Qeveria Kurti dha miliona për një rrugë që mund të shkatërrohet – Banka Botërore kërkon sqarime nga Qeveria
Në storien që gazeta “Nacionale” publikoi javën e kaluar, kemi bërë të ditur se rruga Shipashnicë–Desivojcë–Tërstenë, rreth 10 kilometra e gjatë në Kamenicë, është asfaltuar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa deri në 7 kilometra të saj mund të preken nga ndërtimi i digës, projekt ky i kahmotshëm.
Një gjë të tillë na e ka konfirmuar edhe drejtori për Zhvillim Ekonomik i kësaj komune në storien e kaluar.
Pas publikimit të hulumtimit të Nacionales për asfaltimin e rrugës në zonën ku planifikohet Diga e Desivojcës, ka reaguar Banka Botërore, e cila është një nga mbështetësit kryesorë të projektit.
Nacionalja javën e kaluar e kishte pyetur Bankën Botërore nëse është në dijeni për shtrirjen e saktë të rrugës së përfunduar në raport me lokacionin e planifikuar të digës dhe nëse është verifikuar nëse këto dy projekte janë të pajtueshme me njëra-tjetrën.
Po ashtu, kemi pyetur nëse rruga e përfunduar është e harmonizuar teknikisht dhe hapësinorisht me projektin e Digës së Desivojcës.
Në një përgjigje të dhënë për Nacionalen, Banka Botërore konfirmon se po mbështet përgatitjen e projektit të digës, përfshirë studimin e fizibilitetit dhe vlerësimin mjedisor e social.
Banka gjithashtu thotë se përgjegjësia për investimet infrastrukturore i takon institucioneve të Qeverisë së Kosovës dhe se pyetjet e Nacionales ua ka përcjellë ekipit qeveritar që menaxhon projektin.
Gazeta “Nacionale” ka një javë që u ka dërguar pyetje Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Infrastrukturës, për të kuptuar më shumë lidhur me këto dy projekte, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Por pyetja e ngritur nga Nacionalja mbetet: Pse u investuan miliona euro në një rrugë, nëse projekti i digës në të njëjtën zonë ishte i njohur prej vitesh?
Dhe, nëse rruga duhet të zhvendoset, kush do ta paguajë rrugën e re?