Çfarë zararesh i fshehu popullit Kurti përmes Rrahman Jasharajt? - NACIONALE

Çfarë zararesh i fshehu popullit Kurti përmes Rrahman Jasharajt?

3 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Edhe pse mësimdhënësit vendosën t’i jepnin fund grevës pa u përmbushur kërkesat e tyre, pushteti vazhdoi piskamën. Linçimet veç sa u rritën derisa panevojshëm u provokua edhe rikthimi i grevës përmes ndaljes së pagës. Pse ishte pushteti kaq i interesuar për një krizë të re dhe çka u përpoq të fshihte Albin Kurti? Këtu keni një shtjellim të atij zarari të fshehur.

Pushtetarët e mëhershëm konsiderohej se për të shpërqendruar vëmendjen e publikut nga ndonjë skandal apo nga ndonjë gjë që s’donin të mendohej mirë e mirë, rikthenin lavditë e luftës së UÇK-së.

Pushtetarët aktualë në krye me Albin Kurtin, duke mos qenë pjesë e gjeneratës që luftoi në UÇK, duket se kanë taktika të tjera.

Një gojë me Vuçiqin

Kosova po përballet me një varg krizash të ndryshme, secila më e rëndë se tjetra. E para është kriza ekonomike, me inflacionin që po varfëron përditë qytetarët. Më pas, është kriza energjetike që u shfaq me anë reduktimesh qysh në gusht. Kriza shëndetësore me ikje të mjekëve. Kriza politike me gjuhë të urrejtjes dhe mosdurimit në të katër anët e sferës publike. Kriza e derivateve të naftës. Kriza e tregut të punës. E kështu me radhë.

Kujt i vyente edhe kriza në arsim?

Epo, si duket i vyente kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Greva do të paralajmërohej më 18 gusht dhe do të shpallej më 25 gusht. 18 gushti kishte qenë pikërisht dita kur kryeministri kishte udhëtuar në Bruksel dhe ishte takuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Më vonë, Kurti do t’i akuzonte sindikalistët që kishin paralajmëruar grevën pikërisht në ditën kur ai do të bisedonte me Serbinë. Sadri Ramabaja – një ndër aktivistët më të shquar të VV-së - do t’i quante “njerëz pa atdhe”. Por, Kurtit asnjë punë s’do t’i prishej në Bruksel. Ai do të arrinte marrëveshje me Serbinë për dokumente të udhëtimit, por të cilën s’do ta publikonte. Marrëveshja u raportua se ishte e formës gojore.

Ndërkohë, siç ka rrëfyer më vonë Rrahman Jasharaj, SBAShK-u e BSPK-ja e kishin paralajmëruar grevën – megjithëse jozyrtarisht – edhe para 18 gushtit.

Një video me Thaçin

Me nisjen e vitit të ri shkollor, s’do të niste edhe mësimi dhe kjo do t’i jepte dramaticitet e vëmendje më të madhe grevistëve. Por, Albin Kurti do të dëshmohej se ishte njeriu më i çinteresuar që hallakama në arsim të merrte fund përmes belave që do t’i bënte deri pardje, më 8 tetor.

Në fund të shtatorit, greva megjithatë u pezullua edhe pse nuk do të realizohej asnjë kërkesë e mësimdhënësve e Kurti do të vazhdonte fyerjet ndaj tyre dhe do t’i linte nën ankthin e pritjes së pagave. Partia e tij do të postonte një video për “shkatërruesit e shtetit” në tetor e ku mes liderëve e ish liderëve të partive opozitare do të fuste edhe Rrahman Jasharajn.

Aktivistja e PSD-së, Natyra Kuçi, më tha se videoja e VV-së përpiqej të fshihte mospunën dhe disa telashe të mëdha të cilave nuk po ia dilte që t’iu jepte zgjidhje.

“Çka besojmë që vlen të theksohet veçanërisht prej sulmit të kësaj videos është tendenca për të fshehur mospunën e qeverisë. Ende s'kemi asnjë investim kapital, s'kemi asnjë masë solide dhe të drejtë për inflacionin, s'kemi asnjë masë për krizën energjetike dhe dimrin që po na pret, por kemi qortime, shantazhe, kërcënime që synimin përfundimtar e kanë nënshtrimin e cilitdo në shoqëri që bie ndesh me pushtetin. Pra, qëllimi përfundimtar i videos është kamuflimi i mospunës me arsyetimin që opozita, në mënyrën më absurde e banale, e paska kapë shtetin dhe vazhdon ta mirëmbajë kontrollin nga opozita. Bile edhe nga burgu!” – argumentoi Kuçi.

