Drejtori që s’po vjen – tash e 5 muaj Policia e Kosovës udhëhiqet nga ushtrues detyre - NACIONALE

Drejtori që s’po vjen – tash e 5 muaj Policia e Kosovës udhëhiqet nga ushtrues detyre

1 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Kanë kaluar pesë muaj që kur Samedin Mehmeti ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Dorëheqja e Mehmetit, kishte ardhur pas dhunimit të një vajze 11-vjeçare në Prishtinë nga pesë persona, në gushtë të vitit të kaluar.

Për dorëheqjen e tij kishte njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili kishte thënë se Kryeministrin, Albin Kurti e kishte liruar menjëherë nga detyra Mehmetin dhe e kishte vendosur Fehmi Hotin si ushtrues të detyrës.

Gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga z. Samedin Mehmeti drejtor i Policisë së Kosovës. Kjo kërkesë sipas z. Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale. Tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm z. Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës.” – kishte shkruar Sveçla.

Mehmeti ishte emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm nga Qeveria Hoti në muajin janar të vitit 2021.

Edhe pas pesë muajve vazhdon të jetë situata e njëjtë.

Më 30 gushtë 2022 u bë zyrtare dorëheqja e Samedin Mehmetit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Sot e asaj dite, institucioni më i rëndësishëm në vend vazhdon të mos ketë një drejtor.

Tash e pesë muaj ky institucion në krye e ka Fehmi Hotin, ushtrues detyre.

Për të marrë më shumë informacione rreth kësaj situate, Gazeta Nacionale ditë më parë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, por pavarësisht insistimi, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tashmë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se është shumë problematike mos zgjedhja e një drejtori të përgjithshëm të Policisë së Kosovës për 5 muaj.

Qalaj ka thënë për Gazetën Nacionale se në Komisionin për Siguri është duke u diskutuar kjo çështje, por nuk kanë marrë asnjë sqarim.

Realisht çështje e drejtorit të përgjithshëm është bërë shumë problematik, për shkak se edhe ne si parti politik po besoj që edhe mediat edhe publiku, nuk janë informuar për arsyen pse nuk po zgjedh drejtori i Policisë së Kosova, nuk ka kuptim si një institucion i rëndësishëm siç është Policia e Kosovës të mbetet me ushtrues detyre për 5 muaj. Edhe në Komision për Siguri jemi duke e dikskutu këtë çështje por nuk kemi një sqarim. Besoj që shumë shpejt do të thirrim ministrin që të na sqaroj se pse nuk është duke vazhduar procesi dhe pse nuk është zgjedhur ende drejtori i përgjithshëm.” – ka thënë Qalaj.

Ai ndër të tjera ka thënë se ushtruesi i detyrës i ka kompetencat e kufizuara, ndërsa drejtori i cakton objektivat.

“Mendoj se është një hendikep i madh për PK, edhe pse është ushtruesi i detyrës, mirëpo drejtori i cakton objektivat dhe së bashku me menaxhmetin punojnë për ti arritur objektivat, ndërsa ushtruesi i detyrës i ka kompetencat më të kufizuara dhe mendoj se mos zgjedhja e drejtorit është duke i bërë dëm institucionit dhe vendit në përgjithësi.” – ka përfunduar ai.

Anton Quni nga Komisioni për Siguri, njëherë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së, ka thënë për Gazetën Nacionale se vonesa në përzgjedhje të drejtorit të ri të PK-së vë në pikëpyetje disa çështje që janë nën autoritetin e drejtorit të policisë.

Vonesa në përzgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Kosovës, padyshim se ndikon në operacionalitetin e policisë si tërësi. Gatishmëria, avancimi i kapaciteteve, mbajtja e vitalitetit, zhvillimi i projekteve deri tek bashkëpunimi ndërkombëtar, janë çështje në masë të madhe nën autoritetin e drejtorit të policisë. Përderisa policisë i mungon i pari i saj, të gjitha këto çështje vihen në pikëpyetje. Me interesimin e vogël për tu sfiduar me këtë përgjegjësi si udhëheqës i policisë, do të duhej të shqetësohemi të gjithë, por në veçanti institucionet më të larta shtetërore. Aq më shumë kur duhet të menaxhohet me situata specifike siç ishte bllokimi i trupave të policisë në pikat kufitare në veri, dhe shtrirja e rendit dhe sigurisë edhe në atë pjesë.” – ka thënë Quni.

Ai ndër të tjera ka thënë se kjo vonesë krijon dyshime që qeveria është në kërkim të drejtorit i cili do të jetë lojal ndaj një kauze partiake.

Është paradoks që Qeveria nuk inkurajon një konkurrencë më kualitative për të parin e policisë. Kjo situatë krijon dyshime se autoritete e qeverisë janë në kërkim apo rekrutim të drejtorit i cili do të jetë lojal ndaj një kauze partiake dhe i cili më shumë do të jetë komisar politik e jo i pari në profesion.” – ka përfunduar Quni.

Lajme të ngjashme