Për katër javë mbi 70 policë të arrestuar – sa u suspenduan në tri vitet e fundit? - NACIONALE

Për katër javë mbi 70 policë të arrestuar – sa u suspenduan në tri vitet e fundit?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Për më pak se një muaj, saktësisht 74 policë kufitarë u arrestuan në aksione të ndara nga Inspektorati Policor i Kosovës. Të gjithë prej tyre, të dyshuar për marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në muajin mars aksionet nisën në dy pikë-kalimet kufitare në Qafë Morinë e Qafë Prushë. U arrestuan 48 policë. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre sot janë të lirë, dhe procedurat po vazhdojnë duke u mbrojtur në liri. E gjatë ditës së djeshme, 26 policë kufitarë u arrestuan në Vërmicë. Lehtë nuk shpëtuan as kolegët e tyre nga Shqipëria, me të cilët dyshohet se merreshin vesh për vlerat e ryshfetit.

Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale. Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit ‘Pika 2’ ka arrestuar sot 26 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë)”, thuhej në njoftimin e IPK-së.

Por, sa policë u përfshinë në afera kriminale tash e tri vjet?

Vetëm në vitin 2021, Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar mbi 2 mijë ankesa që janë bërë ndaj zyrtarëve policorë. Nëse këto statistika, krahasohen me ato të vitit 2020, ka një rritje të numrit të ankesave ndaj policëve për 355. Kjo pasi në vitin 2020 në IPK ishin pranuar 1658 ankesa të ngjashme. Megjithatë, një numër nga këto ankesa, u vlerësuan si shkelje disiplinore, duke u dërguar në Drejtorinë për Hetime të Brendshme në Policinë e Kosovës.

Gjithësej gjatë vitit 2021 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 213 punonjës të PK-së. E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.3% e punonjësve të Policisë së Kosovës janë hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës me dyshimin se kanë kryer vepra penale”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për gazetën Nacionale.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Inspektorati Policor i Kosoës i ka hetuar 33 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe keqpërdorimeve tjera nga policët. Gjatë gjithë vitit të kaluar, IPK-ja ka kryer 38 arrestime, 85 suspendime dhe 6 transferime për zyrtarët policorë.

Pesë veprat penale më të shpeshta që kanë rënduar mbi zyrtarët policorë janë: keqpërdorimi i detyrës zyrtare, keqpërdorimi i autoritetit zyrtar, lëndimi i lehtë trupor, kanosja dhe dhuna në familje.

Në 13 raste policët janë hetuar për veprën penale kanosje, 23 për lëndim të lehtë trupor, 33 raste të tjera për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, e 27 për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar.

Nëse flasim për komunat, atëherë më së shumti ankesa dhe zyrtarë policorë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, po del se ka Rajoni i Prishtinës me 936 ankesa.

Statistikat nga Policia e Kosovës

Në tri vitet e fundit, 2019, 2020 dhe 2021, numri i policëve të cilëve iu është ndërprerë marrëdhënia e punës është 82. Kurse, në këtë periudhë tri-vjeçare është 288 zyrtarë policorë janë suspenduar. Këto statistika i ka bërë të ditura Policia e Kosovës për gazetën Nacionale.

Lajme të ngjashme