‘Zajednica’ me disa akte

Qoftë Udhërrëfyesi i Zbatimit të Marrëveshjeve për Energjinë, qoftë targat – që është një proces që mund të prodhojë tensione të reja – e qoftë marrëveshja gojore për dokumente mund të konsiderohet se ndajnë etnikisht vendin dhe çojnë drejt Asociacionit. Por, vetë Asociacioni ku mbeti? Ose, pyetur me fjalë tjera: mos ka diçka tjetër konkrete që pushteti provoi të fshihte?

Para se të fitonte dramaticitet greva në arsim, tema kryesore në vend ishte pikërisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Kurti kishte qëndruar në kryeqytetin belg për një numër të panjohur ditësh, derisa arritja e marrëveshjes gojore për dokumente kishte shmangur rikthimin e tensioneve në veri, që kishin eskaluar paraprakisht më 31 korrik.

Greva do të margjinalizonte edhe marrëveshjen gojore për dokumente që u raportua se legalizonte dokumentet që lëshoheshin nga strukturat paralelele serbe siç kishte raportuar gazeta Nacionale. Ky informacion nuk do të mohohej as nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

Por, përtej ditëve të nxehta të gushtit, tema do të dilte nga vëmendja qendrore publike gjatë gjithë muajit shtator.

Në një shkrim të titulluar “Sekreti Publik”, kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj lë të nënkuptohet se ajo që po provohet të fshihet nga Kurti është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (Zajednica).

“...kontrabandimi i asociacionit nuk do të kalojë pa u kuptuar, ndonëse jemi në procesin e dialogut më të mbyllur ndonjëherë. Kjo do të ju kushtojë me rezistencë qytetare.” – shkroi Molliqaj.

Lëmshi brenda VV-së

Vetëvendosje përmbylli procesin e zgjedhjeve të brendshme pikërisht gjatë kësaj kohe. Albin Kurti do të zgjidhej kryetar i Vetëvendosjes pa kundërkandidat. Ndërkohë, do të zgjidheshin edhe kryetarët e qendrave nëpër komuna e shumica dërmuese e të cilëve po ashtu s’do të kishin kundërkandidatë.

Nacionale kishte raportuar se shumë prej kandidatëve ishin eliminuar nga gara duke mos u certifikuar nga organi kompetent partiak. Çështje e rëndësishme ishte bërë Projekt-Kodi Civil, ose më saktë bashkësitë e regjistruara civile mes seksit të njëjtë.

Pikërisht një çështje të tillë e përmendi si mundësi të arsyeve të shpërqendrimit të vëmendjes nga pushteti edhe Natyra Kuçi.

“Propaganda e Vetëvendosjes po ashpërsohet pikërisht në kohën e përplasjeve të mëdha ose të pritjes së përplasjeve të mëdha. Nga greva e lufta e veçantë kundër mësimdhënësve e deri tek potencialiteti i moskalimit të Kodit Civil, pushteti ka qenë i stepur prapa në vetëmbrojtje pa ofruar alternativa e zgjidhje. Simptomat e kësaj punë kemi mundur t'i shohim në zgjedhje të brendshme të tyre. Eliminuan kandidatë që në fund i shpërblyen me pozita, si rasti me Arbër Vokrrin. Tash, me motiv kërcënimin e shantazhin, rikthyen vëmendjen tek 20 vjeçari me një video po aq skandaloze sa të pasaktë...Një shantazh i tillë duhet medoemos t'i përgjigjemi me rezistencë të organizuar. Nuk guxojmë të lejojmë që demokracia të shkrumbohet në këmbët e një njeriu.”

Por, tashmë greva është pezulluar dhe pagat e mësimdhënësve janë ekzekutuar pas trysnisë së madhe publike. Nuk dihet se me çka do të shpërqendrohet vëmendja e publikut nga Brukseli gjatë ditëve të mbetura të këtij muaji. Liberalizimi i vizave?

Lajme të ngjashme