, një nga produktet më të shitura të Kosovës, po përballet me vështirësi në të bërit biznes në shtetin shqiptar.
Madje, akciza që ajo paguan në Shqipëri, është më e lartë se pagesat që kryen në Serbi!
Goja plot me premtime për lehtësira biznesore nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që nuk është se janë parë shumë nga kompanitë kosovare. Madje as grupi në Whatsapp, i formuar nga kryeministri me 60 biznesmenë kosovarë, me synimin për t’ua lehtësuar qasjen në Shqipëri, duket të mos ketë kryer fort punë.
Akciza e lartë
Birra Peja, që është pije alkoolike e prodhuar nga Devolli Group, po ka vështirësi në tregun shqiptar.
Akciza që i është vendosur Birrës Peja është shumë e lartë, gjersa kompanitë në Shqipëri, të cilat kanë shitje shumë më pak se birra kosovare, paguajnë akcizë përgjysmë më pak.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, zyrtarë të Birra Peja ankohen për akcizën e vendosur nga Shqipëria për produktin e tyre.
“Akciza është shumë e lartë dhe ne paguajmë shuma tejet të larta për akcizë. Pra, ne paguajmë akcizë 30.8 lekë për litër”, thonë ata në përgjigjen për Nacionale.
Përkundër premtimeve për “parajsë biznesore” nga Rama, një gjë e tillë nuk po ndodh.
Klima e të bërit biznes me të cilën përballet Birra Peja në Shqipëri, paradoksalisht është edhe më e keqe se në Serbi.
Në përgjigjen e kompanisë thuhet se akciza që paguan Birra Peja në Shqipëri, është me lartë se shuma që paguan në Mal të Zi dhe Serbi.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Doganës së Shqipërisë, duke pyetur për shumën e akcizës që paguan Birra Peja dhe nëse paguan të njëjtën akcizë sikurse birrat e importuara nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Tutje, Nacionale është interesuar edhe nëse prodhuesit kosovar të birrës i vendoset akcizë e dyfishtë. Por, deri në publikimin e artikullit, përgjigjja e autoritetit shqiptar ka munguar.
Premtimet e Ramës
2 javë më parë, Nacionale ka shkruar në lidhje me marrëdhëniet që kryeministri Rama synonte t’i ndërtonte me biznesnet e mëdha kosovare.
Për shkak se në Kosovë, sipas ekspertëve të ekonomisë, mbizotëron një klimë e fortë anti-biznes, biznesmenët më të mëdhënj kosovarë kanë shqyrtuar mundësitë që veprimtaritë e tyre t’i shtrijnë në Shqipëri.

E pak kohë më parë, Rama mblodhi në rezidencën shtetërore në Vlorë rreth 60 biznesmenë kosovarë.
Burime të gazetës Nacionale kishin njoftuar se ky takim ka pasur për qëllim ofrimin e një hapësire të madhe investimesh për biznesmenët në fjalë.
Njëri nga biznesmenët pjesëmarrës, theksonin burimet, ka kërkuar që të hapej një Zyrë në Shqipëri për bizneset e Kosovës, por kryeministri shqiptar ka pasur një ide tjetër.
Në mënyrë që bashkëpunimi të ishte sa më i afërt, dhe kërkesat e afaristëve kosovarë të plotësoheshin sa më shpejt, Edi Rama ka propozuar që të hapej një grup në rrjetin social WhatsApp, e ku do të futeshin të gjithë që ishin prezentë aty, përfshirë edhe vetë kryeministrin.
Mes tjerash, kryeministri shqiptar u ka ofruar atyre qasje edhe në investime në energji diellore, e për të cilën interesi është shumë i lartë në kohën kur po përballemi me një krizë të paprecedentë me energji.
Nuk dihet se si do të zhvillohet tutje ky komunikim mes kryeministrit Rama e biznesmenëve kosovarë në Whatsapp, por një gjë është e sigurt: Birra Peja do të vazhdojë të paguajë akcizë të lartë në Shqipëri. Shumë më të lartë se që paguan në Serbi!



