Policët e Kosovës që kontrollohen nga Serbia: A do të suspendohen zyrtarët që morën pjesë në takimin e kryetarëve të veriut? - NACIONALE

Policët e Kosovës që kontrollohen nga Serbia: A do të suspendohen zyrtarët që morën pjesë në takimin e kryetarëve të veriut?

1 vit më parë

nga Besian Beha

Kryetarët serbë të komunave veriore, një ditë më parë u mblodhën për të diskutuar për hapat e tjerë nëse Qeveria e Kosovës vazhdon me reciprocitetin në targa e dokumente. Përveç liderëve politikë, aty ishin edhe disa zyrtarë policorë të Kosovës. Madje, në uniforma.

Prezenca e policëve të Kosovës në një takim të tillë me diskutime politike, është e sanksionuar me rregulloret dhe ligjet e brendshme të Policisë së Kosovës. Megjithatë, deri më tani nuk dihet nëse Policia e Kosovës ka iniciuar ndonjë procedurë të brendshme ndaj tyre.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Policisë së Kosovës për këtë çështje, por që deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë për gazetën Nacionale se duke ditur që në këtë takim është diskutuar mundësia e lëshimit të institucioneve, ndaj këtyre policëve është dashur të merren masa menjëherë.

“Mendoj që nuk lejohet, edhe pse kanë qenë përfaqësues kryetarë të komunave, nuk kanë qenë vetëm në emër të subjektit. Mirëpo për shkak se është folur për mundësinë e lëshimit të institucioneve absolutisht nuk lejohet. Është dashtë që ende pa mbërri ata në zyret e Policisë, është dashtë të suspendohen prej Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”, ka thënë Qalaj.

Qalaj ka bërë të ditur se kjo është çështje administrative, dhe kompetencë kryekëput e Drejtorit të Policisë së Kosovës.

“Sa kam qenë unë drejtor nuk ka pasur raste të tilla, mirëpo realisht kjo është kompetencë e Drejtorit të Përgjithshëm që t’i suspendojë e pastaj të merren masa të brendshme administrative, pasi këtu shkelje penale nuk ka, por janë çështje administrative. Shkelje e rregullores së brendshme”, theksoi Qalaj për Nacionalen.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që komandantët e stacioneve policore në veri, i binden Listës Serbe. Muaj më parë, ata ishin pjesë e një takimi që e kishte mbajtur presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në Beograd.

Ish-drejtori Qalaj ka theksuar se nëse përsëritet vepra, atëherë bie në domenin e shkeljeve progresive.

“Me hetimet e brendshme i parashohin edhe shkeljet progresive, dhe kjo është shkelje e tillë pasi që është hera e dytë apo e tretë. Është kompetencë e Drejtorit të Përgjithshëm. Është dashtë me i suspendu, me fillu hetimet e brendshme Drejtoria e Standardeve Profesionale, e nëse shohin ata se ka shkelje penale me e dërgu në Inspektorat”, u shpreh Rashit Qalaj.

Takimet e tilla janë në kuadër të shkeljeve të rënda disiplinore, bazuar në rregulloret e brendshme të Policisë së Kosovës.

Takimi i djeshëm i kryetarëve serbë të komunave veriore, ishte mbajtur në Zveçan. Aty u miratua një dokument me disa pika, ku i jepej përkrahje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kërkohej themelimi i Asociacionit.

Policët e Kosovës, nën direktivat e Vuçiqit

Në muajin mars, presidenti serb Vuçiq kishte ftuar një takim me strukturat paralele. Në Beograd shkoi edhe kryetarja e Gjykatës së Mitrovicës, e disa komandantë të Policisë së Kosovës. Kjo pasi qeveria refuzoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.

Gazeta Nacionale kishte raportuar se krah për krah me të kërkuarin nga Kosova, Milan Radojiçiq, ishin edhe eprorët më të lartë të policisë në veri. Ata që realisht, do të duhej ta arrestonin Radojiçiqin i cili dy herë ka arritur të arratiset nga Policia. Eprorët serbë të policisë që morën pjesë në takim me Vuçiqin ishin: shefi i hetimeve rajonale në Mitrovicën e Veriut, Nenad Simiq, komandanti i stacionit policor në Mitrovicën veriore, Goran Zivkoviq, Igor Vukadinoviq nga stacioni policor në Leposaviq, komandanti i stacionit policor në Zubin Potok, Zvezdan Milivojeviq.

Pavarësisht se kishte shkelje administrative, procedurën Policia e Kosovës e kishte adresuar në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Për ish-drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, pushteti aktual nuk kishte pasur guxim t’i suspendojë këta komandantë.

“Në rastin e parë ka qenë gabim i madh që ministri i Brendshëm ka ndikuar te drejtori i Policisë dhe e kanë çuar lëndën në Inspektoratin Policor të Kosovës. Aty nuk ka pasur shkelje penale, por administrative, dhe prapë Drejtori është dashtë me i suspendu menjëherë. Mirëpo politikisht këta kanë vepruar, e kanë çuar në Inspektorat me ble kohë, dhe me kohë këto gjëra harrohen”, u shpreh Qalaj për Nacionalen.

E ata tek të cilët Policia e Kosovës e adresoi këtë çështje, kishin nisur hetime. Megjithatë, edhe disa muaj më pas nuk dihet se çfarë mase ishte ndërmarrë ndaj këtyre zyrtarëve. Të paktën publikisht, nuk dihet asnjë vendim.

Për këtë çështje, ishte deklaruar edhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.

“Për eprorët e policisë në veri që kanë marrë pjesë në takim me Vuçiqin, ne e kemi vlerësu se ata duhet të hetohen pastaj të marrim masa. Ndoshta kish mujtë me qenë edhe varianti i juaj, por ne e kemi vlerësu që me i çu në IPK fillimisht”, ishte shprehur Mehmeti.

Ky takim me presidentin e Serbisë, nxiti reagime të ashpra në Kosovë, pasi skaj Vuçiqit ishte edhe i kërkuari nga Prokuroria në Kosovë, Milan Radojiçiq, që është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajme të ngjashme