Ministër Sveçla dyshohet se urdhëroi Policinë që të mos ftonte ‘mbikëqyrësit’ e tij në Paradë - NACIONALE

Ministër Sveçla dyshohet se urdhëroi Policinë që të mos ftonte ‘mbikëqyrësit’ e tij në Paradë

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Të martën në kryeqytet, u mbajt një manifestim nga Policia e Kosovës, i cili u shënua për nder të policëve të rënë në krye të detyrës. Ky manifestim i organizuar nga Policia, ftoi ministrin Xhelal Sveçla por jo edhe mbikëqyrësit e punës së tij – anëtarët e Komisionit për Siguri.

E pjesëmarrës në këtë manifestim ishin kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, zv.kryeministrat Bislimi e Rexhepi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ministrja e Drejtësisë Haxhiu, e figura të tjera.

Por, nuk ishin deputetët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes – e të cilët janë përgjegjës në mbikëqyrjen e policisë dhe në mbikëqyrjen e punës së bërë nga Ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla.

Anëtarët e këtij komisioni nga pozita e opozita, në krye me kryetarin e AAK-së Bekë Berisha, thonë për gazetën se nuk kanë pranuar ftesë për pjesëmarrje në këtë manifestim.

E sipas tyre – përveç deputetëve të pushtetit - kjo gjë ka të bëjë me çështje politike.

Siç merr vesh gazeta nga burimet e saj, kjo mos-ftesë e Komisionit është urdhëruar pikërisht nga ai që mbikëqyret nga Komosioni, ministri i Punëvë të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Policia si organizator i këtij manifestimi, sipas burimit është urdhëruar nga ministri Sveçla.

Në këtë manifestim janë ftuar lloj zyrtarësh të parëndësishëm, por nuk është ftuar komisioni i Sigurisë. Krejt kjo pasi që ministri i Punëvë të Brendshme, Xhelal Sveçla ka urdhëruar të mos ftohet komisioni i Sigurisë i cili përbëhet nga pozita e opozita,”- thotë ky burim.

Bekë Berisha, kryetar i këtij komisioni thotë se ky manifestim u bë sikur fshehtë nga ta.

E sipas tij një gjë e tillë është shembull i keq, sepse pushteti ndërron, e qeveria nuk po e mendon këtë gjë.

Nuk kemi marrë ftesë, kemi qenë të befasumë, sikur me pas ba fshehtë prej neve. Sigurisht çështje politike, kanë qejf me e përvetësu këto ngjarje. Është një shembull i keq sepse ne kemi me qenë në opozitë e pozitë, ndërron pushteti, e këta nuk po e mendojnë këtë gjë,” - thotë Bekë Berisha nga AAK-ja.

Ndërsa deputeti Enver Dugolli nga Lëvizja Vetëvendosje që është po ashtu anëtar i komisionit i ka dalë në mbrojtje pushtetit, përsëri. Ai ka thënë se “me gjasë” formati i të ftuarve ka qenë i vogël derisa e ka pranuar se nuk ka pasur ftesë.

“Nuk kemi pas ftesë, çështje e protokollit me gjasë formati i të ftuarve ka qenë më i vogël, nuk e di. Veç e di që nuk kemi pasë ftesë si komision”, thotë Enver Dugolli.

Më i ashpër ka qenë Anton Quni. Anëtari i këtij komisioni nga LDK-ja thotë se është lënduar kontrolli dhe mbikëqyrja demokratike me mospërfshirjen e komisionit të Sigurisë në këtë manifestim.

“Unë si anëtar i komisionit nuk kam pasur ftesë apo njoftim për këtë ngjarje. Çdo ngjarje dhe zhvillim i institucioneve të sigurisë, ku nuk ftohet apo përfshihet edhe Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e lëndon kontrollin dhe mbikëqyrjen demokratike”, ka thënë Anton Quni nga LDK.

Ndërsa anëtari tjetër nga PDK, Rashit Qalaj thotë se kjo është bërë për qëllime politike.

“E vërtetë që askush nga komisioni nuk është ftuar nga Policia e Kosovës në manifestim. Kjo mosftesë ka qëllime politike sepse me sa e kam vërejtë askush nga opozita nuk ka qenë pjesëmarrës,” thotë Rashit Qalaj, ish drejtor i policisë së Kosovës.

Gazeta ka provuar të marrë përgjigje nga policia e Kosovës për të kuptuar se pse si organizator i këtij manifestimi nuk kanë ftuar këtë komision, por të njejtit nuk janë përgjigjur.

Njejtë nuk janë përgjigjur as nga ministria e Sveçlës, për të pranuar ose mohuar se i njejti ka urdhëruar që ky komision të mos ftohet.

Në anën tjetër, Sveçlën për ndërhyrje politike në Policinë e Kosovës e ka akuzuar vazhdimisht Partia SocialDemokrate dhe aktivistët e saj.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje ku kishte qenë i ftuar Sveçla për raportim, ai ishte bërë jashtëzakonisht nervoz nga anëtarët.

“ A po na tregon ministër kur do t’i arrestoni oligarkët, pasi ju VV-ja keni qenë shumë të zëshëm para se me ardhë ne pushtet, a do t’i arrestoni ata apo vetëm policë keni me arrestu?” – ishte një nga pyetjet e z. Bekë Berisha më 29 prill.

Lajme të ngjashme