Bashkëluftëtari i Adem Jasharit: Vetne ministrin pse m’ka shkarku - NACIONALE

Bashkëluftëtari i Adem Jasharit: Vetne ministrin pse m’ka shkarku

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së djeshme, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka shkarkuar nga detyra Fadil Kodrën, zyrtarin që ushtronte detyrën e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).

I shkarkuar nga detyra, Kodra, është bashkëluftëtar i komandantit legjendar Adem Jashari.

Fadil Kodra në një fjalë për Nacionalen, gjatë ditës së sotme, duke refuzuar të zgjerohet më tepër në shpjegime, pohoi se përgjegjësia i mbetet ministrit.

Vetne ministrin pse m’ka shkarku”, tha Kodra për Nacionalen.

Reagimet pas shkarkimit të Kodres ishin të shumta.

Lajmi për shkarkimin e Kodres nxiti shumë reagime, duke filluar nga Organizata e Veteranëve të Luftës deri tek figura të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Sami Lushtaku. Në mesin e reaguesve ishte edhe gazetari i njohur, Milaim Zeka.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit, brenda OVL, këtë vendim të ministrit Sveçla e vlerësoi si të turpshëm.

Shkarkimi nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Emergjencave të Kosovës, i njërit nga themeluesit të UÇK-së, nga grupi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Gjenerali Fadil Kodra, është turpi i turpit të kësaj qeverie”, shkroi Klinaku në rrjetin shoqëror Facebook.

Ngjashëm edhe Sami Lushtaku kundrejt vendimit për shkarkimin e Kodrës, shfaqi dënesë të thellë. Madje Lushtaku këtë vendim e lidhi me një antipati të kësaj qeverie ndaj UÇK-së.

Duket që kjo qeveri e turpit ka aq shumë antipati ndaj UÇK-së, sa askush nuk mund të imagjinonte se veprimet e saj do të bien deri në këtë nivel. Nuk ka turp më të madh sesa të shkarkohet nga pozita e Drejtorit të Agjencionit të Emergjencave, një njeri si Fadil Kodra, që gjithë jetën e ka vënë në shërbim të kombit”, publikoi Lushtaku në Facebook.

Ndërsa sipas Milaim Zekës, historia nuk do ta falë këtë poshtërim që po iu bëhet ushtarëve të lirisë nga kjo qeveri.

Historia, dy gjëra nuk ka me i falë. E para, kurrë nuk ka me i falë politikanët e paditur e bazhibazuk, që lejuan me ardh në pushtet Kmerët e Kuq të Kosovës. E dyta, këto marre dhe poshtërime që po i bëhen luftëtarëve të lirisë, kurrë nuk falen!!!”, ka shkruar Zeka në Facebook, pas lajmit për shkarkimin e Kodrës.

Po ashtu, deputetja Ganimete Musliu e ka dënuar rëndë këtë shkarkim. Musliu e cilësoi këtë shkarkim si vendim i motivuar nga mentaliteti përndjekës i viteve të 90-ta.

Përndjekjet politike e rajonale me mentalitet të viteve të ‘90-ta, s’kane të ndalur”, shkroi Musliu.

Vendimin për shkarkimin e Kodres nga zyrja e AME-së, e ka marrë ministri Sveçla. Ky vendim është bërë i njohur nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil, ushtruesi i detyrës së këtij institucioni nuk mund luaj atë funksion për një periudhë më shumë se tre muajshe, nga skadimi i mandatit si drejtor.

Kodra, ka shërbyer në të njëjtin institucion, më saktësisht në rolin e udhëheqësit të agjencisë që drejton grupet e zjarrfikësve që nga viti 2010. Atëbotë, në këtë pozitë ishte emëruar nga qeveria e parë e drejtuar nga Hashim Thaçi.

Po ashtu, për shtatë vjet tjera, Kodra ushtrojë funksionin e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq së fundi ka ushtruar pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.

Sipas detyrës zyrtare, misioni i AME-së është ofrimi i mbështetjes së qytetarëve për tu përgatitur dhe reaguar përballë të gjitha rreziqeve të mundshme, kryesisht ato natyrore.

Lajme të ngjashme