Jep dorëheqje Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti - NACIONALE

Jep dorëheqje Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka treguar se drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Sveçla ka thënë se kjo kërkesë për dorëheqje i ka ardhur nga Mehmeti, pas rastit të fundit të dhunimit të një vajze 11 vjeçare në Prishtinë nga pesë persona.

Ministri ka shtuar se tashmë Kurti e ka liruar nga detyra z. Mehmeti, dhe se ushtrues detyre i drejtorit është emëruar z. Fehmi Hoti.

Mehmeti është emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm nga Qeveria Hoti në muajin janar të vitit 2021. Ai kishte pasuar në këtë detyrë Rashit Qalajn, tashmë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Mehmeti është kontaktuar nga ana e gazetës Nacionale por nuk ka qenë i qasshëm.

Në biografinë e z. Mehmeti të publikuar në faqen zyrtare të Policisë, ai ka një karrierë të gjatë dhe të begatshme në sektorin e sigurisë, përkatësisht në veprimtarinë policore, duke shërbyer në pozita të ndryshme, fillimisht si polic patrullues në stacionin policor” Veriu”, më pastaj si hetues i vrasjeve në regjionin e Prishtinës.

Si mbikëqyrës, në nivelin taktik përkatësisht në gradën e Rreshterit policor ka shërbyer në pozitën e shefit të ndërrimit në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë. Në nivelin e menaxhimit operacional, me gradën Toger ka shërbyer në pozitën Zv. Komandant në stacionin policor ”Jugu” dhe me gradën Kapiten ka shërbyer Komandant i stacionit policor “Veriu” në Prishtinë.

Pas avancimit, në nivelin strategjik në gradën Major, ka shërbyer fillimisht në pozitën Zëvendës Drejtor për Operativë dhe pastaj udhëheqës i njësisë për Tranzicionin e kompetencave policore nga UNMIK-u, në Policinë e Kosovës. Në gradën e Nënkolonelit ka shërbyer në pozitën e Drejtorit të Administratës në kuadër të Departamentit të Policisë Kufitare.

LAJMI NË PËRDITËSIM...

Statusi i z. Sveçla:

Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga z. Samedin Mehmeti drejtor i Policisë së Kosovës.

Kjo kërkesë sipas z. Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale

Tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm z. Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës.

Me këtë rast falënderoj z. Mehmeti për angazhimin e deritanishëm dhe bashkëpunimin e mirë si dhe i uroj suksese në detyrat e mëtejme në Policinë e Kosovës.

Lajme të ngjashme